MILOSAO

Tjetri në krijimtarinë e shkrimtarit Jovan Nikoladis, heteronimia krijuese e identitetit të shumëfishtë

12:58 - 14.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arian Leka – Tjetri” në kulturën europiane është hulumtuar herët, duke u bërë objekt vëzhgimi që nga kohët klasike, kur “Tjetri” ishte Barbari – kulturalisht i ndryshëm nga individi Unë dhe bashkësia Ne. Është një përkufizim mes identitetit shoqëror e kulturor të shumicës nga pakica, që të jep të kuptosh se fjala “tjetri” ka ekzistuar avant la lèttre – më herët se vetë koncepti. Bashkë me identifikimin e Tjetrit si – i ndryshmi / i prapambetur, nisi edhe një proces i pandalshëm tjetërsimi i cili, gjatë historisë është shfaqur në forma të larmishme si përballje mes kulturave dhe qytetërimeve, që largta apo fqinje qofshin ato, si refuzim për t’u përballur me praninë e gjallë të fytyrës së tjetrit, siç do të shprehej Emmanuel Levinas. Si të tillë, barbarë, përfilleshin popujt, kulturat dhe shoqëritë e tjera / të huaja, që nuk kishin të njëjtën kulturë me ata që i emërtuan dhe që nuk përdornin të njëjtin standard me jetesën e vendasve të tjerë / jo-barbarë.




Më e dukshmja në to mbetet forma e eksportimit të formave politike, artistike, fetare dhe ekomomike të kulturave kolonizuese drejt atyre “barbare”. Por, po aq fort sa eksportimin, si një gjendje nga brena jashtë, qytetërimet pushtuese dëshmuan edhe të kundërtën, prirjen e narcizizmin ndaj vetvetes, përbuzjen ndaj tjetrit, të cilin fillojnë ta tjetërsojnë. Por, gjithë sa në Greqinë antike nisi si një kundërvënie mes Veriut dhe Jugut dhe ndaj trakëve e skitëve, është shndërruar në eponim të ndarjes kulturore mes Lindjes (Tjetri – barbar, fisnor, i prapambetur, primitiv) dhe Perëndimit (Ne – të qytetëruarit), siç vëzhgohet në veprat e Edward Said. Ky kod dikotomik shenjimi, që dikur ishte pranuar si normë për qytetërimin antik, e mbrojti thelbin e vet, duke mbërritur si i tillë edhe sot, kur termi hapësinor Lindje / Perëndim nuk përdoret më për të veçuar drejtimet në natyrë, por për të përkufizuar kulturën e një shoqërie, që vendoset pranë apo larg boshtit të vlerave qytetëruese (perëndimore).
Në diskursin fenomenologjik, termi Tjetri shtjellohet si një alter ego, një TjetërVete dhe si pikëmbështetje për intersubjektivitetin. Nga kjo pikëpamje, Tjetri krijon marrëdhënien, keqkuptimin apo marrëveshjen mes nesh, duke na nxitur ta vështrojmë konceptin si një mundësi për t’u vendosur në vendin ku Tjetri ndodhet dhe duke e sugjeruar Tjetrin si burim objektiviteti në vlerësim. Ndërkohë, diskursi filozofik i referohet konceptit Tjetri si entitet homolog i përcaktimit të vetes dhe “tjetërsisë”, që e bëjnë të dallueshëm Tjetrin nga përfaqësimi simbolik i vetes.

Koncepteve të tilla si Tjetri, Tjetërsia dhe Tjetërsimi, nocionit të përkufizimit të Vetes dhe cilësimit të Tjetrit e, sidomos marrëdhënies (ar)miqësore mes “tjetrit të brendshëm” dhe “tjetrit fqinjë”, shkrimtari Jovan Nikolaidis i ka kushtuar vëmendje të posaçme prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh krijimtari letrare dhe publicistike.
Në krijimtarinë e tij të gjerë ky autor nuk i kushton vëmendje të posaçme Tjetrit të largët, por asaj forme të veçantë të Tjetrit që ka jetuar për shekuj pranë dhe të cilin jo vetëm autori, por gjithë areali social dhe kulturor ku ai jeton e njeh mirë. Ky zë i “modest, por i pathyeshëm”, siç vetëcilësohet, i ka shprehur idetë e tij përmes librave dhe artikujve të shumtë kushtuar temës së Tjetrit, duke krijuar një epistemë rreth termit, që në thelb do të thotë ta njohësh dhe ta kuptosh Tjetrin me të cilin të lidhin jo thjesht dallimet thelbësore, por sidomos ngjashmëritë.

