OPINION

KLSH dhe koncesionet si prej sheiku

07:00 - 25.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në dy muajt e fundit prill-maj 2019, në kulmin e protestave dhe ngërçit politik të vendit, Këshilli i Ministrave miratoi tri kontrata koncesionare të tipit PPP (Partneritet Publik–Privat), me vlerë më shumë se 370 milionë euro, të cilat nuk përfshihen në prioritetet kombëtare. Dhe përkatësisht rrugën Orikum-Dukat, ‘Bypass’-in e Lezhës në aksin Milot-Balldren, si dhe koncesionin e shërbimit spitalor laboratorik. Vlera e këtyre kontratave është të paktën 6 herë më e lartë se fondi i brendshëm që dha buxheti i shtetit për rrugët vitin e kaluar. Ç’janë këto koncesione si prej sheiku? Kaq të pasur e kemi këtë buxhetin e qytetarëve shqiptarë?! Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur zërin në vijimësi në lidhje me angazhimet buxhetore, që nuk regjistrohen në borxhin publik dhe që sjellin detyrime kolosale për të ardhmen, si dhe për angazhimet buxhetore pa pasur në dispozicion fondet e duhura buxhetore. Të bën përshtypje se si një PPP e tillë, e kthyer mbrapsht nga qeveria në janar të këtij viti, ishte nisur me projekt fillestar 265 milionë euro (një aks i ri rrugor, Vorë-Kashar) dhe kishte përfunduar në kontratën qeveritare në 476 milionë euro!




Gati e dyfishuar, ndërkohë që nuk ishin dyfishuar as kilometrat dhe as zgjerimi i rrugës. Koncesioni për shërbimin spitalor laboratorik zvarritej prej dy vitesh, por qeveria gjeti kohën në prill 2019 ta japë  me vlerë 71 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare. Një borxh i fshehtë prej rreth 200 milionë eurosh i qeverive vendore (në punime të kontraktuara, të zbatuara dhe të papaguara), i denoncuar fuqimisht nga KLSH-ja në të gjitha raportet e saj të viteve të fundit për zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit, lundron si minë me sahat në financat tona publike. Duke rrezikuar të zgjerohet më tej për shkak të krizës dhe pavëmendjes totale ndaj menaxhimit të 61 superbashkive. Si qytetarë, na vjen e natyrshme të themi: “KLSH, shiko koncesionet e reja, pse ujku i abuzimit dhe korrupsionit në administratën tonë shtetërore mjegull do!”. Dhe nuk ka mjegull më të favorshme se një krizë e rëndë dhe gati paralizuese politike. Ndërkohë, integriteti i projekteve publike si qendrore, edhe atyre vendore është cenuar rëndë pas zbulimit të kontratës kallp me kompaninë fantazmë “DH Albania”, me vlerë 20 milionë euro për ndërtimin e mbikalimit në “Unazën e Re” në kryeqytet. Sa herë KLSH-ja ka mundur të hedhë dritë mbi koncesionet e realizuara (sidomos ato në energjetikë), e ka bërë këtë me profesionalizëm. Në raportin e zbatimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017, institucioni i auditimit publik vëren se risk të lartë paraqet procesi i trajtimit nga ana e administratës tatimore të rasteve të rimbursimit të TVSH-së për kontratat koncesionare në fushën e energjisë (HEC-et).

Administrata jonë tatimore certifikon dhe paguhet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për vlera punimesh, të cilat tejkalojnë vlerat e kontraktuara me shtetin shqiptar. Këto punime janë të pamiratuara prej organeve kompetente, sipas detyrimeve kontraktuale, por edhe legjislacionit të fushës përkatëse. Nga auditimi i ushtruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, KLSH-ja ka gjetur se për një nga tatimpaguesit investues, është kryer njohja nga ana kësaj drejtorie e TVSH-së për investimin total. I cili, megjithëse nuk ka përfunduar ende, ka tejkaluar koston e parashikuar të vlerës së investimit duke arritur 2-fishin e saj! Kjo kosto i rezulton KLSH-së e pa u mbuluar me një shtesë marrëveshjeje me shtetin shqiptar (e realizuar pas faktit dhe jashtë periudhës së kontrollit). Institucioni i auditimit më të lartë publik gjykon se kjo situatë përbën një precedent të rrezikshëm, si në rastin konkret, por edhe për raste të ngjashme në vijim, ku vlera investimesh koncesionare certifikohen përpara se shteti ynë, nëpërmjet përfaqësuesve të tij të miratojë paraprakisht këto vlera investimi me Vendim të Këshillit të Ministrave. Prandaj edhe vlera e TVSH-së e cila paraqitet në kushte të mungesës së ligjshmërisë, shkon në 50% të vlerës totale të TVSH-së së kredituar nga ana e këtij tatimpaguesi. Vlerë e llogaritur minimalisht në shumën 2,05 miliardë lekë, ose 16 milionë euro. Dhe TVSH-në e dimë të gjithë se është e rimbursueshme. Kemi vërtet nevojë dhe gati domosdoshmëri për syrin investigues dhe profesional të Kontrollit të Lartë të Shtetit në këto kontrata të reja dhe të tejfryra koncesionare të tipit PPP, si barrierën e fundit të përgjegjshmërisë, përpara se sa dëmi të bëhet real dhe të na kushtojë qindra milionë euro pagesa të sotme dhe në të ardhmen nga ne dhe fëmijët tanë, në formën e taksave të rritura për të përballuar marrëzitë e sotme.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.