Kosova

Kosova ndalon të gjitha vizitat e zyrtarëve të Serbisë

10:23 - 05.07.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka vendosur masë ndalese për hyrje në territorin e Kosovës për të gjithë zyrtarët e institucioneve shtetërore të Serbisë. Kjo masë pasoi zhvillimet e ditëve të fundit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku me mbështetjen politike të Beogradit, autoritetet e atjeshme dhe tregtarët kishin mbyllur për dy ditë të gjitha dyqanet në shenjë proteste ndaj taksës 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vendosur të gjitha importeve nga Serbia.




Jetlir Zyberaj, shef i Kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkruar në Facebook, se Ministria Punëve të Jashtme e Kosovës nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi që ta vizitojë Kosovën, për shkak të kërcënimeve ndaj popullatës serbe në Kosovë, propagandës së vazhdueshme dhe përpjekjes së fundit për inskenim të krizës humanitare në komunat veriore.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve ‘fake’ (të rreme) ndaj vendit dhe qytetarëve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës, duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje, dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj.

Një koment të shkurtër në lidhje me masën e Qeverisë së Kosovës e ka bërë edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq. Ajo ka thënë se BE-ja pret që të dy palët t’i respektojnë marrëveshjet tashmë të nënshkruara në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, përfshirë edhe marrëveshjen për vizitat e zyrtarëve. Ajo ka thënë se Brukseli është në kontakt me palët (Prishtinën dhe Beogradin) në lidhje me këtë vendim.

Përderisa ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë, paraqet “shuplakë për BE-në”.

“Vendimi është edhe një shuplakë, jo Beogradit, por në radhë të parë Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare e cila po hesht me turp për shkeljen e të gjitha normave civilizuese që po e bëjnë Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi”, ka thënë Daçiq, për mediat në Beograd.

Edhe deputeti i Kuvendit të Serbisë, Miroslav Lazanski, i cili është anëtarë i partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tha për Radion Evropa e Lirë, se Serbia ka një spektër të gjerë të masave të reciprocitetit, me të cilat mund t’i përgjigjet “veprimeve të Prishtinës”.

“Ky veprim i Prishtinës (që t’i ndalojë vizitat e zyrtarëve nga Serbia), paraqet një fazë rëndese të përkeqësimit të raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Serbia mund të kundërpërgjigjet me veprime reciprociteti, që zyrtarëve me dokumente të Kosovës t’ua pamundësojë të kalojnë përmes territorit të Serbisë”, ka thënë deputeti i Partisë Përparimtare Serbe, Lazanski.

Sipas tij, kjo ndalesë është paralajmërim që vazhdimi i dialogut ndërmjet dy vendeve, nuk mund të ndodhë shpejt.

“Veprimi i Prishtinës nuk është një veprim që paralajmëron vazhdimin e shpejtë të dialogut. A do të thotë tash kjo që edhe personat që punojnë në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë, a do të thotë kjo që as përfaqësuesit e Kishës Ortodokse nuk do të mund të hyjnë, ngase edhe ata janë zyrtarë?”, është shprehur Lazanski./REL

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.