Sociale

Projekti i Ministrisë së Turizmit: Promovimi i produkteve turistike të Shqipërisë

11:52 - 09.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Së shpejti vendi ynë do jetë pjesë e një “fushate marketingu”, realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Ky projekt do të ketë si qëllim të përcjellë atraksionet turistike shqiptare aty ku duhet.
Promovimi
Strategjia e promovimit të Shqipërisë do të ketë në fokusin e saj kryesor, produktet autentike shqiptare, rijetëzimin e miteve, historive, që do t’u shërbejnë organizatave promovuese për të rimodeluar një “fabul” për Shqipërinë turistike. Ndërkohë, përmes mënyrave të ndryshme të marketingut do të evidentohen target-grupet dhe llojet e turistëve që do të duhet të njihen me potencialet e Shqipërisë.
Produkti turistik
“Produktet turistike (ose ofertat turistike) të Shqipërisë mund të jenë tepër të larmishme duke filluar që nga destinacionet, vlerat historike dhe kulturore e deri te prodhimet artizanale, ushqimet dhe pijet karakteristike etj. Këto produkte do të promovohen vazhdimisht jo vetëm përgjatë sezonit veror, por gjatë të gjitha stinëve të vitit, duke synuar njëkohësisht edhe audienca specifike. Do të synohet ngritja e një strukture pranë përfaqësive tona diplomatike, si edhe përdorimi sa më efektiv i kanaleve të tjera të promovimit”, – bën me dije Agjencia Kombëtare e Turizmit në dokumentet e projektit.
Marketingu
Ndërkohë, marketingu nëpërmjet fushatës “online” do të rrisë trafikun në ‘website’-in zyrtar që do të krijohet posaçërisht për turizmin shqiptar, nëpërmjet “pagesave për klikim” në “Google”.




Gjithashtu, paketat promocionale që promovojnë vendin do t’u jepen si “dhuratë” delegacioneve të huaja vizituese të Shqipërisë, ose në panaire të ndryshme të botës. “Shqipëria duhet të promovohet gjerësisht në komunitetin ndërkombëtar, si një destinacion i denjë për të konkurruar barabartë në tregun global të turizmit. Rrjedhimisht pozicionimi i Shqipërisë në këtë treg do të bazohet mbi dy shtylla zhvillimi: Qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërhyrjeve dhe investimeve publike për ta kthyer ekonominë turistike të vendit në një atraksion për turistët, në një vend më të mirë për të jetuar si dhe në një potencial më përfitues për sipërmarrjet në fushën e turizmit. Mbrojtjen dhe zhvillimin e rregullt të gjeohapësirave në respekt të natyrës, ekosistemeve, zhvillimit demografik dhe urban në të gjitha zonat me potencial zhvillimin e turizmit”, – thuhet në Strategjinë Kombëtare të Turizmit për vitin 2019-2023.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.