Duke filluar me shkrimet më të hershme e deri te libri më i fundit “Shqiptarët dhe unë”, ky autor zgjeron kuptimet e tij ndaj Tjetrit, Tjetërsisë dhe Tjetërsimit, si ambivalencë dhe si prani të rëndësishme për ndërtimin e identiteteve shoqërore.
Një mendim i tillë ndjek shtjellat e mendimit të Zygmunt Bauman-it, që e vështron Tjetërsinë si thelbësore për krijimin e kategorive të identitetit. Ai analizon periudhën kur duket se duhet të pajtohemi dhe të vendosim paqen me gjendjet ambivalente, që krijojnë ndjesi të kundërta e të përziera ndaj objektit të përbashkët, të cilin e cilësojmë I huaj. Ndaj këtij të Huaji, Sigmund Freud ishte shprehur më herët, duke theksuar se përballë tij vihen individë a grupe që ushqejnë ndjenja të fshehta simpatie, për shkak të disa cilësive apo përsosmërisë, që ata kanë dashur dhe kërkuar t’i kenë vetë, si pjesë e përmbushjes së një egoje. Nga ana tjetër Jovan Nikolaidis i kundërvihet epistemës, duke u ndarë nga “doxa” dhe duke u larguar nga stereotipet dhe mendimi i kolektiv ndaj Tjetrit, për t’i dhënë atij një rol të ri në përcaktimin e kufijve socialë e kulturorë, kur me tjetrin ke ndarë fatin historik.
Edhe në këtë rast metaforat e Zygmunt Bauman-it rreth “brenda dhe jashtë kufirit” ruajnë vlerën e tyre dhe rimodelohen nga Jovan Nikolaidis, për t’u vendosur branda kontekstit politik e social dhe kulturor të rajonit. Në këtë aspekt, Tjetri i Jovan Nikolaidisit krijon një profil krejt vetjak të “tjetrit ballkanik”, i cili plotëson tiparet teksa shtegton për të gjetur të gjysmën e vet apo refkektimin e vetes në pasqyrën thyer lakaniane sa herë që e shohim të shfaqet në Ulqin, Podgoricë, Sarajevë, Tiranë, Beograd, Prishtinë apo në qytete të tjerë të Kroacisë. Ide të tilla janë shprehur në libra të veçantë, duke filluar nga themelimi i shoqatës kulturore “Plima / Batica” në vitin 1996, por edhe më vonë, me revistën kulturore “Plima Plus”, që promovoi multikulturalizmin, multilinguizmin dhe diversitetin kulturor, përmes pohimit të vlerave dhe kundërvënies ndaj ringjalljes së stereotipeve ndaj Tjetrit, të cilin priremi ta shtyjmë drejt tjetërsimit. Teksa shpreh pikëpamjet mbi rendin simbolik të vendasit dhe të ardhurit, të tjetrit tonë, të minoriteteve dhe të huajve, autoktonëve dhe aloktonëve, ky autor shkruan se vendin ku ai jeton nuk ka pakica apo shumica kulturore, nuk ka të Tjerë dhe se të gjithë çdo banor i Malit të Zi është vetvetiu shtetas malazez. Krahas këtij mendimi, studiuesi kroat Goran Starceviæ veçon edhe një tjetër ide të Jovan Nikolaidisit, kur ky shkruan rreth marrëdhënieve historike të ballkanasve të djeshëm dhe të sotëm me kulturën, vështruar si marrëdhënie nes Vetes, të Ngjashmit dhe Tjetrit.
Në këtë zonë Jovan Nikolaidis kthehet pas në kohë duke veçuar disa idioma, përmes të cilave vendos kronologjianë e mendimit, kur shënon se për grekët kultura ishte një shenjë, që dallonte botën e përbashkët, kolektive (koinos kosmos) nga bota private (idios kosmos) e zhvilluar falë përvojës dhe njohurive personale dhe që mbetet e veçantë dhe unike. Këtu autori e hipnotizon rastin dhe vë në veprim një lojë sarkastike fjalësh, duke e cilësuar Ballkanin e sotëm, Ballkanin sinkronik jo një idios kosmos, por një “botë idiotike” përballë boshtit diakronik dhe vlerave që ballkanasit sollën përgjatë shekujve, për t’i zvetënuar në pak dhjetëvjeçarë.
Duket sikur autori, ndonëse i njeh kufijtë e realitetit dhe të iluzionit, braktis enkas pikëpamjen hobbsiane për të cilën “homo homini lupus” dhe mëton afrimin me filozofinë utopike të Thomas More, ku qytetarët janë së përkushtuar ndaj lumturisë së të tjerëve po aq sa edhe për kënaqësisë së tyre, siç paraqitet në librin “Shqiptarët e mi dhe Mali i Zi i Jonë”.

