MILOSAO

KAM SHITUR GJAK PËR TË BLERË ËNDRRA

21:30 - 16.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Rexhep FERRI – 1.Nuk kam se ku të shkoj më larg. Më larg e më thellë nuk besoj në asgjë… Të shohim a kemi qenë ndonjëherë normal.
Nga një idiotllëk i paparë, me njerëzit peshkaqen, unë e urrej lojën me sy të mbyllur.
Dua të kthehem te qumështi i nënës.
Isha i ri.
Ajo moshë është si pema.
Me buzë ta prek faqen.
Sikur të mos ishte hera e parë do të ishte hera e dytë.
Jeta qenka udhëtim drejt vetës.
Më bënë te kuptoj kush isha e kush jam.
Duhet ta kisha ditur më kohë.
Ndoshta më besoni.
Legjenda thotë se jam pak i vonuar.
Historinë nuk e kemi të shkruar.
Për ta kaluar edhe një sfidë ndalem.
E ndeza një cigare dhe ironinë e pashkruar e harrova.
Kush është afër mund të rri anash e të shikojë si po luhet loja.
Jeta bën magjinë e vet.
Përtej së mirës përtej së keqes kam shitur gjak për të blerë ëndrra.




2.
Qielli ra në tokë.
Dita e tokës në oqean.
Nga fundi i oqeanit lindin malet e ardhshme.
Malet e reja.
Nga toka deri në qiell njeriu është larguar nga njeriu.
Njeriu armik i njeriut.
Ka harruar se jeta është jetë.
Pse mundohemi të themi po.
Me premtime e pa premtime shpesh më vjen të besoj.
Pak më shumë e pak më pak, Mbreti Plak, pasi i doli pija veten e pa në skaj të botës.
Nëse e kuptoni, për herë të dytë mos t’i bimë rreth e rrotull atij muhabeti.
Besueshmëria ka rënë aq poshtë sa që kemi filluar të mos i besojmë as vetvetes.
Tani duke ju gjujtur në shpinë historisë mashtruese i lutemi zotit vetëm me një arsye, thjeshtë të mos bëjmë vetëvrasje.

3.
Më duket se po njihemi.
Pa e ditur çfarë vlere ka një lum, një mal
Koha reale shumë reale me një lloj pasigurie shkel mbi varre
Nuk është lehtë për ta kuptuar
Udhëtimin me karrocë e me kaprroj e kemi harruar.
Jemi të maskuar.
Për hapat e fundit, që janë si re në qiell, jemi pjesë e terapisë.
Pse mos të besojmë!?
Për gjërat e tmerrshme, me rrudha rreth syve dhe për hapat e fundit mos u prekni.
Bota është larguar nga njeriu.
Thjesht: njeriu armik i njeriut.
Për ta kuptuar largësinë mes piramidave të Egjiptit dhe Kullës së Babilonisë
Nga njëri kontinent në tjetrin, duhet të më besoni.
Nga njëri breg në tjetrin.
Një orë që punon.
Një orë që tregon kohën e saktë.
Dhe një ditë që vjen e shkon pa pikë turpi.
Pse kemi turp?
Turpi ka vdekur.
Kur jemi më shumë në atë botë, thonë se jemi në këtë botë.
Edhe pse nuk është për të besuar, unë të gjitha ngjarjet po i lexoj sikur të ishin rrëfema nga Bibla e nga Kurani.

4.
Më në fund u pa: Çdo gjë doli në shitje.
Për një fije floku.
Për një ushkur të këputur.
Historia përsëritet.
Nuk është e lehtë të kuptohet.
Jemi të pasur, mrekullia e Zotit, të pasur.
Pse jemi kaq të lumtur kemi harruar të pyesim.
Sillemi vërdallë.
Çdo polic na ndalë.
U themi: S’kemi ku të shkojmë!
As vend pune ku të punojmë.
As para për të mbijetuar.
Te Ura e Vezirit që i lidh dy vilajete: atë të Shkodrës me atë të Kosovës.
Me jetë e shtëpi në faqe të malit.
Me rrugë e flamur.
E me ngjarje që jehojnë këtyre anëve.
Historia e fatit çdo njeriu i bie mbi kokë.
Me pasqyrën e mjeshtrit bizantin, kjo humbje çdo ditë dyfishohet.
Pushim mes seancave të kuvendit të zotëve, është Mikromegas1.
Kur njerëzit qesin flakë nga goja.
Hapat e fundit nuk kanë nevojë për dëshmitarë as për gurët kilometrik të rrugëve.

