AKTUALITET

Kala festival, 5-fishohet numri i pjesëmarrësve. Blendi Klosi: Shqipëria, destinacion rinor

18:50 - 18.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbi 5 mijë të huaj dhe qindra vizitorë shqiptarë po vizitojnë plazhet e Dhërmiut dhe zonave rreth tij, duke krijuar një atmosferë festive, që kombinon muzikën, të rinjtë dhe pamjet e natyrës shqiptare. “Është një ngjarje e madhe për botën e turizmit shqiptar dhe për krijimin e festivaleve ndërkombëtare në vendin tonë. Janë 5 mijë të huaj që kanë blerë biletat, të cilat janë shitur të gjitha që 3 muaj më parë. Jo vetëm për biznesin lokal, që sjell të ardhura të jashtëzakonshme, duke qenë se të gjitha dhomat në Dhërmi janë të zëna, por ajo që është më e rëndësishme për ne si institucion i politikbërjes së turizmit është publiciteti i jashtëzakonshëm që i bëhet Shqipërisë turistike dhe rivierës së jugut në veçanti, por edhe potencialeve që ka vendi ynë për të qenë destinacion turistik europian”,-tha ministri Klosi, gjatë një takimi me përfaqësues të njohur të mediave ndërkombëtare dhe gazetarë shqiptarë.




Organizatorët tregojnë se këtë vit numri i pjesëmarrësve, krahasuar me një vit më parë, është 5-fishuar, një arsye pse kanë shtrirë edhe kohëzgjatjen e festivalit, nga 1 javë që ishte vjet, në 2 javë këtë vit. “Ambicia e organizatorëve është që vitin e ardhshëm të kemi 10 mijë pjesëmarrës në festival. Është një erë e re që po fryn në bregdetin shqiptar, për të qenë një destinacion rinor turistik. Për ne si ministri e turizmit, është shumë e rëndësishme ajo që pjesëmarrësit në festival, mijëra turistë, shkruajnë në rrjetet sociale, përshtypje super pozitive, një nga arsyet që këtë vit ka sjellë në Shqipëri shumë më shumë turistë se vjet”,- tha ministri Klosi. Ai theksoi se gjatë këtij viti, së bashku me organizatorët ka zhvilluar dy takime të Task Forcës në Dhërmi, për të garantuar përfshirjen e të gjitha institucioneve shtetërore, që janë vënë në dispozicion për t’ju përgjigjur shërbimeve të shtuara për mijëra turistë, që kanë ardhur në Shqipëri për të ndjekur Kala Festival.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.