Tjetri në veprën
“Shqiptarët dhe unë “
Për shkak të multikulturalizmit, Tjetri në Ballkan mund të jetë i ndryshëm nga Ne për nga origjina, kombësia, besimi, ideologjia dhe përfaqësimi social, duke qenë gjithashtu Tjetri. Por nëse do përdorej formulimi Tjetri, sipas kuptimit që i jep atij J.P. Sartre, duket se i ndryshmi i tij nga ne shfaqet si “kërcënim për rendin dhe rregullimin e gjithë botës tuaj”, por njëkohësisht edhe si shkaktar që ajo botë “përhumbet nga vlerat e të Tjerëve, mbi të cilat nuk keni kontroll”.
Pikërisht kjo ndjesi moszotërimi ndaj Tjetrit ndërlikon marrëdhënien dhe e bën jo të lehtë formulimin e pyetjes “kush jam”. Nga ana, në një mjedis ku gjymtyra e parë e çdo fjalëformimi mbetet rrënja multi (multikulturor, multietnik, multilinguistik), bëhet thuajse të pamundur edhe përgjigjja e se “kujt i përkas”. Jovan Nikolaidis i parashtron këto lemmas – fjalë bazë në pjesën më përfaqësuese të teksteve – edhe në parathënien e librit “Shqiptarët dhe unë”, për të theksuar se identitetet e tij të shumëfishta janë pjesë e një Veteje integrale dhe gjithpoaq të integruar në një mikro/makro/cosmos. Prej lemmës “multi”, ai krijon leksema të shumta, për të mbërritur në metaforën e ujërave të detit, ujërat malazeze të detit, të cilit vështirë se gjuha shqipje, italishtje apo sllavishtja, që përdoret në ato vise, i ndan në përkatësi.

Të shkruash për Tjetrin, siç Jovan Nikolaidis ka bëre, për Tjetrin që e njeh, Tjetrin që të rri përkrah, Tjetrin që të rri përbri dhe që të shfaqet përpara gjatë gjithë historisë, bëhet veprimtari po aq e rrezikshme, sa të marrësh përsipër të pajtosh fantazmat e së kaluarës, që shfaqen kur nuk e pret dhe të sheshoj paragjykimet ballkanike, që ngrihen si gunga në mes të fushave të dikurshme të luftës, shndërruar në fusha futbolli më pas. Nga ana tjetër, të shkruash jo përshtypje udhëtimesh, por një thurimë të plotë për Tjetrin, nuk është njëlloj si të shkruash një libër për Veten dhe për njerëzit me të cilët ndan të njëjtën gjuhë, të njëjtat kujtime, të njëjtët paragjykime, të njëjtët stereotipe të të menduarit, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë, të njëjtat toteme dhe të njëjtat tabu, një prej të cilave mbetet shpërfillja e tjetrit.

