OPINION

“BE-ja i ndryshon rregullat gjatë lojës”

07:45 - 13.06.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nënkryetari i parlamentit polak, Ryszard Terlecki ishte në Tiranë në kulmin e krizës së madhe politike. Pavarësisht të gjithë situatës, ai përcolli frymën e mirë që ekziston në Poloni për të ndihur Shqipërinë në procesin e integrimit dhe veç kësaj, referoi për problemet e sotme në kontinent…




Për një vend si Polonia, që pak vite më parë festoi 550-vjetorin e parlamentarizmit, duhet të kujtohesh se ka pas vete një histori të rrallë, por edhe të kuptosh sesa vlen një miqësi e tillë. Kjo, sepse ka luftuar në shekuj për të mbijetuar në gjirin e vendeve të lira, por me historinë e saj është e lidhur një pjesë e trashëgimisë së madhe të kontinentit tonë. Për polakët kjo quhet vlerë dhe moralin e kanë në thelb të politikës së tyre, që jo shpesh nuk i pëlqen aq shumë Evropës. Kjo ishte arsyeja pse artikulimet e Shkëlqesisë së tij, Ryszard Terlecki, në Tiranë jo thjesht u dëgjuan me kujdes, por edhe politikës shqiptare iu desh të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh përfaqësues i një shteti të tillë si Polonia. I biri i shkrimtarit dhe gazetarit Olgierd Terlecki, në të ritë e tij ishte pjesëmarrës i lëvizjes hipi në Poloni dhe një nga eksponentët e kësaj subkulture rinore në Poloni. Sot, gjurmën e vetme e gjen te flokët pak të gjatë dhe nga përhumbja e bukur, kur merr kohë të mendojë. Nuk refuzon asnjë pyetje, por kohën e përgjigjes e zgjat teksa përgatit cigaren e radhës. Pastaj, kur vjen të përgjigjet, të shikon në sy dhe të flet hapur: “Ne do t’ju mbështesim me të gjitha mundësitë tona, sepse ne e dimë realisht për shkak të historisë sonë të gjatë se çfarë është të përballesh me situata të tilla. Neve nuk na pëlqen që në Bashkimin Evropian rregullat e lojës i ndryshon shpesh gjatë lojës!”, – thotë i pyetur pas vizitave në Shqipëri. Është e vërtetë që përballja me Bashkimin Evropian ka qenë e vështirë sidomos në dekadën e fundit, ku dyert e saj janë bërë gati të pakalueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, por zyrtari polak e ka të qartë se përveç problematikave të mëdha që këto vende mbartin, si Shqipëria, kanë përballë një Bashkim Evropian që po bëhet gjithnjë e më i ngurtë. “Është e vështirë të kuptohet nga zyrtarët përballja e vendeve si Shqipëria, sakrificat e tyre dhe angazhimi përkundrejt detyrave që ato përballin në shumë raste, por ne duhet të jemi sa më të hapur. Eksperienca polake e ka treguar këtë dhe ne e kemi treguar me rritjen tonë të shpejtë. Duket se vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithnjë u vendosen barriera njëra pas tjetrës, ndaj më duket se po bëhet e vështirë. Shpesh më duket se ndryshimi i Bashkimit Evropian do të përbënte lajm”.

Kjo është arsyeja që një grup vendesh ku Polonia po luan rolin kryesor janë të vendosura që menjëherë të avokojnë për Shqipërinë. Flitet për vendet e Konferencës së Vishegradit, por jo vetëm që integrimin e kuptojnë edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Në këtë rast “çudia” polake është e stërmadhe, pasi të 27 deputetët e rinj polakë në Parlament do të kërkojnë me kolegët e tyre të djathtë që Shqipëria të pranohet pa asnjë kusht. “Të mendosh se kemi edhe opozitarë, por të gjithë kur vjen puna për punën e Shqipërisë janë të bindur se ajo meriton t’i hapen negociatat dhe ne mendojmë se zgjerimi i Europës duhet të zhvillohet në formë paralele me forcimin e saj, ndryshe nga çfarë mendojnë kolegët e ndryshëm të Perëndimit, që puna më e madhe në ditët tona duhet të shkojë për procesin e forcimit të BE-së ekzistuese. Qysh në mbledhjen e parë të Parlamentit Evropian, të 27 eurodeputetët polakë do të kërkojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë”, thekson zyrtari i Parlamentit të Polonisë, që nuk e lëshon nga dora cigaren e zakonshme.

