AKTUALITET

Numri i përdoruesve të drogës në rritje, psikologia: Të rinjtë, më të rrezikuar

19:00 - 26.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Numri i përdoruesve të substancave narkotike ka pësuar rritje nga viti në vit dhe sipas studimeve, rreth 70 mijë persona në vendin tonë kanë përdorur të paktën një herë drogë. Në ditën botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike bëhet apel për parandalimin e prodhimit, tregtimit ilegal dhe abuzimit me këto substance. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, psikologia klinike Enkelana Lekli tregon se grupmoshat e reja janë më të rrezikuarat për të rënë pre dhe e nisin përdorimin e drogës dhe alkoolit për shkak të kuriozitetit, për t’u ndjerë më mirë, për t’u çlodhur, për të minimizuar stresin, për t’u argëtuar. Ajo shton se alkooli, kanabisi dhe substanca të tjera psikoaktive shpesh konsiderohen një mjet për të shmangur ankthin dhe frikën që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen. Një tjetër motiv i konsumimit te të rinjtë është edhe për arsye të lënies pas dore nga ana e prindërve, duke mos u dedikuar kohën e duhur pasi janë të zënë me punë, prindër neglizhentë etj. Lekli jep disa këshilla të vlefshme se si mund të parandalohet varësia nga substancat narkotike.




Si krijohet varësia nga substancat narkotike, alkooli apo antidepresante?
Sot është dita ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. Kjo ditë është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1987 për të kujtuar objektivat e përbashkëta të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së për të ndërmarrë masa të nevojshme për parandalimin e prodhimit, tregtimit ilegal dhe abuzimit, pasi substancat e tilla krijojnë varësi. Në fakt, kur flasim për varësi nuk i referohemi vetëm konsumit të drogës, por edhe konsumit të alkoolit, antidepresantëve, si dhe varësisë nga çrregullimet e sjelljes kompulsive siç mund të jenë: ludopatia apo lojërat e fatit, varësisë nga interneti, varësisë nga ushqimet, varësia e marrëdhënieve seksuale, varësia emotive etj.

Cilat janë simptomat kryesore që tregojnë se kjo varësi është përkeqësuar?
Zhvillimi dhe përkeqësimi i varësisë vjen atëherë kur individi humb kontrollin jo vetëm në përdorimin e substancave, por edhe në raporte familjare, shoqërore, pune etj. Konsumi dhe abuzimi i substancave psikoaktive është një fenomen, i cili karakterizon shoqërinë moderne dhe përdoret si një tentativë për të shmangur stresin e përditshëm. Kërkimet historike, antropologjike dhe etnologjike kanë treguar që manipulimi i koshiencës dhe alterimi i mënyrës së të menduarit dhe të perceptuarit ka qenë gjithnjë prezente në historikun e shoqërisë njerëzore e quajtur ndryshe psikotropizëm.

Mund të na shpjegoni në mënyrë më të detajuar se çfarë është psikotropizmi?
Psikotropizmi konsiderohet si produkt i evolucionit të sistemit nervoz së njeriut. Modifikimi i koshiencës jep stimuj të rinj dhe vjen nëpërmjet metodave dhe formave të ndryshme siç është ajo e hipnozës, autohipnozës, meditimit, muzikës. Por mbi të gjitha vjen edhe nga konsumi i drogës. Studime të ndryshme empirike kanë nxjerrë në pah se konsumi i drogës po bëhet gjithmonë e më tepër një problem serioz dhe kërcënues për shëndetin publik, për sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit e veçanërisht atyre të të rinjve.