Kjo pasi duhet të dëshmosh jo vetëm se të prek fati që është treguar mizor ndaj Tjetrit-fqinj, si në rastin e Medeas – një e huaj në kontekstin e kulturës vendase – por edhe t’i kundërvihesh haptazi stereotipeve endemike ballkanase të cilat, pavarësisht kanë zënë vend dhe na duken normale jo ngase janë të vërteta, por ngaqë i kemi dëgjuar të përsëriten kudo dhe për një kohë të gjatë. Pikërisht normaliteti i këtij auto – stereotipi që riprodhohet edhe përmes sistemit arsimor, është më i tmerrshëm se të gjitha mizoritë së bashku, siç shkruan Hanna Arendt. Pikërisht këtë normalitet të ngritur mbi mitin e ushqyer me paragjykim përpiqet ta demitizojë edhe Jovan Nikoladis përmes komunikimit të tij me lexuesin virtual të portalit Plima dhe në librin “Shqiptarët dhe unë”. Të zgjedhësh këtë pozicion dhe të shkruash një libër si ky nuk duhet të jesh i frymëzuar, duhet të jesh i drejtë. Kjo pasi ky Tjetër nuk është i panjohuri diku. Me Tjetrin ke ndarë jo vetëm gjeografinë, por edhe historinë edhe heronjtë kulturorë të cilët, para se të ishin të tillë, kishin qenë grabitës, përdhosës dhe shkelës tabush që për njërën anë u heroizuan dhe për anën tjetrër u demonizuan me kalimin e kohës. Claud Levi-Strauss nuk gabon kur mendon se përgjatë historisë, njerëzit kanë përdorur dy strategji në trajtimin e Tjetrit. Njëra që lidhet me asimilimin (Strauss përmend kanibalizmin e një shoqërie që gëlltit individët e një shoqërie të huaj) dhe tjetra, që lidhet me dëbimin, veçimin apo përjashtimin e “të tjerëve” përmes sjelljeve kolektive apo përmes politikave të institucioneve. Jovan Nikolaidis i ka njohur dhe trajtuar në tekstet e tij në lidhje me Tjetrin të dyja këto strategji.
Nën këto pikëvështrime Tjetri-fqinj përfshihet në garat për hegjemoni kulturore dhe për etninë e pastër, ku heronjtë kulturorë përfshihen në katalogun e miteve të ricikluara dhe ku përmes librave të veçantë, por më së shumti prej medias, ndihet sërish era tokës së djegur që lë pas kolonializmi kulturor. Si shkrimtar, Jovan Nikolaidis e ka kuptuar se mirësjellja intelektualiste nuk do të na lejojë të shprehemi, pa fshehur gjë mbi ngjashmëritë dhe dallimet, mbi fajet, gabimet, mbi detyrat dhe veset, për kohërat kur ishim pranë dhe për vitet kur u ndamë dhe kur pusitë zunë vendin e dyluftimeve, siç vajet dhe gjamat zënë vendin e këngëve të dasmave, siç i ndeshim në këngë të ngjashme të Eposit Tonë dhe të Tjetrit.

Heteronimet si mjet i zgjerimit të tjetrit te vetja
Përpjekja për t’iu afruar temës së Tjetrit (shqiptari në këtë rast) ka bërë rrugë të gjatë në krijimtarinë letrare të Jovan Nikolaidisin i cili, për të hyrë edhe më në thellësi termi, shfrytëzoi konceptin letrar të heteronimisë. Përmes këtij koncepti ky autor nuk mëtoi thjesht krijimin e një karakteri imagjinar dhe as ecejaket në gjeografinë imagjinare të rajonit, por ngjizi disa personalitete me identitet të veçantë, me pikëpamje të pavarura nga biografia apo edhe nga përvojat e vetë krijuesit, që jeton së bashku me ta në truallin multietnik dhe, prej kësaj, edhe në një areal plurikulturor të rajonit ballkanik apo Europës juglindore, siç e cilësojnë edhe së fundmi me miklim.
Jo rrallë heteronimet e Jovan Nikolaidisit janë shfrytëzuar nga ai për t’i krijuar vetes oponentin – kundërshtarin fiksional – përmes të cilit shkrimtari dialogon si me një alter ego, duke u shprehur me stil dhe metodë të ndryshme krijuese nga ai i teksteve të shkruara nga aktori real. Mund të vëzhgohet se përmes heteronimisë Jovan Nikolaidisi ka “shpikur” Tjetrin brenda vetes, Tjetrin si një polifoni.