Mundohemi ta pyesim për të gjitha zhvillimet dhe një nga pyetjet kap realitetet e sotme në Evropë. “Evropa ka një problem me themelet ku është ngritur-flet hapur. Ne dallojmë sepse ne respektojmë traditën dhe ajo përbën thelbin ku ngrihet vlerat tona. Pa respektuar traditën, nuk mund të synosh të krijosh vlera të reja, për të cilat ne jemi të hapur, sepse nuk mund të jetohet pa Evropën”, – shton i menduar. “E megjithatë, ne e duam dhe kontribuojmë me të gjithë peshën tonë gjithmonë e më shumë në rritje, pasi e dimë qartë se rreziku kryesor për të ardhmen e Polonisë është dobësimi i vetë Bashkimit Evropian. Pa BE-në, Polonia do mund të kthehej në periudhat e errëta të historisë së saj dhe do të gjendej larg kontinentit ku ajo është përballur me shumë çudi dhe gjëra të këqija në të kaluarën”.

Shefi i grupit parlamentar të grupit më të madh Partisë për Ligj e Drejtësi mendon po ashtu se zgjedhjet polake për Parlamentin Evropian janë edhe një tregues i mirë për zgjedhjet e mëdha në vendin e tij, ku formacioni kryesor që drejton sot Poloninë ka marrë një numër të konsiderueshëm. “Në një farë mënyre, kjo ka treguar se politika jonë ka qenë e mirë dhe mënyra sesi po e qeverisim Poloninë ka mbështetje, fillimisht nga brenda”.

Terlecki, si një historian dhe profesor i shkencave humane ka shumë çfarë të thotë edhe për konfigurimin e sotëm të Evropës, por edhe të gjitha forcat që dominojnë në të. Ka një përgjigje për neofashistët dhe populistët, por edhe atë që po e shkatërron Evropën. “Largimi nga e vërteta nga baza ku ndërtohet themelet e shoqërisë do të jenë gjithmonë frymëzimi për shoqëritë demokratike. Sa më shumë t’i largohemi këtij trendi, aq më të paqartë do të jemi për të ardhmen tonë”.

Megjithatë, tregimi më i lodhshëm për të është kur flitet për demokracitë e brendshme dhe sidomos për rastin shqiptar. “U takon të gjitha palëve kryesore në Shqipëri që të gjejnë gjuhën e tyre dhe të ulen për të diskutuar me një bazë të vërtetë pa interesa meskine, thjesht me atë që ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve të tyre. Sa më në bazë të jenë për këtë zgjidhje, ku duhet të merret parasysh interesi i këtyre qytetarëve, aq më mirë do të jetë për të zgjidhur krizën, ndryshe politika nuk është për njerëzit, por për mirëqenien e politikanëve”.

***

Elementet e suksesit polak nga publicistët e ndryshëm shpesh krahasohen me atë të rrëfimit ekonomik gjerman të pasluftës, sidomos duke u mbështetur në reformat shoqërore dhe ekonomike, që e vendosën Poloninë përpara. Jo më kot, bazuar në politikat e saj, ekonomia polake është vendi i gjashtë më i madh në BE dhe një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Evropë, me një rritje vjetore prej mbi 3.0% qysh përpara recesionit të viteve 2000-të. Sot, rreziqet për suksesin e vazhdueshëm të Polonisë janë të njohura: plakja e popullsisë, rënia demografike, niveli i ulët i inovacionit dhe investimi i ulët. Por për këto Polonia e ka një zgjidhje, sipas tij: “Mendimi evropian do të gjejë zgjidhje, porse familja e madhe e Bashkimit Evropian duhet të ketë edhe Ballkanin. Ato janë pjesë integrale e saj dhe koha do të tregojë më së miri vërtetësinë e këtij konstatimi. Poloninë do ta keni gjithnjë në krah, për çfarëdo gjëje që të mendoni”.

Shqipëria shikohet prej kohësh brenda familjes evropiane dhe kjo është një nga mirënjohjet më të mëdha për këtë popull. Terlecki e kupton, por falënderimin e shpreh modestisht me vetëm një tundje koke.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.