OPINION

(Ri)bërja – (Re)make e Demo(n)kracisë

07:00 - 17.06.19 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pakënaqësia dhe zhgënjimi nga drejtimi dhe drejtuesit tanë ‘DEMO(N)KRATIK’ kanë qenë bashkëshoqërues tanët të përditshëm qysh prej kur prindërit tanë kishin moshën tonë. Vite të arta ato, me ëndrra shumë, por që u ‘arkivuan’ shpejt në sirtarin e ‘dëshirave utopike’ jo vetëm për brezin e tyre, por edhe për ne që ato vite nuk kishin ende qenie amorfe, vetëm pjesë të fantazirave të tyre rinore.




Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohen në aksion, përfundojnë ose në vajtim, ose në nënshtrim. E aty ku pakënaqësia mbetet lot ndër fytyra apo vuajtje e heshtur, njeriu zgjedh ose të pajtohet të jetojë me të keqen, ose të largohet gjëkund. Ikën siç kanë ikur plot të tjerë këto dekadat e fundit, por tashmë jo më aq nga varfëria; por sepse nuk sheh fije shprese, se përjeton karbonizimin dhe intoksiokimin e çdo cm² të ‘territorit neutral’ që kishte mundur të mbijetonte. E përtej të tjerash, se nuk pajtohet që përjetësisht të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme, një histori që përsëritet pafundësisht si në romanet absurde të Beckett-it.

Si gjithnjë, kur rishkruhet historia, do të shkohet domosdo  te zanafilla (pika kritike)  pikërisht atje ku ndryshimi i drejtimit, njësoj si marrja e një kahu të caktuar në kryqëzim, ka qenë përcaktuese. Kur vendimet e gabuara krijojnë kazuse me pasoja të pariparueshme të nivele të këtilla analiza fillon nga ‘pika 0’ për të ndjekur më pas kronologjikisht dhe linearisht (step by step) gjithçka ka ndodhur deri më sot. Kjo sepse për të analizuar të sotmen nuk kemi burim më objektiv dhe koherent për t’u mbështetur se e shkuara

Është thjesht ‘vërtetimi nga e kundërta’ që bënim në matematikë kur thoshim “Nqs A→B dhe B→A “. Kjo simbolikë e zbërthyer në terma real dhe aktual për shoqërinë tonë do të ishte: (A) të gjitha vendimet, veprimet e mosveprimet e politikës që nga 1991, (B) shkaktuan tensionin dhe pakënaqësinë masive që po përjetojmë sot.

Ndaj, ndryshimi shumëplanësh dhe i gjithanshëm që ndodhi në shtetin shqiptar në fillim vitet ’90 mbase u karakterizua nga një bollshmëri e përkohshme materiale, por, në fakt,  ishte një zhveshje e rrënjësishme nga vlerat e vërteta njerëzore dhe spirituale që janë themeli i çdo shoqërie normale. Në rrugë e sipër, te babëzitur për para, pushtet (mbase edhe perversitet) shumë nga ‘paria’ bënë zgjidhjet e gabuara. Shkelën mbi shumë principe bazike humane, shkatërruan shtetin, shkërmoqën çdo vlerë morale që kishte mbetur për të ndërtuar një strukturë politike dhe sociale katërcipërisht të kundërt me atë që pretendohej.

E ndaj këto ditë që duken kaq të tensionuara, për gjithë argumentet që lëvruam më sipër mund të mbartin mundësinë për të (RI)BËRË – (RE)MAKE shtetin shqiptar. E kur thuhet RI)BËRJE nuk nënkuptohet ndërhyrje estetiko-plastike, por një sistem të ri për të gjithë shiptarët. Si në të gjitha kombet moderne, edhe për ne ky fillim i ri  nuk duhet të jetë një shtet në shërbim të ndonjë ideologjie ekstremiste, parasë, vlerave pseudo-edukuese apo të ndonjë oligarkie. Shteti duhet të jetë një shtet-komb i mirëfilltë dhe i konsoliduar si gjithë kombet avangarde të botës. Në këtë pikë, ne i kemi të gjitha ‘tool’-et që lipsen për këtë RI)BËRJE – (RE)MAKE: kemi dijen, ekspertizën e profesionistëve, burimet natyrore, strukturat homologe që mund ti përdorim si shembull e mbi të gjitha kemi të gatshme ideologjinë dhe vlerat që n.q.s. nuk duam t’i ‘importojmë’, kemi ato të Rilindjes Kombëtare (asaj të parës, të mes shekullit XIX).

Teksa sot gjithnjë e më shumë shqiptarë po e kuptojmë që (RI)BËRJA – (RE)MAKE është një domosdoshmëri për t’i shpëtuar katastrofës, por divergjojmë në mendim për atë sesi duam të duket Shqipëria post- (RE)MAKE (gjendje më se normale e qenieve analitike si ne humanët, që kemi vizione të ndryshme).

Ndaj, pyetja e tretë që ngelet tashmë është: “Si mund ta realizojmë (RI)BËRJEN – (RE)MAKE në një situatë si e kjo e këtyre ditëve?”

Shpëtimin mund ta gjejmë te emra si: Monet, Renoir apo Sisley (impresionistë, e jo si rasti i Bethovenit që shumica e njerëzisë e lidhnin me qenin te filmi dhe nuk e dinin që ishte kompozitor brilant 🙂 )

Një grup artistësh të rinj, (asnjëri i famshëm), që e kishin të vështirë të afirmoheshin ose shisnin qoftë edhe një pikturë. pasi  tregu i artit figurative ishte i standardizuar dhe shijet caktoheshin nga “Académie Des Beaux-Arts”. Académie ishte ruajtësi i standardeve tradicionale të pikturës franceze për përmbajtjen dhe stilin. Nga to vlerësoheshin temat historike, fetare dhe portrete glamuroz dhe të llakosura ‘gold’; ama peizazhi dhe realiteti jetësor nuk përfilleshin.

Përballë kësaj situate, ‘grupi Impresionist’ vendosi që në vend të përpjekjeve personale të secilit për t’u përfshirë në ekspozitën e madhe, ata filluan të organizonin ekspozitat e tyre të vogla, të përbashkëta. Ata e kuptuan se suksesi nuk mund të matej kurrsesi individualisht, duke plotësuar kushtet dhe standardet burokratike të akademisë. Kreativiteti i tyre mundësoi lulëzimin e disa lëvizjeve në art dhe secili grup sot është i famshëm dhe pjesë e gjithë muzeumeve të botës.

Shkurtimisht, këtë duhet të bëjmë gjithë ne që kemi më shumë se 20 vjet që presim ditë më të mira. Në një zë të artikulojmë nevojën për (RI)BËRJE – (RE)MAKE dhe të bëhemi garant që ky proces të jetë rezultativ dhe frytdhënës për kombin tonë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.