5.
Kur dielli i natës të bën si të paqenë.
Më mirë se gjithçka tjetër, jeta ka më shumë se një të kaluar, se një të tashme, e një të ardhme ku s’mund të ndalemi dhe ku s’mund të arrijmë.
Në studion time, në tavolinën time gjithëmon mbetet diçka e pakryer, e paparë dhe e dyta dhe e fundit, që kanë qenë afër, shumë afër.
Pse kemi kaq shumë frikë nuk e kuptoj.
Koha e tashme ka edhe diçka tjetër, që na pret sa herë i afrohemi për ta njohur.
A duhet të largohemi apo duhet t’i mbyllim sytë?
Ajo që ne s’e shohim po na i terron sytë.
Përpara se të na merr koka erë, ndoshta do ta kuptojmë se asnjëherë si sot nuk kishim kaq shumë keqkuptime.
Të besueshme.
Të pabesueshme;
Për gjërat që nuk harrohen.
Numrat janë gjithçka.
Unë u ndala te rrënja katrore e dyshit.
Fitore. Humbje, o barazi.

6.
Kë të pyes, kë ta bëjë fajtor për çmendurinë?
Le të mendojë kush çka të dojë. Njeriu nuk e ka më atë autoritet e nderim që kishte.
Vetmia njerëzore flet kot.
Nuk e di as vet ç’thotë.
Nëse jeni filozofë mendjelehtë, mendoni diçka sot për sot.
Na duhen vite e vite për ta harruar të kaluarën.
Koha dredh e përdredh gjuhën.
Dredh e përdredh këngën.
Dredh e përdredh konopin.
Dredh e përdredh qafën.
Legjenda thotë: Një grua ishte në mes.
Pas një “Darke të fshehtë” larg e afër mistereve të realitetit.
Ajo grua, ajo nënë, duke kërkuar fatin, merr përgjigjen e fatit, lutet për shpirtin e djalit.
“Rrugën e Kryqit” s’e pati të lehtë.
Tri ditë pas kryqëzimit të Jezu Krishtit, kur e keqja largohet. Kur e keqja kalon.
Për më shume se kaq, gjithë ajo dramë, i gjithë ai tmerr që gjatë “Rrugës së Kryqit” e përjetoi Jezu Krishti, ishte një marifet, një tradhti.
Pas Darkës së Fshehtë, pas darkës së gabuar, ngjarje e tmerrshme nuk ishin vetëm të atyre që u ndodhën as jo vetëm të vendeve ku ndodhin.
Nuk e di a guxoj ta them: E ardhmja doli ndryshe,
Për t’u mbajtur mend, me Jezu Krishtin ka filluar numërimi i kohës në vite e shekuj; në atë të kohë së para-Krishtit dhe kohës së pas-Krishtit.

7.
A ka edhe diçka tjetër.
Kur u bëmë kaq të pasur?
S’kemi më kohë të mendojmë.
Me kuptimin e parë do të na merr djalli.
Pse jo,
Vetëm djall nuk kemi qenë.
Jo njëherë, po shumë herë, jeta vjen e shkon për një bisht sorre.
Me shtrirjen e fundit, futjani lapsin.
Sipas një njoftimi për gazetë, koha me premtime poshtë e lart kot sillet.
Sa për sy e faqe, njeriu ynë kërkon falje.
Për rrënimin e patriotizmit.
Me jo pa jo, me po pa po, sojlinjtë tanë me dorën e hajdutit e gjejnë mashtrimin.
Pa humbur kohë po na mësojnë si të presim, si të qeshim, si të durojmë. Dhe me zë të lartë si t’i thërrasim e si t’i përshëndesim.
Historia do të tregojë ose do të harrojë se kush jemi
Koha e tashme hapi një gropë.
Kurrë nuk do të dihet çka është varrosur në atë gropë.
Koha me brira i kreh flokët.
E verbuar nga shkëlqimi bie në sy dhe bën figura.

Prill, 2019

Shënime
1-(greqisht) I vogël- i madh


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.