Është i njohur fakti se në kontekstin e psikoanalizës, pas heteronimeve të përdorura vërehet kërkesa për t’u çliruar prej detyrimit që sjell me vete përkatësia e njëmendtë dhe e ngulitur pas një kulture, një etnie, një religjioni, një shtetësie, një kombësie, një përfaqësimi real dhe simbolik etj. Te Jovan Nikolaidis, kjo prirje mund të vështrohet gjithashtu edhe si kërkesë për shumëfishimin e formave të lirisë së shprehjes, që shkojnë përtej emrit dhe përfaqësimeve të tij, përtej domethënieve dhe kufizimeve të cilësimit (malazez, i krishterë, kulturë mesdhetare, shqiptar, grek, sllav, kulturë kontinentale, etj.). Përveç autorësisë së njohur si Jovan Nikolaidis, tekstet e këtij autori i shfaqen edhe në forma të tjera: herë si Joanis Arvaniti dhe herë si Sandro Galeb, dëshmuar më se një herë. Në emër të këtij të fundit nënshkruhen ditarët meditativë dhe kujtimet, përfshi edhe mendime mbi vetë Jovan Nikolaidisin, ndërkohë që me Joanis Arvanitis shkruhet prozë autofiksion.
Por Jovan Nikolaidis nuk është autori që përdor thjesht pseudonime letrare, nga nevoja për të pasur një emër të rremë. Ai përdor nuk përdor nickname apo “retorikën e maskës”. Ai përdor heretonime, përmes të cilave krijon personalitete të shumëfishta autonome edhe nga vetë ai. Përmes atyre heteronimeve ky shkrimtar zgjeron lirinë e të shprehurit, qoftë kur shkruan për të Vetët e brendshëm, qoftë kur shkruan për Tjetrin e afërt me të cilin bashkëjton, qoftë për Tjetrin fqinjë, Tjetrin e largët.
Në tekstin “Një përpjekje për autobiografi” narrativa e Jovan Nikolaidisit të krijon bindjen se bëhej fjalë për një individ krejt të ndryshëm nga individi Sandro Galeb. Të jetë kjo loja me pasqyrën, loja objekt/subjekt, që përmend Lacan-i?

Jovan Nikolaidis vlerëson faktin se ai vetë (Jovan Nikolaidis) e kaloi gjithë jetën në vijën e demarkacionit, mes dy horizonteve të ndryshme kulturore dhe shoqërore, mes konflikteve të vrullshme, mes horizontit totalitar dhe horizontit globalist, mes komunizmit të vdekur dhe nihilizmit agresiv. Ndërkohë, heteronimi i tij, Sandro Galeb, paraqet një natyrë të dytë, më meditative, që i përket mendimit dhe jo veprimit, aksionit. Teksa merr në shqyrtim krijimtarinë e heteronimit tjetër – Joanis Arvanitit – studiuesja Jelena Kneževiæ vëren se romani “Naši su životi bjekstva” vjen si një projeksion dinjitoz dhe i gjallë i shqiptarëve dhe i hapësires malazeze, madje edhe më e gjerë, i hapësirës ballkanike në tërësi. “Përmes historisë familiare përftohet një roman metapoetik, ku bashkë me toponimet shqiptare të Korçës dhe Lumit Devoll shprehet edhe të kuptuarit e dashurisë sabbatike për Të tjerët, thekson autorja e studimit, duke vëzhguar sesi autori plotëson identitetin real me një identit të ri mendor dhe stilistik të Joanis Arvanitis. Me heteronimet Joanis Arvaniti apo Sandro Galeb, që Jovan Nikolaidis përdor, ndihet prirja e daljes prej një këmishës së forcës së një identiteti të vetëm, monolit dhe monokrom. Përmes këtij pluraliteti identitetesh autori shndërrohet në një “medium të vetvetes”, siç e cilëson Fernando Pessoa procesin e kalimit nga një heteronim ne tjetrin. Prej heteronimisë së shumëqëllimtë të këtij autori kuptohet gjithashtu edhe vullneti i braktisjes së paracaktimit etnik dhe kulturor.

Por a mund t’i kërkojmë gjurmët e transkomunikimit dhe të krijimit të identiteteve të tjerë virtualë te prirja e heteronimeve që përdor shkrimtari Jovan Nikolaidis? A përfaqëson kjo formë një mënyrë të tërthortë komunikimi apo edhe një mënyrë tjetër jetese në mendim, sikurse edhe forma të tjera ekzistence përmes shkrimit? Cili është procesi apo logjika e përzgjedhjes së heteronimit: në bazë të tematikës apo të stilit?