Si paraqiten shifrat e përdoruesve të substancave narkotike në vendin tonë? Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara?
Ashtu si në shumë vende të tjera të botës, edhe në Shqipëri studime të ndryshme kanë nxjerrë në pah se ndërvarësitë e lartpërmendura më problematike është rritja e vazhdueshme e konsumimit të lëndëve narkotike nga grup-moshat e reja. Këta të fundit nisin përdorimin e drogës dhe alkoolit për shkak të kuriozitetit, për t’u ndjerë më mirë, për t’u çlodhur, për të minimizuar stresin, për t’u argëtuar, për të pasur një përvojë ndryshe nga përditshmëria e tyre, për të ndarë eksperienca me bashkëmoshatarët e tyre, ose për t’u ndjerë më të rritur.

Sa ndikon stresi në fillimin e konsumimit të këtyre substancave?
Jo pak herë konsumi nga të rinjtë, por jo vetëm, vjen si pasojë e ngjarjeve stresuese që prekin individin ose familjen, histori abuzimesh fizike, psikologjike, apo seksuale. Për këtë arsye alkooli, kanabisi dhe substanca të tjera psikoaktive shpesh konsiderohen një mjet për të shmangur ankthin dhe frikën që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen. Një tjetër motiv i konsumimit te të rinjtë është edhe për arsye të lënies pas dore nga ana e prindërve, duke mos u dedikuar kohën e duhur, pasi janë të zënë me punë, prindër neglizhentë etj.

Cilat janë risqet që u kanosen përdoruesve?
Përsa u përket rreziqeve që shkaktojnë varësitë, janë padyshim ato të shëndetit dhe sigurisë së individit, reduktimi i ndjeshëm i aftësisë së të menduarit, rreziku i aksidenteve rrugore, zvogëlimi i performancës ose braktisja e shkollës, zhvillimi i varësive të tjera njëkohësisht (më shumë se një substancë). Rreziqe këto që bëhen edhe më të rënda me kalimin e kohës, kur konsumi bëhet në moshë të vogël si nga substancat të ashtuquajturat droga të “rënda” (heroina, kokaina etj.), por edhe nga substancat që konsiderohen “të lehta” si kanabisi (për më tepër, më i përhapuri).
Siç e përmenda pak më lartë, të gjitha substancat psikoaktive ndikojnë në funksionimin e trurit, në veçanti të zonës prefrontale, e cila është përgjegjëse për vendimmarrjen, rregullimin e emocioneve dhe sjelljes, duke ndikuar negativisht në aftësi shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme siç është kujtesa, vëmendja dhe aftësi të njohurisë së përgjithshme. Duke qenë se këta të rinj janë ende në fazë zhvillimi, pasojat e konsumit janë edhe më serioze, duke penguar formimin dhe zhvillimin e tyre normalisht. Është e vështirë për të rinjtë të mendojnë se një përvojë e tillë mund të bëhet problem, i cili do ta shojetës.

Si mund t’i parandalojmë varësitë e sipërpërmendura?
Parandalimi i parë fillon nga prindërit dhe mësuesit, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në jetën e këtyre të rinjve. Ata duhet të përpiqen të vlerësojnë dhe të diskutojnë së bashku pasojat që sjell konsumi i drogës, në mënyrë që të ndryshojnë konceptin e rremë që kanë krijuar në mendjen e tyre. Është shumë e nevojshme që personat e rritur që janë pranë tyre të jenë të ndjeshëm ndaj çdo manifestimi fizik dhe emocional dhe të dinë të dëgjojnë gjuhën e këtyre të rinjve me shumë qetësi, në mënyrë që të krijohet besimi dhe të ndihen më të lirshëm në komunikim. Është e rëndësishme që nëpërmjet komunikimit të ndërtohen objektiva dhe projekte për një të ardhshme konstruktive dhe “të shëndetshme”, duke u përpjekur t’i bëjnë fëmijët përgjegjës dhe aktiv në ndryshimin e tyre. Përveç prezencës së prindërve dhe mësuesve, një rol të rëndësishëm zënë edhe figurat e profesionistëve siç janë ato të mjekëve dhe psikologëve, të cilët nëpërmjet programeve terapeutike të personalizura ndihmojnë si individin, edhe familjen në parandalimin relapsit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.