EKONOMI

Denaj: Formalizimi i biznesit i shërben konkurrencës së ndershme

15:20 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shtimi i rasteve të bizneseve që nuk lëshojnë kuponin tatimor ka sjellë dhe nisjen e zbatimit të planit për luftën kundër informalitetit. Shqetësimi është shprehur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ministrja e Financave, Anila Denaj, ka dalë në terren për inspektimin e bizneseve. Nga ana tjetër, qytetarët pranojnë se kryesisht në bizneset e vogla nuk u jepet kupon për mallrat që blejnë. “Jemi në kushtet kur dhënia dhe marrje e kuponit është rikthyer në nivelet më të ulëta përpara sesa të niste lufta shumë e vështirë, por e domosdoshme kundër informalitetit”, – tha ministrja. Por në një pjesë të bizneseve, kryesisht atyre të vogla, të cilat janë të pozicionuara në periferi apo larg zonave kryesore të Tiranës, informaliteti vijon të jetë prezent. Sipas qytetarëve, parukeritë, qendrat estetike, dyqanet me produkte ushqimore apo kafenetë e lagjeve janë disa prej bizneseve ku thonë nuk marrin kupon tatimor.




Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e tatimeve, kryeministri ka paralajmëruar se ndëshkimi i bizneseve që nuk japin kupon tatimor do të penalizohet deri me mbyllje të aktivitetit. Ndërkohë, në kuadër të zbatimit të planit të gjerë operacional për luftën kundër informalitetit, Inspektorati i Punës dhe Sektori i Monitorimit në Terren nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijuan me një inspektim të përbashkët në zonën e Currilave në Durrës. Referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Financave, subjektet u kontrolluan për deklarimin e punonjësve, lëshimin e kuponit tatimor, ndërsa verifikohen për regjistrimin dhe deklarimet në organet tatimore. Drejtues të Lartë nga Inspektorati i Punës dhe DPT thanë për mediat se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj bizneseve të parregullta, të cilat dëmtojnë bizneset e ndershme dhe konkurrencën e drejtë në treg. “Jemi çdo ditë në terren për të identifikuar shkelësit e ligjit, duke marrë masa ndaj secilit punëdhënës që mban punonjës në të zezë, nëpërmjet vendimit të pezullimit të punës, deri në formalizimin e tyre”, – tha Arben Seferaj, kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Punës. Drejtori i Hetimit Tatimor, Martin Mici tha se, “bizneset e rregullta nuk kanë arsye të shqetësohen nga inspektimet tona, përkundrazi Administrata Tatimore është krah tyre për të garantuar konkurrencën e drejtë dhe të barabartë në treg”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.