Çfarë tiparesh dhe cilësish u ka dhënë ai heteronimeve të tij dhe, a ruhen apo përcillen ato tipare, kur kalojnë nga libri në libër, nga tematika në tematikë? A do të ishte e mundur që, bashkë me ndryshimin e emrit të ndryshojë edhe identiteti i heretonimit të pvrzgjedhur nga autori? Çfarë mund të ndodhë, për shembul, nëse lexuesi malazez, serb apo kroat lexon të njëjtin tekst të nënshkruar me Joanis Arvaniti, Sandro Galeb dhe me Jovan Nikolaidis? A vërehen dallime të rrafishit metodik apo stilistikor mes teksteve të shkruar me heteronime letrare dhe a shfaqen aty edhe prani të personaliteteve të tjerë? Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme vërehet se heteronimi Sandro Galeb, për shembull, krijon një entitet me tipare të tjera, ku Sandro Galeb shfaqet si njeriu që jeton jo vetëm në mjedis multietnik dhe multiklturor por edhe në një mjedis multireligjoz. Megjithëkëtë, paradoksalisht, ai nuk është mbështetës i asnjë feje dhe besimi, por shkruan mendueshëm diskutime rreth kombit dhe identitetit, si formë e interesimit të tij të veçantë për multikulturalizmin, plurietnitetin dhe jo edhe për multireligjoinet.

Prej këtej do të ishte me interes të vëzhgohej edhe më thellë, për shembull, se çfarë ndodh me ndjesitë nacionaliste, multikulturore apo kozmopolite të autorit, me përkatësimet politike apo shtresëzimin social të secilit prej heteronimeve, kur ai nënshkruan me Jovan Nikolaidis dhe kur nënshkruan Sandro Galeb apo me Joanis Arvaniti? Cili prej tyre shprehet më qartë dhe a mund të jenë ata, në fund të fundit, i njëjti autor, si një omniprezencë, pas përdorimit të heteronimeve, si formë e shumë personaliteteve në një të vetëm apo me të vërtetë secili prej tyre e ruan pavarësinë?

Është e dukshme se Jovan Nikolaidis nuk i krijon heteronimet vetëm e vetëm për t’u shprehur në stile të ndryshme, por për të shpikur një idiomë, për të hyrë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e Tjetrit, për t’u shprehur në vokacionin e tij, si një alter ego e vetes dhe e Tjetrit. Ndërkaq, rasti Kierkegaard dhe rasti Pessoa ofrojnë mënyra të gjera interpretimi lidhur me rolin dhe ndikimet stilistike dhe përfaqësimet kuptimore të autorëve që përdorin heteronime.
Me ndarjen e identitetit letrar në personalitete të trefishtë shkrimtari Jovan Nikolaidis paraqitet si njohës mjeshtëror i teknikat të largimit dhe afrimit të Vetes nga Tjetri. Ai e shpik, zbulon, krijon Tjetrin nga brenda Vetes, duke e tjetërsuar botën fizike në botë virtuale përmes hereronimisë. Prej këtej mbetet e hapur udha për studiuesit, të cilët mund të hulumtojnë se çfarë ndodh me vetë Jovan Nikolaidisin, kur ky shkruan për Tjetrin me emrin e tij dhe kur shkruan për Tjetrin me njërin nga heteronimet që përdor (Sandro Galeb apo Joanis Arvaniti).

Forma të shfaqjes së Tjetrit në qytetërimet lokale
Jovan Nikolaidis dhe format e shumëllojshme të shfaqjes së teksteve të tij ndaj temave ballkanike dhe kureshtja për Tjetrin që rri pranë, e ka zanafillën me themelimin e së parës gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, me titullin “Kronika”. Por nëse do të zgjedhim një gur shenjëtar, si të tillë mund të vendosim librin “Tespihet prej fosfori”, botuar në Tiranë gjatë vitit 2009. Duke lexuar tekstet e këtij autori në harkun e 10-15 viteve të fundit, vëren se tek ai rri metafizika e “njeriu i revoltuar”, portretin e të cilit Albert Camus e ka përshkruar si histori të mendimit që shkon paralelisht me historinë e rebelimit. Këto dy gjendje humane vihen në bashkëveprim jo vetëm kur përballen me padrejtësinë dhe zhgënjimin, por si akte rebeluese “që shprehin nostalgji për pafajësinë dhe bëjnë thirrje për thelbin e qenies”. Te Jovan Nikolaidis kjo ndjesi ngre krye kur i duket të tejkalojë mendësinë e të vetëve dhe të vetvetes, për ta kaluar të drejtën në anën e Tjetrit, madje të bëhet si Ai. Me këtë krijimatri autori është njeriu që angazhohet dhe që nuk ndihet mirë kur mendjet e lira robërohen. Por, teksa lexon tekstet e Jovan Nikolaidisit në portalin “Plima”, te “Letrat e reja ulqinake”, te “Idetitetet tona”, botuar në vitin 2013, te “Tespihet…” dhe te libri më i fundit “Shqiptarët dhe unë”, të krijohet mendimi se ky autor ka poshtë lëkurës së tij hartën e Haemusit, Ballkanit Jugperëndimor apo Europës Juglindore, siç na pëlqen ta quajmë sot. Në çdo kapitull të librave të tij rreth temës së Tjetrit, shprehet kërkesa për multikulturë, diversitet, për një shoqëri me pluralizëm kulturor, kulturë polilinguistike, siç ndihet edhe shpresa dhe zhgënjimi, por jo dorëheqja e dorëzimi, e cila jo rrallë ka lodhur idealistët e stoikët. Në këto tekste lexuesi përplaset me njeriun që kërkon të vërtetën e thjeshtë dhe ka dëshirë për zgjerim të kuptimit të termit identitet dhe më shumë liri në komunikim.

