BLUETOOTH

Klodian Hoxha: “Balkan blood” ma bëri më të lehtë debutimin jashtë, ju tregoj të veçantën e projekteve të fundit

19:00 - 09.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Filmi apo teatri? Të dyja kanë magjinë e tyre dhe me të dyja ai ndihet i plotësuar. Në një kthim pas në kohë do të shohim role të realizuara me dashuri e përkushtim. Gjithandej i përfolur për filmin “Balkan blood”, që është pritur mjaft mirë nga shqiptarët dhe shikuesit kinezë. Besojmë se e kuptuat që bëhet fjalë për aktorin Klodian Hoxha. Ajo që vëmë re është thjeshtësia edhe pse suksesi e ka përqafuar fortë në profesion. Për “Gazeta shqiptare”, aktori vjen në një rrëfim për rolet në teatër dhe filma, për dyert që po i hapen jashtë, projektet e reja, si dhe detaje të tjera që nuk i dinim për jetën përtej punës.




Hoxha e ka shijuar çdo personazh sikur të mos ishte nën petkun e tij, por sikur të ishte ai vetë. Aktori nuk harron të bëj një vrap të shpejtë për të na treguar të veçantat e tyre e për të ndalur më gjatë te filmi “Balkan blood” që është pëlqyer shumë. Për të nuk ka pasur skena të vështira edhe pse bëhet fjalë për një film të zhanrit aksion. Duket se shumë shpejt ai do debutojë edhe jashtë për të marrë atë që meriton. Projekte të reja dhe premiera që priten të dalin, për të vijuar pastaj me jetën përtej profesionit. Klodiani ngelet po ai personi korrekt, popullor dhe që ka shoqëri. Përshtypja e parë që krijojnë për të njerëzit është e gabuar. Ashtu si dhe në punë ai pikaset për shpirtin e lirë dhe për zemrëne bardhë. Më tej, aktori na zbulon se në verë do kalojë disa ditë në jug, për t’u përveshur pastaj punës për një fundvit tepër të ngarkuar.

Tek komedia ‘Zbutja e kryeneçes’ cila ka qenë e veçanta e rolit tuaj?
Më pëlqen shumë kjo pyetje, pasi është një ndër pyetjet që aktori i bënë vetes, kur merr një rol. Çdo rol është i ndryshëm nga tjetri. Në fillim për ne është i panjohur, po duke e studiuar dhe duke e analizuar atë gjejmë shumë faktorë dhe elementë të veçantë, që ai mbart në vetvete. Për shembull tek shfaqja “Zbutja e kryeneçes” kisha rolin e Hortencios. E veçanta e tij ishte se bënte dy karaktere të ndryshëm që të binte në sy të Biankës, që aq shumë e dashuronte. Problem ishte që paaftësia e tij në marrëdhënie me femrat kishte një hendek të madh pavarësisht se kishte para. Kështu ai fut në lojë mikun e tij Petucio për t’ia arritur qëllimit, megjithatë përsëri nuk ja arrin të martohet me Biankën. Është një rol karizmatik dhe shumë i dashur për mua, të cilin shpresoj ta kem realizuar.

65941233_339439176970503_7183411275907465216_n 66336571_708017372965728_2250088286397661184_n 65933929_2426508967586105_2518618901693071360_n 66152277_1627161040750175_7931624531972587520_n 66092327_2264489030484638_8003790848812646400_n
<
>

Mesazhi që vinte në formën e një kërkese ishte ‘Zbuteni zemërimin, nuk na duhet krenaria’. Po ju sa krenar jeni? Bëni hapa pas kur keni gabuar diku?
Për mendimin tim krenaria është ajo që e përfaqëson një individ. Mund të them që krenaria është një virtyt i paçmueshëm, që njeriu ka, të paktën unë kështu e shoh. Që të jesh krenar nuk do të thotë që nuk bënë gabime. Sa i përket hapave mbrapa unë s’para i mendoj ç’kam bërë, por shoh gjithmonë përpara. Në fakt, kam arritur të mësoj nga e kaluar ime, pastaj çdo gabim është një mësim shumë i mirë.

Lidhur me rolin tuaj në shfaqjen ‘Rroftë mbreti, vdiq mbreti’, Ç’mund të na thoni ? Sa shpesh e ndeshim Çeskun në përditshmëri?
Çesku ishte ai rol, ku secili prej nesh gjen veten. Dua të them njeriu i ndershëm, kokulur, punëtor me pak fjalë populli që gjithmonë e ngre zërin dhe flet, megjithëse askush nuk e dëgjon ose e dëgjojnë sipas interesave të veta. Ishte një rol shumë i bukur, e kam dashuruar.

Kanë qenë rastësi rolet tuaja të fundit në teatër apo keni zgjedhur vetë komedinë?

