DOSSIER

Kur qeveria e Iljaz Vrionit i fitoi zgjedhjet me shefa policie dhe duke i blerë votat me para

19:00 - 02.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi – Zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ministra që bëjnë presion ndaj zgjedhësve dhe japin para në këmbim të votës”, “Ministra që influencojnë për t’u zgjedhur deputetët ata që u shërbejnë atyre”, “Nënprefektë, shefa dhe komisarë policie që transferohen nga qeveria dhe lëvizin nga një zonë elektorale në një tjetër”, “zyrtarë të lartë të shtetit që akuzojnë njëri-tjetrin për marrje rryshfetesh”, “Funksionarë dhe zyrtarë të lartë administratës vendore që dërgohen në zona problematike për të ndikuar në votime në favor të kandidatëve për deputetë të qeverisë”, “Zyrtarë të lartë që u bëjnë presione vartësve të tyre për largime nga puna”, “Kryepleq të fshatrave të thella që kërcënojnë zgjedhësit me armë”, “Zgjedhës që nuk gjejnë emrat e tyre në listat e votimeve”, etj., etj. Të gjitha këto nuk janë pjesë nga akuzat që i ka bërë prej disa kohësh opozita e sotme e kryesuar nga Lulëzim Basha qeverisë së kryeministrit Edi Rama, kryesisht pas daljes së përgjimeve në qarkun e Durrësit dhe të Dibrës, të cilat u bënë publike nga gazeta gjermane “Bild”?! Jo, ato akuza dhe konstatime nuk kanë të bëjnë fare as me qeverinë Rama dhe as me opozitën e drejtuar nga Basha, por ato i përkasin zgjedhjeve të para parlamentare të zhvilluara në Shqipëri plot 98 vite të shkuara, në pranverën e 1921-it. Pra, duket se koha ka mbetur në vend dhe Shqipëria e shqiptarët qenkan “mallkuar” nga Zoti që edhe një shekull më pas të mos bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme?! Pasi e gjitha ajo që ka ndodhur me zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri në vitin 1921, ku e gjithë fushata elektorale dhe votimet e zgjedhjeve u përfshinë nga një varg parregullsish e manipulimesh të shumta nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit që kishin vënë kandidaturat e tyre për deputet, vazhdon përsëri edhe sot duke mos pasur asnjë ndryshim. Të gjitha ato parregullsi dhe presionet e ndryshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe që kryesohej prej Iljaz bej Vrionit, për të fituar votat me mënyra të paligjshme, gjetën një pasqyrim të madh në të gjithë shtypin e asaj kohe, ku disa prej gazetave kryesore që dilnin në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë etj., u vunë në opozitë me qeverinë duke denoncuar presionet e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të saj. Pjesa më e madhe e këtyre shkrime të botuara 98 vite të shkuara, që po i sjellim në kohë duke I publikuar ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare, nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të këtyre ditëve që lidhen me zgjedhjet parlamentare të mbajtura këto vitet e fundit në Shqipëri?!




Akuzat: Qeveria presione dhe dhunë në Durrës

Një nga gazetat që denoncoi manipulimet e qeverisë në fushatën zgjedhore ishte dhe gazeta “Koha” e cila në një nga numrat e saj të shkurtit 1921, botonte një letër të ardhur nga një qytetar i Durrësit ku jepej një pasqyrë e plotë mbi implikimin e dhunën që po ushtronte qeveria e Iljaz Bej Vrionit ndaj popullsisë së asaj Prefekture në mënyrë që kandidatët e saj të fitonin zgjedhjet. Midis të tjerash aty thuhej se Prefektura dhe nënprefektura e Durrësit merrnin urdhër mbas urdhri nga ana e Qeverisë së Iljaz Bej Vrionit që autoritetet e pushtetit lokal të mos përziheshin në zgjedhjet e Parlamentit, mirëpo në të vërtetë situata ishte krejt ndryshe nga sa flitej dhe se gjithë ato urdhra s’ ishin gjë tjetër veçse sa për t’i hedhur hi syve popullit. Si shembull aty jepej rasti i Klubit të Durrësit i cili prej gjashtë javësh donte të mbante një konferencë ku do të instruktohej populli për pjesëmarrjen e tij në zgjedhje dhe procedurat e votimeve, por ajo konferencë kishte dështuar pas ndërhyrjes së qeverisë dhe prefektit të Durrësit që u kishte bërë presione drejtuesve të Klubit të hiqnin dorë nga ideja e tyre. Lidhur me këto presione të qeverisë së Vrionit, në gazetën “Koha” midis të tjerash thuhej: “Tashti ka nja pak dit që Kllubi i mblodh për me bisedue mi kandidatët për zgjedhjet e dyta të deputetëvet. Ay shënoi njerëz që u besonte ma të ndershëm dhe nisi propagandën e vet mas ligjës e zakonit qi mbretnojn në çdo vënd të lirë. Por mas dy ditësh një urdhër i Ministrisë P. Mbrendëshme detyron kryetarin e Kllubit, Dr. Nekinë me shku në Tiranë përpara Ministrit edhe me e qortu e friksue me e hjekun nga puna”. Më tej në atë letër të botuar në gazetën “Koha” theksohej se ishte e turpëshme që kabineti i Iljaz Bej Vrionit merrej me të tilla presione, pasi ato mënyra veprimi në radhë të parë do të dëmtonin vetë atë qeveri e cila që në fillim kishte premtuar se do të ishte shumë liberale. Duke ironizuar funksionarët e lartë të qeverisë që nuk po linin gurë pa lëvizur në mënyrë që të mbeteshin përsëri në pushtet, ajo gazetë shkruante: “Ah karrike t’u thefshin kambët sa e amël je”.

