KULTURË

Ylljet Aliçka: Jemi individë të prirur për t’u indoktrinuar

19:00 - 12.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  –  A kishte njerëz që ishin të qetë në komunizëm pavarësisht të gjithave? -Po. Ama njerëzit mendonin se ky ishte realiteti. Unë kam studiuar biologji dhe e di që çdo individ përshtatet. Asnjë nuk e dinte se komunizmi do binte. Asnjë se dinte si do ishte postdiktatura. A ishte burg i madh komunizmi? Nga njerëz të caktuar ka një lloj nostalgjie për atë kohë.
Për Ylljet Aliçkën, çdo personazh është produkt i kohës. Çdo epokë mban vulën e një identitetit të caktuar. Në romanin e tij të ti, “Metamorfoza e një kryeqyteti” (botimet “Onufri”) ai merret me evoluimin e individit në kryeqytet në kapërcyellin mes dy epokave, diktaturë e postdiktaturë. “Dua të di si ka ndryshuar aftësia e njeriut për t’u përshtatur e vetëgënjyer. Secili bën zgjedhjet e veta dhe në ato zgjedhje, kuptohet se sa i ndërgjegjshëm është njeriu për zgjedhjet e veta”. Shkrimtari pati të parin rrëfim mbi librin e tij të mërkurën, në librarinë Tirana Times, në takimet “Agora” me gazetaren Arta Marku tha se mes të tjerash se sot individi është i prirur për indoktrinim. I pyetur për shqiptarët në krahasim me popujt e tjerë që si ne, kanë jetuar nën komunizëm ai tha se ne na “imponohen lehtësisht mendimet e sjelljet. Janë specifika të postdiktaturës shqiptare. Në kontekstin e sotëm vazhdon inercia e klisheve të mendimit dhe i defektit të procesit të njohjeve. Shpesh ka ndërgjegjësim fals, por letërsia nuk ka për qëllim të përgjithësojë. Letërsia e mirë shkon nga e përveçmja në të përveçme”.




Gazetarja Arta Marku foli për stilin e tij në letërsi si një stil ku përdoret ironi e humor me tone të errëta. Ajo tha se stili i letërsisë së tij është ironia.
Në qendër të romanit janë 3 vëllezërit Bendo, mes të cilëve poeti dhe një punonjës i sigurimit. “Kjo pemë në miniaturë është shoqëria jonë”, tha Marku duke e pyetur më tej Aliçkën për çmimin Kadare.
“E nise nga dështimet. Por ka qenë një këngë ‘duhet të dimë të humbin’. Unë nuk dua të komentoj meqë kam konkurruar për atë çmim dhe ai është çmim i nderuar. Por, si çdo çmim mban vulën e shijes e moralin e komisionit”, tha shkrimtari.

Në romanin e tij “Metamorfoza e një kryeqyteti”, ai vë përballë personazhe për të parë si evoluojnë karakteret e tyre në dy kohë, diktaturë dhe liri.
“Sa të justifikuar e kanë shndërrimin?”, pyet Arta Marku. “Sipas rrethanave, si përshtaten”. “A janë të dobët?”. “As të dobët as të fortë. Kam marrë ato personazhe që më kanë interesuar. Më ka interesuar si u konvertuan shqiptarët nga një ideologji në tjetrën. Më kujtohen disa fqinjë që dukej se kishin për një koracë ideologjike. Nga komunistë të thekur u bënë në eurosocialistë. Kam dashur gjithnjë të kuptoj aftësinë vetëgënjyese që ka njeriu për të bërë zgjedhje që të bëjnë të gjesh ekuilibrin e brendshëm”, tha Aliçka. Shënoi më tej se shpesh ngatërrohet paralelizmi me identitetin dhe interesin. “Se sa përligjje morale ka një konvertim ideologjik a fetar është tjetër gjë. Me ardhjen e lirisë, pati edhe adete fiktive fetare që nuk kanë përkuar gjithnjë me nevoja shpirtërore”.

A ka personazhe reale në vepër? Aliçka pohoi se “Valsi i lumturisë” është real. “Kur dua t’u fshihem problemeve them se është fiksion. Por në roman ka një personazh që është punonjës sigurimi. Mua më ka interesuar gjithnjë mendimi i një punonjësi sigurimi sot. Çfarë mendon sot ai për atë që ka ndodhur? A e ka pasur bindje apo e ka bërë se është dashur? Sepse të konvertohesh për një interes është më e shëndetshme se sa të jesh fanatik, të jesh fanatik është e rrezikshme”.
Objekt i këtij romani janë përditshmëritë e jetës rutinë të një kryeqyteti nën diktaturë dhe postdiktaturë: si një laborator i natyrës njerëzore. Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet referencat e saja intelektuale, kulturore, dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.

Me ndryshimin e kohërave, ndryshoi dhe ndjesitë apo perceptimet e lumturisë. Më shumë se e kushtëzuar nga mungesa apo tkurrjet e dëshirave në përgjithësi, lumturia apo dëshpërimi i kryeqytetasve, si në komunizëm ashtu dhe pas rënie së tij u përcaktua nga dallimet mes qenieve njerëzore në rrethana të caktuara kohe e vendi, në detaje gati të parëndësishme në dukje, por që e lumturonin pandërgjegjshëm individin me biografi të mirë dhe që ndofta sot e bëjnë të ndjejë nostalgji për atë kohë. “Metamorfoza e një kryeqyteti” shtjellon evolucionit e jetës së një galerie personazhesh, në situata të ndryshme të jetës së tyre, kryesisht nga një familje e njohur tiranase (poet, veteran, diplomat, i ri eurosocialist, biznesmen), dhe më gjerë (Udhëheqësi komunist, shefi i shërbimeve sekrete, skulptori, i burgosuri politik), nga jeta e tyre në komunizëm deri në realitetet e reja postdiktatoriale, bazuar kryesisht në dukuritë shpirtërore e ato të personalitetit si fenomenet e nënshtrimit, mbizotërimit, poshtërimit, deformimit, parë këto nën një këndvështrim ironik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.