Dilemat e shfaqura lidhen me dyshimin se ajo që po ndërtojmë i ngjan më shumë urave apo mureve, nëse po projektojmë të ardhmen apo po përtërijmë të kaluarën, duke iu rikthyer kompleksit të përuljes dhe i epërsisë në marrëdhënie me Tjetrin. Këtë fakt nënvizon edhe shkrimtari dhe studiuesi Vladimir Vojoniviæ kur, duke u shprehur për librin “Valdanos”, shkruan se gjuha dhe literatura malazeze dëshiron të mbivendoset ndaj vlerave të kulturave të tjera që zhvillohen në atë vend, ndërkohë që këtë ndjenjë superioriteti nuk e shfaqin edhe ndaj kulturave të tjera. Nëse lexon krijimtarinë e Jovan Nikolaidisit si një vepër e pambaruar, një opera aperta, që plotësohet vazhdimisht, bëhet i qartë edhe ngulmimi i autorit për të na e sjellë Tjetrin / shqiptar jo vetëm më pranë, por sa më larg idealizimit. Kjo prirje bëhet e dukshme sidomos kur Tjetri / shqiptar paraqitet i shoqëruar me historinë e tij, të cilën autori dëshmon se e njeh jo vetëm për sa i brendashkruhet territorit që përkufizohet si Shqipëri në kufijtë e sotëm gjeo-politikë, por edhe të një hapësire më të gjerë ku jetuan dhe jetojnë shqiptarë, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e sidomos te arvanitasit dhe te arbëreshët e Italisë. Duke ndjekur argumentet, faktet, shpjegimet, ëndrrat dhe makthet, dëshirat e mira, urimet dhe mospajtimet e hapura, që autori shpreh gjatë rrugëtimeve të tij në Shqipëri dhe Kosovë, duket se shkrimtari Jovan Nikolaidis shfaqet i zhveshur si prej etnofilisë ashtu edhe përballë etnofobisë. Ai vazhdon të pohojë atë që ka filluar të thuret që herët në Epos: pranimin e Tjetrit jo si armik, por si të barabartë e ndonjëherë edhe si më me shumë virtyte e cilësi, siç e gjejmë në disa verione në Epos. Autori i lëshon gjithmonë e më shumë vend konceptit se pozita më e këshillueshme ndaj Tjetrit nuk është armiqësia dhe konstatimi i armiqësimit, por përfillja e tij si i ndryshëm nga ti dhe i barabartë. Ky autor e shpreh qartë nevojën që ka shoqëria ballkanase ai për vetëidentifikim ashtu edhe për pranimin e Tjetrit, ndaj dhe vëzhgimet përpiqen t’i shmangen me sa munden rimitizimit. Në përfundimet e tij duket se shoqëria ballkanase nuk ka arritur ende t’i shfaqë pa inferioritet vlerat, edhe pse e di se është e qarkuar nga “qytetërime lokale” dhe globale, që kanë prirje të theksuara narcizmi. Tjetri i Jovan Nikolaidisit i rri pranë përfytyrimit të Tjetrit të Ryszard Kapuscinskit, të cilin e “takojmë përgjatë rrugës dhe nëpër botë në një mënyrë të dyfishtë: si “person si ne të tjerët”, me “gëzimet dhe pikëllimet e tij”, por edhe si një person të dytë, “i cili përputhet me të parin dhe që është bartës i karakteristikave racore dhe të një tjetër kulture besimi dhe bindjeje”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.