KULTURË

Mbyllet mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë

13:14 - 14.06.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbyllin përkohësisht dyert dhe ndërpresin aktivitetin dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës.




Ata janë Muzeu Kombëtar i Arsimit, i njohur ndryshe si Muzeu i Mësonjëtores së parë Shqipe, dhe Muzeu Arkeologjik.

Shkaku që këto dy qendra muzeale mbyllen për një afat të pacaktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.

Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarrë për këto objekte, raporton Vizionplus.

Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë Muzeu i Arsimit dhe ai Arkeologjik.

Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjëtores së parë Shqipe, nuk i përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.

Mbyllja e dy qendrave muzeale në Korçë, është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor.

Ende nuk dihet se kur këto qendra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa Muzeu Kombëtar i Arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.

Në një nga zonat më popullore të Korçës të njohur si Pedonalja, ndodhet dhe Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” që ndodhet përballë “Ushtarit të Panjohur”. Muzeu është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë shqipe e njohur si “Mësonjëtorja”, me një karakter laik dhe kombëtar.

Brenda muzeut gjendet fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilharxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit tjetër Kostandin Kristoforidhi. Në katin e dytë është ruajtur e pandryshuar klasa e shkollës ashtu siç ka qenë në origjinal, me bankat karakteristike prej druri, korniza në mure dhe librat mbi tavolina. Në oborr të saj ndodhet Obelisku ABC, që është kthyer dhe në simbol të muzeut.

Shkolla u hap në një kohë kur populli shqiptar ndjente nevojën për të patur një shkollë shqipe, që do të ishte laike e do të lartësonte vlerat e kombit shqiptar. Ndër emrat kryesorë që lidhen me historikun e shkollës, është ai i Pandeli Sotirit, mësuesit dhe drejtorit të parë të saj, i cili braktisi Stambollin me 150 abetare për të shkuar në Korçë. Ai dha një kontribut esencial në hapjen e shkollës, dukë shënuar kështu një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe gjuhës shqipe. Të tjerë drejtues të shkollës që kanë lenë gjurmë janë Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, Nuçi Naçi etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.