“Denoncimet për blerje votash nga ministri Xhafer Ypi”

Denoncimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë që ishin implikuar në fushatën elektorale dhe procesin zgjedhor në atë letër jepeshin me emra konkret, si p.sh. anëtari i Këshillit të Lartë të Shtetit, Xhaferr Bej Ypi, për të cilin thuhej se; “E kishin njohur si një burrë të ndershëm dhe patriot që i njihte mirë ligjet e qeverisë dhe të drejtësisë, por me sjelljen e tij në ato zgjedhje ai kishte treguar të kundërtën”. Për veprimet e paligjshme të Ypit aty thuhej se: “A mund të ishte punë e ndershme për një ministër që të thërriste dhe t’ju bënte presione bashkëqytetarëve të tij vetëm pse ata nuk dëshironin t’ia jepnin votën atij. Në çfarë shkolle e në çfarë librash e kishte mësuar e lexuar Xhaferr Ypi atë veprim që kishte bërë dhe a mund të ndalohej një qytetar i thjeshtë që të çfaqte hapur mendimin e tij”?!. Prej këtyre gjërave theksohej në atë letër punët në Shqipëri po shkonin gjithmonë së prapthi dhe të drejtat e lira që kishte populli për të shprehur mendimin e tij, shkeleshin në mënyrën më flagrante nga ana e qeverisë. Për ministrin Xhaferr Ypi, në atë letër thuhej se: “Ai po influenconte me autoritetin e tij në mënyrë që në qytetin e Durrësit të zgjidheshin deputetë vetëm ata kandidatë që i shërbenin atij”. Më poshtë në atë letër theksohej se me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, disa ministra të kabinetit të Iljaz Vrionit kishin filluar të bënin transferimet të disa funksionarëve të administratës vendore dhe shefave të policisë, duke i dërguar ata nëpër zonat ku ata kishin vënë kandidaturat për deputetë me qëllim që ata t’i ndihmonin për të fituar zgjedhjet. Si shembull për ketë gjë aty jepej Nënprefekti dhe Komisari i Policisë së Krujës të cilët ishin transferuar në Peqin dhe Starovë të Pogradecit. Në mbyllje të asaj letre të botuar në gazetën “Koha” thuhej se për të gjitha ato manipulime që po bëheshin nga ana e qeverisë, populli i Durrësit do të organizonte një manifestim proteste përpara selisë së qeverisë në Tiranë.

Xhafer_Ypi_Tef_Currani_Ilias_Vrioni_Selaudin_Shkoza_Kristo_Floqi_nov_1920 Processed with VSCO with u3 preset 110BCA00-DE98-43E8-9BFF-595E398134B0 9A90543A-58A6-4D63-A8F0-59376F56A55C 230px-Iliaz_Vrioni 250px-Shefqet_Verlaci Parlamenti i pare
<
>
Processed with VSCO with u3 preset

Hil Mosi: “Nuk kam marrë para”

