SPORT

Reja: Do shijoj verën e Dukës, Bulku dhe Salihi, engjëjt e mi mbrojtës

11:55 - 26.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Një trajner italian në krye të një kombëtareje të huaj bën gjithnjë bujë në Apenine, pasi kjo i bën ata të ndjehen krenarë me produktin e shkollës italiane të futbollit. Aq më shumë kur këtë herë bëhet fjalë për Edi Rejan, një emër i njohur i trajningut italian, i cili është përfaqësuar në nivelet më të larta me klubet e Serisë A. Gazeta e njohur italiane, “La Gazzetta Dello Sport”, i ka kushtuar atij një intervistë të gjatë duke e pyetur për këtë aventurë të re, si mbërriti te Shqipëria dhe çfarë pret në vijim nga kuqezinjtë. Tekniku 73-vjeçar, i cili nuk i fsheh ambiciet e tij edhe pse ka një kontratë edhe për 6 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, ndërsa zbulon paksa edhe vendin tonë për lexuesit italianë.




Cili është bilanci i dy ndeshjeve të para?
Jemi mundur në Islandë pa e merituar, ata kanë bërë vetëm një gjuajtje në portë duke shfrytëzuar një mendjelehtësi në mbrojtje. Pastaj mundëm Moldavinë, më kanë thënë se prej kohësh nuk shihej ekipi të luante kaq mirë. Skuadra ka rigjetur përsëri dëshirën për të luftuar dhe njerëzit ishin të kënaqur.

Po a nuk kishit vendosur që të tërhiqeshit?
Isha i lodhur duke stërvitur skuadra klubesh, pas Atalantës kisha refuzuar disa propozime interesante si Udineze, Benevento e Verona. Mund ta cilësoja veten të kënaqur, kam fituar shumë dhe në momente të ndryshme, rrallëherë nuk kam arritur të kap objektivat. Isha pranë pankinës së Sllovenisë, por më pas gjërat ndryshuan. Kur mbërriti telefonata e Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, e pranova menjëherë. Jam në formë, fiziku për momentin po e përballon.

Çfarë ju ka premtuar?
Që do të shijoj verën që prodhon në Durrës…

Keni firmosur për 6 ndeshje. Po pastaj?
Pas kualifikueseve do të shohim nëse ekzistojnë kushtet për të vazhduar.

Sa mundësi keni për të shkuar në Europian?
Do ta bëjmë provë, do të jetë e vështirë. Do të luajmë gjithçka në ndeshjen në Turqi.

Dosena, De Biazi, Panuçi, Reja: përse shqiptarëve u pëlqejnë kaq shumë trajnerët italianë?
Sepse e ndjejnë veten afër nesh dhe kuptojnë gjuhën tonë.

A po e mësoni shqipen?
Njoh mjaft mirë gjuhën sllovene dhe atë kroate dhe mendoja se do të ishte e mjaftueshme. Por nuk kuptohet asgjë. Për fat thuajse të gjithë lojtarët flasin italisht dhe kur nevojitet, më ndihmojnë Bulku e Salihi, dy ish-futbollistë të kombëtares. Janë dy engjëjt e mi mbrojtës.

Çfarë ka lënë pas De Biazi?
Ai cilësohet një heto pasi ka arritur objektivin e Europianit duke mundur në kualifikuese Francën e Portugalinë. Njerëzit nuk e kanë harruar.
Panuçi u paraqit keq…Nuk e njoh situatën, mendoj se kishte një qasje të gabuar ndaj ambientit.

A është e vërtetë se ju ka bindur kryeministri Rama?
Bindur jo, më ka telefonuar për të më pyetur nëse kisha dëshirë që të filloja këtë eksperiencë të re. Jemi njohur në Romë, kur ai kishte ardhur të shihte Lacio-Juve, është një tifoz bardhezi.

Çfarë vendi është Shqipëria?
Në rritje të madhe, Tirana është një qytet me gjallëri, i mbushur me kantiere ndërtimi, me kompani që krijohen, Shumë nga ata që ishin emigrantë, janë kthyer në vend dhe kontribuojnë për zhvillimin ekonomik.

Shqipëria e shqiptarëve…
Krenaria kombëtare i bashkohet pasionit për futbollin. Ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm, më kujton Napolin.

Në çfarë niveli është futbolli i tyre?
Mesatar, problemi është që lojtarët më të fortë luajnë jashtë. Nuk është e lehtë të bësh të bashkëjetojnë kultura dhe ide të ndryshme. Mes 25 lojtarëve që kam në grup, vetëm, 3 luajnë në vend. Megjithatë, impiantet janë mjaft moderne. Si qendra në Durrës ku stërvitet kombëtarja, si dhe stadiumi i ri që po lind në Tiranë. Një xhevahir, i ngjan “Juventus Stadium”.
Ndihmësi juaj është Porrini, ishit bashkë edhe te Atalanta…

Punoj shumë mirë me të dhe me Xhioxhio Febrari, përgatitësi im atletik historik.
Gasperini në Champions…

E drejtë, ai është një trajner i aftë dhe klubi është serioz dhe i organizuar.

A e keni zili?
Jo, përse? Edhe unë mendoj se kam lënë diçka te Atalanta si mentalitet dhe ide loje, në një moment u shitën Denis, Grasi e Maksi Morales dhe objektivat ndryshuan. Por u arritën dy mbijetesa të qeta.

Lacio vazhdon me Inzagin…
E drejtë, ka bërë mirë, por ka lojtarë me cili që ndoshta duhej të jepnin më shumë. Megjithatë, Kupa e Italisë është një fitore e rëndësishme.

A është Napoli gati për titullin?
Vetëm nëse arrijnë 3-4 përforcime të rëndësishme. Ançeloti i ka dhënë qetësi skuadrës, mund të përmirësohet.
Berisha është në pankinë te Atalanta, por është titullar në kombëtare…

E kam drejtuar te Lacio, e di se sa vlen. Këtë vit u penalizua nga ndonjë gabim, por nuk mund të vihet në diskutim, edhe për faktin se Strakosha do të jetë jashtë për një periudhë të gjatë për shkak dëmtimi.

Si luan Shqipëria?
Kam filluar me 3-5-2 dhe dy sulmues të mirëfilltë mes Sadikut, Çikalleshit, Balajt dhe Uzunit. Jam munduar edhe t’i jap më shumë qëndrueshmëri në mbrojtje.

Lojtarët më të fortë?
Janë ata që luajnë në Itali, si Hysaj dhe Veseli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.