AKTUALITET

Rama, me krerët e veriut: Të mos largohet asnjë grua nga puna

18:00 - 17.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në cilësinë edhe të koordinatorit të rajonit të veriut, kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me drejtuesit politikë të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë si dhe me krerët e rinj të disa prej bashkive kryesore të këtij rajoni. Qëllimi i takimit ka qenë pikërisht menaxhimi sa më i mirë i situatës së konstituimit të drejtuesve të rinj të bashkive dhe këshillave bashkiakë. Burime nga ky takim bënë me dije se kryeministri Rama ka kërkuar nga kryebashkiakët e rinj që të bëhet kujdes me administratën e bashkive, sidomos në ato që deri më sot janë drejtuar nga përfaqësues të opozitës. Kështu, mësohet se ai ka theksuar se lëvizjet në administratë duhet të jenë të matura dhe jo politike, pasi nuk do të justifikohet asnjë shkarkim i padrejtë. “Çdo vendim nga drejtuesit e rinj të bashkive të merret në bazë të meritës, pasi përgjegjësia tashmë që opozita nuk përfaqësohet as në këshilla është më e madhe për të gjithë qytetarët në çdo bashki”, mësohet të ketë thënë Rama ndër të tjera. Ndërkohë që ai ka shfaqur edhe një herë merakun e tij për të mos pushuar apo larguar nga puna asnjë punonjëse femër të administratës së këtyre bashkive. Kjo sipas tij, është përmbushje edhe e një premtimi që ai vetë ka dhënë gjatë fushatës, ku deklaroi se punonjëset femra nuk të prekeshin nga procesi i ndryshimit të administratës me ardhjen e kryetarëve të rinj të bashkive.




Gjithashtu, në këtë takim që ka zgjatuar afro një orë, kryeministri ka kërkuar një angazhim serioz edhe në procesin e konstituimit të këshillave bashkiakë. Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që e gjithë faza e tranzicionit dhe kalimit të pushtetit nga drejtuesit aktualë te drejtuesit e rinj të bashkive të kalojë e qetë dhe pa incidente. PS-ja ka filluar punën për një riorganizim të ri të strukturave të saj dhe paralelisht me marrjen e drejtimit edhe të bashkive që deri dje drejtoheshin nga të djathtët, PS-ja ka rishikuar edhe mënyrën e monitorimit të punës së bërë nga drejtuesit lokalë në të gjithë vendit. Për këtë arsye, kryesia e PS-së bëri edhe një ndarje të re të vendit në tri rajone të mëdha, ku janë të përfshira të 12 qarqet e vendit. Në krye të secilit rajon qëndron një nga figurat kryesore të PS-së, përfshi kryetarin e partisë, kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e grupit parlamentar. Më konkretisht, në bazë të kësaj ndarjeje, vetë Edi Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Sikurse pritej, Shqipëria e Mesme dhe juglindja i është besuar Taulant Ballës. Numri dy i PS-së do të koordinojë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Ndërkohë që vendosi që jugun ta monitorojë Gramoz Ruçi. Ky i fundit do të jetë koordinatori i qarqeve Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastrës. Po ashtu, Partia Socialiste do të mbledhë edhe Asamblenë Kombëtare në datën 22 korrik, e cila gjithashtu do të marrë në analizë procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.