AKTUALITET

Persida Asllani “Mes ujit dhe zjarrit”, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare lë detyrën pas 5 vitesh

14:00 - 11.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – E pat nisur detyrën me çeljen e ekspozitës “Katolicizëm dhe kulturë” e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Ne çelje merrte pjesë ministrja e Kulturës në atë kohë dhe kryeministri, ende në detyrë. I njëjti, 5 vite më vonë, ka firmosur lirimin e saj nga detyra. Prej dje, Persida Asllani nuk është më drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare.




Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës ka shkarkuar nga detyra në mbledhjen e djeshme. Ajo u emërua në gusht të vitit 2014 në vendin e Aurel Plasarit.
Zyrtarisht Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare përmes një njoftimi të shkurtër thanë se, “Persida Asllani ka kërkuar lirimin nga detyra e drejtores së Bibliotekës Kombëtare për arsye të vendimit të saj për t’u rikthyer në karrierën universitare, në përfundim të afatit ligjor që parashikon Ligji i Arsimi të Lartë dhe aktet e tij nënligjore për mundësinë e ruajtjes së vendit të punës në Institucionet e Arsimit të Lartë, për një periudhë maksimale prej 5 vjetësh dhe pa mundësi përsëritjeje”. Sipas të njëjtit njoftim, karriera e saj universitare ka zënë fill në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës, me emërimin si pedagoge në Departamentin e Letërsisë dhe e vetmja shkëputje prej saj ndodhi para 5 vjetësh kur iu besua drejtimi i Bibliotekës Kombëtare, detyrë që e pranoi me shumë nderim e përkushtim, në shërbim të këtij institucioni si dhe të Rrjetit Kombëtar të Bibliotekave dhe të jetës së librit në përgjithësi në Shqipëri dhe më gjerë.

Po cilat qenë gjurmët që la studiuesja e letërsisë në krye të BKSH-së? Natyra e tërhequr, daljet e pakta mediatike bënë që ajo të ruante një profil të ulët publik. E megjithatë, në disa prej tyre ajo theksoi se, “Biblioteka nuk është në standardet e duhura. Zgjidhja afatgjatë do të ishte një bibliotekë e re. Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të mendojë për një vendim shumë të rëndësishëm për një bibliotekë për qytetin. Situata e rëndë ku është lënë trashëgimia është përgjegjësi e të gjithëve”.
Vetë BKSH pat pranuar në një përgjigje kërkese për informacion, se “Për vitet 2015-2018″ Biblioteka Kombëtare nuk ka pasur fonde në artikullin 231 të buxhetit (rikonstruksione/ mirëmbajtje objektesh), për rrjedhojë nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi”.
Një vit më parë, më 23 qershor të vitit 2018, Biblioteka Kombëtare u përmbyt. “Numri i njësive të prekura nga lagështira është 12 mijë. 75% janë tharë, po punohet për pjesën e mbetur. Natyra e teksteve të lagura është e 15 viteve të fundit, libra shkollorë, letërsi, të cilat për shkak të mungesave të hapësirë nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve”, qe shprehur ajo.

Gjatë pesë viteve në detyrë, kërkesat e Asllanit për më shumë hapësirë, për kushte të ruajtjes së librave dhe godinë të rikonstruktuar/ a të re, mbetën vetëm kërkesa.
Në pesë vite, në BK u mbajtën disa konferenca letrare, disa seminare “Përthyerje antropologjike”, takime leximi, promovime librash, disa ekspozita “in memoriam” dhe si pjesë e fushatës kombëtare të leximit “Takohemi për një libër” u prezantua botimi anastatik në tri vëllime “Musine Kokalari: vepra të zgjedhura” përgatitur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës.
Por, lajmet e këqija mbahen mend më gjatë se të mirat. Dhe për fat të keq, gjatë drejtimit të Asllanit, Biblioteka u bë lajm kombëtar për të keq.
ZJARR
Rreth orës 10:40 të paradites të së mërkurës së 15 marsit 2017, në katin e tretë të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare është sinjalizuar një vatër zjarri. Pas sinjalizimit përmes sistemit elektronik dhe atij të sigurisë së mbrojtjes nga zjarri, shërbimi i zjarrfikësve, Policia e Shtetit dhe Emergjencave Civile e Shëndetësore mbërritën në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Në një dalje për mediat, atëkohë, Asllani la të kuptohet se janë djegur libra, të cilët janë të rikuperueshëm, ndërsa tha se nuk është prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-s.
Sipas repartit të zjarrfikëses, zjarri është favorizuar pasi ky kat i nëndheshëm lidhet me disa tunele, të cilat e përhapin flakën.
Pavarësisht masave të ndërmarra, gjendja aktuale e hapësirave të Fondeve të BKSH-së mbetet kritike, duke pasqyruar në mënyrën më të mprehtë një krizë hapësirash të shfaqur qysh në vitet ’80. Mbështetur në protokollet e punës tekniko-profesionale, rezultuan të asgjësuara nga zjarri: 748 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të gazetave), 273 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të revistave), 34 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj/fjalorë), 100 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj), 2.053 njësi bibliotekare (Fondi i librit shqip) Totali: 3.308 njësi bibliotekare.

DHE UJË
Biblioteka Kombëtare njoftoi se në orët e para të datës 23 qershor 2018, mbas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulëta të sallës. Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura, me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.
Biblioteka Kombëtare theksoi se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe arkivi i librit e i periodikut shqip. Numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Sipas njoftimit, mbizotëronin tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese, nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale. “Zgjidhja e vetme do të ishte një vizion shumë i qartë dhe jo më hezitues. Imediate është marrja e vendimit për ndërtimin e një Biblioteke të re Kombëtare. Ndërtimi i një biblioteke të re do të lejonte përllogaritjen që në projekt të të gjitha parametrave të nevojshme që duhen për një Bibliotekë Kombëtare. Paralelisht me këtë ka ardhur koha që funksionet e Bibliotekës Kombëtare të ndahen nga funksionet publike të Bibliotekës së Tiranës. Kryeqyteti ka nevojë, që për 1 milion banorët e tij, të ketë një biblioteke të vetën”, qe shprehur Persida Asllani.

Pas kësaj ngjarjeje, kryeministri premtoi godinë të re. Ndërtimi i godinës së re është premtuar të realizohet prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës në mandatin e dytë në drejtim të kryeqytetit. Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare pranë zonës ku sot ndodhet Garda e Republikës u pa pozitivisht nga drejtoresha e këtij institucioni, Persida Asllani. “Ndërtimi i godinës së re është premtuar të realizohet prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës në mandatin e dytë në drejtim të kryeqytetit”, qe shprehur Asllani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.