OPINION

Quo vadis opozitë?

07:30 - 09.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ku po shkon opozita reale e vendit tim? Që sot ndodhesh në rrugë (në tokën e askujt), për vetë zgjedhjen tende? E braktisur nga ndërkombëtarët. E përqeshur keqazi nga një pushtet arrogant që duket sikur i ka fituar të gjitha. E lodhur nga afro gjashtë muaj protesta pa pushim, shumica me dhunë brenda. E zhgënjyer nga ajo që shpresoje të arrije dhe që nuk arrite, në këtë rrugëtim të pashoq nga asnjë opozitë evropiane e 80 viteve të fundit. E tunduar fort për t’iu rikthyer përdorimit të pakëz dhunë. Si një karburant magjik që mbush bateritë e zbrazura të militantëve të raskapitur. Bëre shumë mirë që thirre një protestë të re. Bëre një kryevepër që protestën e mbrëmshme e deklarove dhe ia dole ta realizosh pa dhunë. Mungesa e dhunës të bën më të fortë. Më tërheqëse për qytetarët. Tani ata kanë mundësi të identifikohen me ty. Më parë e kishin të vështirë, pasi ngjaje me një detashment sulmi mbi institucionet publike të rëndësisë së parë(kryeministrinë dhe kuvendin).




Arrite, duke deklaruar që më parë se do ta kishe të paqtë këtë revoltë, që të mbledhësh njerëz në bulevard. Në mes të një vape të pamundur, me një të tretën e popullsisë që u është turrur plazheve(ata që ua mban xhepi). Duke zgjedhur formën paqësore të protestës, praktikisht vendose të ardhmen tënde. Pse ndodheshe dhe madje ende qëndron në një udhëkryq të rrezikshëm. Asnjëherë asnjë opozitë e pluralizmit shqiptar të këtyre 29 viteve, nuk është vetëkatapultuar në një tokë të tillë të askujt. E papërfaqësuar. Që nuk po gjen dot më ku janë të 475 mijë votuesit që i dhanë votën dhe shpresën dy vjet më parë. E pakuptuar dhe e nënvlerësuar nga të gjitha kancelaritë perëndimore. Që nuk ka më ndër duar forcën e gjëmës së mosbindjes civile, pasi tetë ditë më parë ajo minë me sahat nuk u ndez. Ndoshta nuk e kërkoi vetë dhe të bën nder të jashtëzakonshëm, opozitë, kjo aftësi që pate në momentin e fundit, për t’i shmangur vendit një përballje të frikshme. Duke mos yshtur militantët në qendrat e votimit. Duke bërë thirrje për rezistencë paqësore nga larg. Por tani ndodhesh pa asnjë aleat. Aleat të përhershëm ke pakënaqësinë popullore nga fajet e qeverisjes së sotme. Por që në këto gati gjashtë muaj protesta nuk dite ta bësh për vete. Me gabimin e pafalshëm të provokimit të një dhune të telekomanduar. Tani ke përpara vetëm një mundësi. Të gjesh frymën opozitare, që e kishe me çadrën dy vjet më parë, kur deklarove se nuk do të merrje pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Por që e humbe nga magjistrica e fitimit të pushtetit në tavolinë. Tani të duhen vetëm ide opozitare. Jo më ato të stërlakuarat dhe të bëra tejet bajate të qeverisë së krimit(jo e gjithë qeveria mund të jetë kriminele në një vend evropian!), apo të blerjes masive të votave. Kjo qeveri i provoi të gjitha për të ndikuar tek vota e njerëzve të thjeshtë, nëpërmjet agallarëve të saj vendorë.

Sikurse edhe ti kur ishe në fuqi e ke bërë përpara kësaj qeverie të njëjtën gjë. Prandaj nuk ka moral kjo kauzë. Tek njerëzit e pakënaqur(ata qindra mijërat që nuk t’u bashkuan në rrugë këto gjashtë muaj) nuk ngjisin këto. Të duhen të tjera fjalë, programe dhe ide për të sjellë frymën opozitare. Për të bindur ata dhjetëra mijëra(ndoshta dhe shumë më tepër) të pakënaqurit e qeverisjes së sotme. Që nuk i ke sot me vete. Por që mund t’i fitosh ngadalë në kauzën tënde, nëse provon me durim e këmbëngulje të jesh vetëm dhe thjesht paqësore në rezistencën tënde. Në një rezistencë të gjatë, që nuk merr asnjëherë formën e shantazhit të momentit për pushtet në tavolinë. Në protestat e tua të ardhshme. Po ashtu edhe mbështetësve të tu duhet t’u japësh mesazhe inkurajuese. Pse sot janë tejet të zhgënjyer dhe zemërlënë pas cunamit të 30 qershorit, njëlloj sikurse je edhe ti. Duhet t’u tregosh se je një opozitë që di të kthehesh në llogoren e rezistencës. Por vetëm atë paqësore. Një lloj gandizmi të ri në zemër të Europës. Mahatma Gandi i solli lirinë vendit të tij, Indisë me një përballje të jashtëzakonshme dhe të gjatë disa dekada, tërësisht paqësore. Ti duhet t’u tregosh jo vetëm mbështetësve të tu, por edhe të gjithë të pakënaqurve të qeverisjes së sotme, se je gati t’i hysh detit me këmbë dhe në këto dy vjet të ndërtosh frymën opozitare që të bind për forcën e ndryshimit që ke brenda vetes. Ke një përzierje shpërthyese për të mbrujtur kauzën tënde. Reformën e thellë në procesin zgjedhor dhe përfaqësimit politik, si dhe betejën për mos kapjen më të shtetit nga oligarkët. Nëse beson në këto dy të mira publike. Nëse do t’i përdorësh këto dy kauza thjesht për të gënjyer të pakënaqurit që të të votojnë dy vjet më vonë që të marrësh pushtetin, më mirë as mos e merr fare mundimin. Duhet ta bësh mendjen top se çfarë do realisht të bësh në këto dy vjet, opozita reale e vendit tim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.