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 1921 nga kandidatë të ndryshëm për deputet pati dhe shumë akuza e kundërakuza ndaj njeri-tjetrit për marrje ryshfetesh. Njëri prej tyre ishte dhe Hil Mosi (Ministër i Arsimit në vitet ’30) që kishte vënë kandidaturën e tij në qytetin e Shkodrës, i cili akuzohej se kishte shitur për para interesat e zgjedhësve të zonës së tij. Pas këtyre akuzave ai u detyrua që të bënte një përgënjeshtrim në gazetën “Besa Shqyptare” të Shkodrës, e cila drejtohej nga i famshmi Dom Ndoc Nikaj. Në shkrimin e tij të botuar në atë gazetë, midis të tjerash Hil Mosi shkruante: “Prej disa miqëve të mi lajmënohem se disa ndër kundërshtarët e mi, të cilët e kanë si halë në sy të dalunit t’em deputet, tuj mos pas se çka me trillue kundra meje, janë tuj thanë se njaj, i cilli jam ba me anën e kundërshtarit qi mos bahet Shkodra kryeqytet (!!!) Atë akuzë Hil Mosi e quante shpifje të poshtër që paraqiste nivelin e ulët të atyre njerëzve që e kishin kurdisur dhe atyre që e besonin atë gjë. Sipas tij ato akuza ishin në kundërshtim të plotë me propagandën që ai kishte bërë që në fillim të fushatës me kandidatin tjetër për deputet të Shkodrës, Xhemal Naipi, propagandë e cila bëri që në Tiranë të hapeshin fjalë se Shkodra u kishte dhënë atyre një shumë të madhe të hollash që ata të luftonin për të bërë Shkodrën kryeqytet të Shqipërisë. Në fund të letrës së tij, Hil Mosi shkruante: “Armiqt duhen ta dinë ma mir se në kohën e zgjedhjeve kur të gjith miqtë më këshillojshin me ardh në Shkodër me ba propagandë për zgjedhje, unë ndeja e po rri larg tuj ja lan t’lir fushën kundërshtarit edhe ma me lehtësi, për me prit vullnetin e popullit”. Hil Mosi Tiranë 4 mars 1921.

“Xhandarët presione dhe
kërcënime ndaj zgjedhësve”

Në fushatën elektorale për zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921 shpallën kandidaturat e tyre dhe një pjesë e funksionarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe si prefektë, nënprefektë, ministra etj. Edhe pse qeveria e Sulejman Delvinës u angazhua se funksionarët e lartë të saj, ushtria, xhandarmëria, e administrata do të qëndronin sa më larg zgjedhjeve dhe nuk do përziheshin fare në to, pati shumë abuzime. Në disa prefektura dhe nënprefektura të vendit shumë funksionarë të administratës shtetërore dhe xhandarë e policë u implikuan në fushatën elektorale e procesin zgjedhor duke mbështetur kandidatët për deputet që mbanin poste të larta në qeveri. Lidhur me këtë në një prej editorialeve të saj të datës 19 shkurt 1921, gazeta “Koha” e Korçës në mes të tjerash shkruante: “Zgjedhje apo Emnime. Nuk po e di se fat i zi i Elbasanit asht a ç’ asht? qi të përdoret influenca e Qeverisë këtu në Elbasan sot kur janë duke u bërë zgjedhjet e reja. Na duke pas këndue në ato qarkore të bukra pa ansin e Qeveris qi dotë munte në zgjedhjet qi pobahen, kujtoshin se do dërgoshin në këshillën kombëtare ata njerëz që janë më të zotët e punës, ata njerës që mund do t’i shërbein këtij vëndi sikurse e kërkon nevoja por për fat të keq dualëm të gënjer. Qeverija këtu në Elbasan si një parti e veçantë nuk asht duke pran (pushuar së foluri) për të nxjerrë si deputet kandidaturët e saj. Nën shumë gjëra të tjera që rrëfejnë trazimin e qeverisë në zgjedhjet qi janë duke u ba, munt të përmëndet edhe ky aktivitet që asht bamë sheshasi pa pasun nën mënd se rrijmë n’ Evropë: Një farë Mustafa Bilishti nga Elbasani vete në nja katund (Bishqem) të Krrabës edhe si merr nga stacioni i gjindarmërisë së këtij katundi dy gjindarma (xhandarë) me vete, shëtit në disa katunde si në Pajun e Pajovë e tjer, duke këshilluar katundar e gjindarmë që ata të votojnë për atë e për këtë. E zgjedhmja e deputetëve asht një e drejtë e popullit në këtë punë dhe Qeveria konstitucionale qi asht, nuk ka të drejtë të trazohet aspak. Pra Qeverija qëndrore duke marrë parasysh randësinë e madhe që ka kjo punë e duke pas ndër mënd edhe rezultatet e damshëm të influencës së zhon Tyrkuet qi donin të bëshin monopoll parllamentin për intresin e tyre, duhet qi t’i ndajë këto paudhësina që janë duke ngjaj këtu e ndaj tër popullit të lir qi t’i zgjedh deputetët ma të zot e ma të mir se ndryshe në vënd të zgjedhjeve këtu n’ Elbasan, puna po del me emnime”.

