MILOSAO

Prozë/ Klithma

22:14 - 07.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Matanë rrugës u dëgjua një klithmë.Vinte e zbrazët, e pajetë, fshikulluese.Nuk e di në ato pak njerëz që ndodheshin aty rrotull e dëgjuan, por nëçast pashë një fëmijë që shtrëngoi të ëmën fort për dore.
Më duket se ishte hera e parë që dëgjoja një të këtillë klithmë. E ç’rëndësi kishte kjo! Mirëpo, tani klithma po më ftonte ta ndiqja. Po më ftonte ta ndiqja drejt shtigjeve ku ajo formësohej e pastaj zbriste herë rrëmbyshëm e herë qetësisht, me një qetësi dinake, vjedharake biles.
“Do e ndjek”, mendova me vete.




“Pse, kujton ti, se po s’e ndoqe ajo s’do të të ndjekë ty?”, sikur më tha një zë prapa veshëve.
Që nga ky çast, s’e mbaj mend kush e ndoqi njëra – tjetrën, unë apo klithma.
Por më kujtohet se për një kohë të gjatë i pata ndier tingujt e saj. Tani m’u kujtua. Atë klithmën e matanë rrugës, që ma bënte me sy po e ndiqja unë, por edhe po të mos e ndiqja ajo do të orkestronte repertorin e saj para veshëve të mi, më shumë se moskokëçarëse, ndjellëse. Unë vazhdoja ta ndiqja këmba – këmbës. Nuk ishte se ajo vraponte larg, tutje horizonteve matanë tyre. Përkundrazi, ajo sillej rreth e rrotull ca pemëve zgavërngrëna, u zhvishte ato pak gjethe që u kishin mbetur dhe pastaj kur unë mendoja se ishte larguar, ajo më fishkëllente në veshë. Ishte si një lojë kukafshehtas. Vazhdimisht e vrisja mendjen se cila mund të ishte ajo klithmë, kë donte të më kujtonte, por asnjëherë nuk doja të mendoja se ajo ishte thjesht një qorrsokak i imagjinatës sime. Edhe po të doja të mendoja kështu, ajo nuk më linte, më tërhiqte veshin me zërin e saj gërryes.
Një ditë më ra t’i bie sërish nga rruga ku unë për herë të parë dëgjova klithmën ose të paktën kështu mendoja.
Nuk isha e vetme kësaj here në rrugë.
Matanë saj çapiste një e moshuar, ndërsa pak para meje një çift rreth të dyzetave ecte duke qeshur. E qeshura e tyre më kishte ndarë nga bota. Më dukej se vetëm hahahatë e çiftit më vinin në vesh. Në një çast e moshuara mori një kthesë të fuqishme, kënddrejtë.
“Mos po ndjek klithmën?”, mendova me vete dhe sado që përpiqesha të dëgjoja ndonjë notë të saj, nuk mundesha. E qeshura e çiftit ishte bërë edhe më e pushtetshme, i kishte vënë kapakun kupës së qiellit.
Si dukej çifti as që e kish vënë re të moshuarën.
“Ta ndjek vetë një herë të gjorën”, desha të mendoj por nuk e mendova.
Një ngërdheshje ironizuese ndaj vetes m’u shkarravit në fytyrë. Ndërsa, e qeshura e çiftit vazhdonte të mbretëronte në tej – këtu. Më duket se mbajta një minutë heshtje.
Pakëz më vonë me gajasjen e çlirët të çiftit.
“Do kem kohë të ndjek dhe klithmën”, fola me vete.
Por që atëherë s’e kam dëgjuar më.
Mbase, kushedi se kujt po i avitet.

4 nëntor 2006


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.