AKTUALITET

Vlora Çitaku ia thotë në sy Daçiç: Keni vrarë 10 mijë shqiptarë

09:47 - 11.06.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Takimi informues për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, i dyti për këtë vit u mbyll pa ndonjë ndryshim në fronte, pas gati tre orë fjalimesh nga shefi i UNMIK-ut, Serbia, Kina dhe Rusia, Kosova SHBA, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, dhe vende të tjera ulur në Këshill. Seanca u drejtua nga Kuvajti, që mban presidencën e radhës këtë muaj.




Incidenti me punonjësin rus të UNMIK-ut, larguar tashmë nga Kosova zuri vend në shumë fjalime. Secila palë tregoi versionin e vet për ngjarjen e 28 majit, kur gjatë një operacioni për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në vepra kriminale, një punonjës i nacionalitetit rus të OKB në Kosovë u lëndua, arrestua, dhe lirua dhe u shpall persona non grata.

Po ashtu përdorja e fotografive fallso në parlamentin e Kosovës, për të dëshmuar për dhunën seksuale të konfliktit ka qenë subjekt i fjalimeve të përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë.

Ivica Dacic, ministri i jashtëm i Serbisë, është kundër uljes së numrit të takimeve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe kundër rishikimit të mandatit të UNMIK-ut. Dacic e quajti situatën në Kosovë, “që ka shkuar nga keq, në shumë keq”. Ai përsëriti thirrjen për dialog dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës me paqe dhe kompromis.

Dacic iu kthye kërkesës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për komunat serbe, arritur gjashtë vjet më parë, mes tij, Thaçit dhe Ashton. “Mesazhet kërcënuese nga kryeministri i Shqipërisë, për ribashkim të Shqipërisë dhe Kosovë”, i quajti “joserioze”.

Ai tha se aksioni i policisë së Kosovës më 28 maj, ka qenë me synimin “për të keqtrajtuar serbët e mbetur në Kosovë”, të cilën si dhe më parë Dacic, e sheh si territor të Serbisë, shkruan DW. “Ngjarjet e javëve dhe muajve të fundit në Kosovë, tregojnë se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i alarmuar dhe të bëjë më shumë,” tha ai.

Ai i quajti bombardimet e NATO-s, në Kosovë “ilegale” dhe nuk iu kthye aspak periudhës së para 1999. Ai foli për personat e zhvendosur dhe tha se 1,9 përqind e serbëve të larguar nga Kosova janë kthyer. 200 mijë të tjerë janë duke qëndruar larg shtëpive. “Kosova multietnike është duke u kthyer në monoetnike”, tha ai dhe foli për “pastrim etnik”. Fshatra ku kanë jetuar më parë serbë, nuk ekzistojnë më. Dacic, tha se në Prishtinë jetojnë sot vetëm 100 serbë, kurse në Prizren, vendin e tij të lindjes, vetëm 23 serbë.

Dacic, tha se autoritetet e Prishtinës, janë duke planifikuar të sulmojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë. “Ju të gjithë duhet të dini për këtë dhe të ndaloni makinën e luftës së Prishtinës, para se të shkaktohet një gjakderdhje e re,” paralajmëroi Dacic, në një “paralajmërim serioz”, siç e quajti ai vetë.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përqëndrua në fushatën ofenduese të zyrtarëve serbë, e cila pengon paqen.

“Fushata e vazhdueshme për t’i treguar njerëzit e Kosovës, jo si njerëz, portretimi i tyre si inferiorë, të ngjashëm me kafshët e egra,” nuk është gjë e re për ne. Ka ndodhur 100 vjet më parë, ka ndodhur para lufte, ka ndodhur edhe në takimet e Këshillit të Sigurimit disa muaj më parë, kur presidenti i Serbisë bëri thirrje: “a do dalë dikush që t’i zbusë këta njerëz”, “zbutini”, “zbutini”,” citon Çitaku të ketë thënë Vuçiç. “Njerëzit e Kosovës nuk do të zbuten. Ata nuk do të nënshtrohen. Dhe ata nuk do të drejtohen kurrë më nga Serbia,” tha Çitaku, duke përmendur edhe citimet e kryeminstres serbe që i quan njerëzit nga Kosova “të dale nga pylli”.

Çitaku solli në vëmendje numrin e viktimave shqiptare, numrin e grave të dhunuara nga forcat serbe dhe personat që akoma janë të zhdukur.

“Mbi 10 mijë njerëz të vrarë, rreth 20 mijë gra janë dhunuar, mijëra janë akoma të zhdukur. Ne nuk e harrojmë se kur u kthyen mbi 1 milionë shqiptarë, gjetën shtëpitë e tyre në shkrumb e hi. Përfaqësuesit e OKB’së na keni ndihmuar t’i ndërtojmë ato”, ka thënë Çitaku.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.