“Kryeplaku i
fshatit Polis kërcënoi zgjedhësit me armë”

Në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, krahas shumë prefekturave ku u zhvilluan zgjedhje të qeta dhe pa probleme, pati edhe krahina të tjera ku ato u zhvilluan me parregullësi të shumta. Madje në disa qendra votimi të fshatrave të thella pati edhe konflikte ku u vunë në përdorim armët. Një nga këto konflikte ndodhi në fshatin Polis të Prefekturës së Elbasanit, ku ndërmjet dy fiseve të atij fshati gati sa nuk u shkaktua një gjakderdhje për shkak të votimeve. Lidhur me këtë ngjarje në numrin e saj të datës 4 mars 1921, midis të tjerash gazeta “Shkumini” e Elbasanit shkruante: “Zgjedhjet në Polis. Më 20 të këtij muaji komisjoni qe dërgue prej këndej për me bamë votimet në krahinën e Shpatit, shkoi në katundin Polis që asht qëndra e parë e asaj krahine edhe thirri popullin që të mblidhet në xhami. Atë ditë me që koha kish kalue, votoi mëhalla e Zenun Cekanit. Në nesëret, Dik Muzhaqi me parinë e vet (mbështetësit e vet. Shënimi ynë) afro 100 shpirtrish erth e që të votoj. Mirpo myhtari i katundit (kryeplaku) Jonuz Zharri, nuk erth ma në xhami dhe çoi fjalë që të mos hudhnin vota asnjë nga ata që ishin mbledhë për me votua, se ndryshe do t’u binte me pushkë, edhe kërkoi që të digjeshin votat e partisë së Cekanit pa u këndue fare. Dik Muzhaqi me partinë e tij thosh, se dje votuan ata, e sot do votojmë ne. Si e pa komisjoni se do të bahesh gjakderdhje, vendosi me i djeg votat dhe iku për me i bamë votimin qëndrës së dytë. Shtojmë se dy fiset, Cekani dhe Muzhaqi, janë përgjakë shoq me shoq e ndodhen në hasmëri”.

“Shefqet Bej
Vërlaci më shumë vota nga
kandidatët”

Zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, u konsideruan si një eveniment i madh historik nga qeveria e asaj kohe, e cila ndonëse bëri të gjitha përpjekjet që ato të zhvilloheshin sa më të qeta dhe pa probleme, nuk ja arriti qëllimit. Një nga qytetet ku ato zgjedhje u zhvilluan të rregullta dhe të qeta ishte qyteti i Elbasanit, ku autoritetet lokale të tij kishin marrë të gjitha masat e duhura për ta kthyer ditën e votimeve si në një ditë feste. Lidhur me këtë gazeta “Shkumini” e Elbasanit, midis të tjerash shkruante: “Votimi i deputatëve të Prefekturës s’ Elbasanit. Më 21 të këtij muaji më 3 e ½ allaturka, filloi votimi i këtushëm në Hotel “Kosova”. Në sallën e përgatitur ishin mbledhur: Këshilla e Katundaris, Këshilla Administrative, Trupi i Gjykatores, Inspektori i Zgjedhjevet, Rexhep Jella, zonjëzat e Kryqit të Kuq amerikan dhe drejtori i “Shkuminit” si përfaqësues i kësaj gazete. Policia e xhandarmëria kishin zan vënd përpara hotelit dhe kur vijshin zgjedhsat për me hyrë brenda, Drejtori i Policisë, z. Josif Skile dhe togerët z, Alush Kastrati dhe Sulejman Voshtina, i shikonin për armë. Votuesit e qytetit dhe ata të krahinës së Quksit, Mokër, Çermenikë, Gryk e Xaranikës, Shpat, Dumre e Krrab, bashkë me ta edhe banda muzikore e qytetit, qenë vendosë në kopsht të hotelit. Kur do të fillonte votimi, banda muzikore muer marshin e flamurit edhe kryetari i Komisjonit të votimit, z. Kasem Sejdini iu drejtue votuesave me këto fjalë patriotike: “Në mbledhjen e sotëme zotnia juej që jeni zgjedhës të dytë të qytetit edhe të krahinavet do të zgjidhen 8 deputatë të cilët për të parën herë në jetën politike të Shqipërisë do të marrin pjesë në Këshill e Kombit, n’atë këshill që me ligjet e saj do t’i siguroj lirimin, përparimin e drejtimin e bashkimit të Kombit”. Pas fjalëve të kryetarit filloi votimi pas rendit alfabetik të krahinavet edhe vazhdoi me një rregull e qetësi të jashtëzakonëshme. Më 6 e ½ ora allaturka u hap arka e votave edhe u ban formalitetet që urdhnon kanuni, si erth edhe përfundimi i votimit të nënprefekturavet, Peqin e Gramsh, u shpall zyrtarisht lista e deputatëve të zgjedhun. Përfaqësuesit e krahinës së Quksit, me sjelljen e tyre fisnike ban një përshtypje të mirë në zëmër të popullit. Qeveria me tejshkrimet që ka dërgue njeni mbas tjatrit, nuk do të njohi të drejtën Prefekturës tonë me pas 8 deputetë edhe kërkon të ketë vetëm 7″.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.