Jo kanë qenë rastësi, thjeshtë më ka pëlqyer pjesa dhe roli e kam bashkëpunuar. Pastaj unë jam aktor, që edhe dramën e pëlqej shumë, por varet nga kërkesat e institucionit, pjesët që çojnë regjisorët. Kështu dua të them se nuk varet nga aktorët përzgjedhja e pjesëve.
‘Balkan blood’ një film aksion. Si ishte ky bashkëpunim me kinezët?
Besoj se ka qenë shumë i frytshëm. Mendoj se ky ishte një gur shumë i rëndësishëm për ato që do të vijnë pas. Filmi është i zhanrit aksion. Është pritur shumë mirë nga publiku i të dyja palëve, si ata kinezë, po ashtu edhe ata shqiptarë. Bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe kemi mësuar shumë nga kjo eksperiencë. Duke qenë se zhanrin e aksionit nuk e kemi edhe aq të zhvilluar në Shqipëri mendoj se ne ia kemi arritur të përshtatemi mirë. Shpresoj të vazhdoj ky bashkëpunim edhe në të ardhmen, pasi është diçka shumë e mirë për komunitetin tonë.

Skena më e vështirë për t’u realizuar?
Për mua kanë qenë komode dhe nuk e kam pasur të vështirë, të përshtatem. Të them të drejtën nuk është se kam pas ndonjë skenë të vështirë, po mbase tek “Balkan Blood 2” mund të kem më shumë të tilla.

Pas pjesëmarrjes në film ju kanë ofruar të luani përtej kufijve?
Po është e vërtet kam pasur disa diskutime me agjencinë e projektit “Balkan Blood” dhe jemi duke parë disa mundësi bashkëpunimi në Kinë. Po i shohim me kujdes dhe mbase në një të ardhme të afërt ndoshta mund të shpërngulem për disa kohë në Kinë, por për momentin do presim mundësinë e duhur. Kaq mund të them për momentin, por duket se ka gjëra të mira në horizont.

Cila është ajo gjë që njerëzit pikasin tek ju sapo ju njohin?
Të qenit njeri i thjeshtë dhe popullor, sepse në pamje të parë njerëzit shohin tek unë një njeri të egër nga luku natyrisht, dhe ju dukem shumë i vështirë për të hyrë në bisedë. Më pas shohin që jam një person krejtësisht e kundërta me atë që kanë menduar. Jam shumë miqësor dhe shumë popullor.

Thashethemi më i çuditshëm që ke dëgjuar për veten?
Thashethemi më i çuditshëm është që kanë thënë është se unë paskam hequr dorë nga aktrimi, por që nga ai moment i jam përveshur punës shumë seriozisht edhe po dal me tri premiera.(qesh)Është e çuditshme, por ndodhin edhe nga këto gjëra në fushën tonë për të eliminuar sa më shumë konkurrentë.

E veçanta e një dite të zakonshme?
Ka plot gjëra të veçanta, por që ndodhin natyrshëm se po t’i them pastaj nuk janë të veçanta i bie të jetë rutinë. Unë e plotësoj ditën në mënyrën më të mirë të mundshme duke e kaluar me familjen, shoqërinë, punën. Në kohën e lirë merrem edhe me aktivitet fizik, pasi është gjëja kryesore për një aktor. Duhet të jemi gjithmonë në gatishmëri, sepse puna jonë përveç pamjes së parë, që është e të dhuruarit kënaqësi ka edhe shumë lodhje për të arritur atje ku duhet. Kështu që duhet të jemi gati për çdo gjë, kurdoherë. Unë shoh shumë filma. Kjo është rutina ime, kurse e veçanta duhet të jetë diku aty, mes gjërave që përmenda.

Projekte të reja, kur do të vijnë për publikun?
Së shpejti del edhe premiera e radhës e filmit “Internment”. Pas saj pres edhe një premier tjetër të filmit “Njeriu me këmishë”, kjo sa i përket premierave, ndërsa sa i përket roleve të rinj filloj së shpejti xhirimet në një rol të ri, që është një produksion amerikan, të cilin mezi po pres ta filloj. Kam një rol interesant, që nuk e kam bërë më parë dhe kam punuar shumë për të sjell këtë figurë të re. Jam në diskutime për disa punë të tjera, por që për momentin nuk dua ti bëjë me dije për publikun, por së shpejti do prononcohem.

Ku do i kaloni pushimet?
Me thënë të drejtën më kanë dal pak nga parashikimet dhe nuk është se e kam menduar duke qenë se e kam pasur të ngarkuar shumë axhendën. Nuk kam bërë ndonjë plan, por pasi të mbaroj xhirimet mbase iki në Jug për disa ditë për t’u rikthyer për një fundvit të ngarkuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.