SHËNDET

Si ta parandaloni irritimin e lëkurës së fëmijëve nga i nxehti, puçrrat e vapës

15:30 - 15.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga dermatologia Erjona Shehu  – Një mjedis i nxehtë dhe i pa ajrosur mund të shkaktojë irritime të lëkurës, pasi temperaturat e larta nxisin procesin e djersitjes e për pasojë gjëndrat e djersës zmadhohen dhe inflamohen. Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është më i zakonshëm tek fëmijët, pasi gjëndrat e tyre të djersës ende nuk janë maturuar e nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Nga ky irritim shfaqen puçrra të vogla të kuqe në pjesët ku trupi është më i nxehtë, veçanërisht në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve. Mjekja dermatologe pediatre në Shërbimin e Pediatrisë, në QSUT, Dr.Erjona Shehu, këshillon se për të evituar shfaqjen e këtyre puçrrave duhen pasur parasysh këto këshilla: fëmija nuk duhet veshur trashë në verë, duhet larë me ujë 33-37 gradë Celcius dhe të thahet mirë me peshqir, prindërit duhet të sigurohen që temperatura e dhomës të mos jetë shumë e lartë dhe ajri të qarkullojë, nëse puçrrat nuk zhduken pas 12 orësh, atëherë duhet kontaktuar me mjekun.




Puçrrat e vapës (vaporet)
Puçrrat e vapës janë një shpërthim puçrrash të vogla (prush) në lëkurë të shkaktuara nga mbinxehja e tepërt e fëmijës. Kjo situatë është e shpeshtë gjatë stinës së verës, veçanërisht tek foshnjat e vitit të parë të jetës. Në përgjithësi shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe në pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë), prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës, por në disa raste mund të mbulojnë edhe të gjithë lëkurën e trupit.

Parandalimi
Por çfarë mund të bëni për të parandaluar puçrrat e vapës? Së pari, në stinën e nxehtë visheni fëmijën lehtë, vetëm me veshje të lehta pambuku. Gjithashtu zbulojeni fëmijën nga mbulesat e rënda e të trasha në shtrat, dhe bëjini banjë me ujë të vakët. Ndërkohë nëse ka puçrra mos e fshini fort pas larjes, por thajeni lehtësisht lëkurën me peshqir. Kur të thahet lëkura, mund të vini një krem hidratues për fëmijë. Bëni kujdes dhe mbajeni në hije, jo në rrezet direkte të diellit si dhe këshillohuni me mjekun nëse skuqja si prush nuk zhduket brenda 12 orëve.

Herpes Simpleks, rreziku tjetër i të nxehtit
Infeksioni i lëkurës i shkaktuar nga virusi i quajtur Herpes Simpleks, shfaqet në formën e një plage në trajtën e një grumbulli vezikulash, që kur thahen bëhen me kore. Ky virus qëndron i heshtur në pjesën e fundit të nervave. Ai kalon nga prindërit te fëmijët me anë të puthjes. Një rritje në temperaturën e lëkurës prej diellit të fortë, etj, mund ta gjallërojë virusin dhe të çojë në formimin e një plage. Këto plagë nuk janë të rrezikshme, por duhet mjekuar. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla gjatë buzës dhe poshtë hundës, që bashkohen dhe formojnë një plagë. Kjo faze zgjat 10-14 ditë. Në kohën që këto plagë janë duke u zhvilluar, fëmija mund të ankohet për dhimbje në fytyrë, në vesh dhe gjatë përtypjes, sepse nervat e fytyrës ndikohen nga virusi. Plagët janë shumë ngjitëse dhe fëmija mund t’i përhapë në pjesë të tjera të fytyrës me anë të prekjes. Me shfaqjen e këtyre shenjave fëmija patjetër duhet dërguar tek mjeku. Mjeku mund të rekomandojë mjekim nga goja dhe mjekime lokale, në varësi të situatës klinike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.