Kosova

“Ftesa denigruese”, Thaçi: Kosova s’do të marrë pjesë në samitin në Sarajevë

16:16 - 06.07.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njofton se Kosova nuk do të marrë pjesë në samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që do të mbahet më 8 korrik në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.




Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se arsyeja e mospjesëmarrjes është “ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim”.

“Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush. HTH”, ka shkruar Thaçi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.