AKTUALITET

Paketa “antishpifje”, OSBE: Masë ekstreme kundrejt lirisë së shprehjes

18:15 - 12.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Paketa “antishpifje” që miratoi qeveria javën e shkuar ka marrë dje një goditje të fortë nga faktori ndërkombëtar që asiston vendin tonë në forcimin e institucioneve dhe demo-kracisë. Bashkimi Europian dhe OSBE kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me parashikimet që bën kjo paketë dhe në mënyrë të veçantë për pezullimin e lajmeve online dhe mbylljen e portaleve apo webeve të ndryshme.




Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir publikoi dje një raport ligjor si analizë ndaj nismave ligjore të ndërmarra nga qeveria, duke theksuar në mënyrë të veçantë se bllokimi i publikimeve dhe pezullimi i portaleve është një masë ekstreme nga ana e shtetit shqiptar. Në deklaratën që shoqëron këtë analizë nënvizohet se pavarësisht përmirësimeve të dukshme që kanë pësuar këto drafte krahasuar me versionet e mëparshme, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjeve. Përfaqësuesi theksoi se është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend.

“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimi gjatë hartimit të këtij legjislacioni. Zyra e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet që çuan në përmirësime të shumta, megjithatë, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit, – tha Désir. Në mënyrë konkrete ai evidentoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”. Përfaqësuesi, gjithashtu, bëri të ditur se duhet të krijohet një mekanizëm i duhur i apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit si mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale dhe se kompetencat e AMA-s nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja. Më tej duke iu referuar analizës ligjore ai tha se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Përfaqësuesi i OSBE kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen. Ai vuri në dukje se kompetencat e AMA-s lidhur me bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt. “Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi të madhe që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të medias”, – përfundoi përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.