KULTURË

Marrëveshja/ Studentët e Arteve angazhohen te Galeria e Arteve

17:30 - 20.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arteve është firmosur dje në Tiranë. Qëllimi i saj është implementimi i dokumentit “Pakti për universitetin” dhe u firmos nga Erzen Shkololli për Galeriën Kombëtare e Arteve, ministrja Elva Margariti dhe rektori Kastriot Çaushi. Sipas kësaj marrëveshjeje, Galeria Kombëtare e Arteve ka si detyrim:
– Të ofrojë praktika për studentët e Universitetit të Arteve si vëzhgues në sallat e ekspozitave të përkohshme dhe asaj të linjës muzeale me qëllim ruajtjen e veprave të artit, mirëmbajtjen e sallave dhe orientimin e publikut.
– Të ofrojë praktika për studentët e Universitetit të Arteve si edukator arti në projektet e edukimit që zhvillohen në galeri për fëmijë të moshave të ndryshme, për nxënësit e gjimnazeve, si dhe studentë të fushave të ndryshme.
– Të përfshijë studentët e Universitetit të Arteve në programin publik të Galerisë Kombëtare të Arteve, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet që organizohen në kuadër të tij.




– Të përfshijë studentët e Universitetit të Arteve në projekte të ndryshme artistike që zhvillohen në Galeri në varësi të natyrës së projektit, si dhe kërkesave dhe kushteve të përcaktuara nga menaxheri i projektit.
Ministrja Elva Margariti, tha se ky është një bashkëpunim i parë, që angazhon Galerinë Kombëtare të Arteve për t’i bërë studentët pjesë të projekteve të institucionit apo në programeve, si ai i “Edukimit përmes Kulturës”. “Ndoshta mes studentëve do të ketë edhe nga ata që do të jenë aktorë të kësaj hapësire, por momentalisht, edhe përfshirja e tyre në procesin e përgatitjes së ekspozitave, seminareve, leksioneve të hapura, takimeve me artistë të huaj, shkëmbimi i përvojave, është shumë i rëndësishëm në rritjen si artistë apo menaxherë të ardhshëm. Po ashtu ata mund të bëjnë praktikat mësimore si vëzhgues apo guida për vizitorët, duke fituar një eksperiencë të re, duke njohur më mirë institucionin, duke krijuar lidhje të reja, që do t’u shërbejnë në karrierën e tyre”, tha ministrja Margariti. Ajo ritheksoi se institucionet shtetërore nuk duhen parë thjesht si vende punësimi, por si trampolina për të gjetur udhën e tyre. Rektori i UA, Kastriot Çaushi, u shpreh se më herët nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes UA dhe GKA. “Është shumë e rëndësishme që të mos mbetemi vetëm në kuadrin e letrave apo fjalëve, por të jemi konkretë. Është një rast i rrallë, që brenda një periudhe kaq të shkurtër, për më pak se 7 muaj, të arrijmë në një marrëveshje dhe projekte konkrete me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e varësisë”, tha Çaushi, duke bërë me dije edhe fillimin shumë shpejt të punimeve për rehabilitimin e Kampusit Universitar. Drejtori i GKA, Erzen Shkololli, shprehu dakordësinë për sa më sipër, duke shtuar se studentët do të angazhohen nëpër ata sektorë, ku kërkohet ndihma e tyre, si për guida, programin “Edukimi përmes kulturës”, por edhe duke u bërë pjesë e proceseve përgatitore të ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai u shpreh se gjatë kjo periudhë u shërben studentëve për të evidentuar talentin e tyre, por edhe për të gjetur veten në ato drejtime, ku do të shfaqin interes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.