AKTUALITET

Meksi fiton gjyqin me qeverinë: Pallati te Presidenca i paligjshëm

17:00 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe një sërë ish-zyrtarësh të lartë të qeverisjes së Partisë Demokratike kanë fituar gjyqin kundër qeverisë duke arritur të shfuqizojnë nenin 23 të VKM nr. 231 datë 21.3.2017, i cili përcakton se për objektet në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, distancat midis objekteve mund të përcaktohen nga KKT me rregullore të posaçme. Dhe shkak për këtë betejë ligjore është bërë pikërisht leja zhvillimore dhe rregullorja e veçantë e miratuar nga KKT në favor të subjektit “Invest Society” sh.p.k., për ndërtimin e një godine 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 kate në rrugën “Ibrahim Rugova”, Tiranë, pas godinës së Presidencës, e cila shpesh herë është bërë objekt i edhe i akuzave publike.




Çështja
Këshilli Kombëtar i Territorit me vendimin nr. 11, datë 20.6.2018 ka miratuar lejen zhvillimore në favor të subjektit “Invest Society” sh.p.k., për ndërtimin e një godine shumëkatëshe në Rrugën “Ibrahim Rugova”, Tiranë dhe po ashtu edhe rregulloren e veçantë për miratimin e lejes së zhvillimit të kësaj godine. Pala paditëse e përbërë nga: Aleksandër Meksi, Manushaqe dhe Elsa Zhulali (familjar të Safet Zhulalit), Julian Demeti, Ana dhe Joana Topalli (familjar të ish-këshilltarit të Berishës, Kolec Topalli), Fatbardh dhe Fatmire Metaj, Suzana Arbnori, Gjystina dhe Filip Arbnori (familjar të Pjetër Arbnorit), Rexhep Uka, Bardh Spahia dhe Shaqir Vukaj, banues në dy pallatet ekzistues ngjitur me Presidencën dhe pronarë të truallit përkatës kanë kundërshtuar këto dy akte të KKT-së duke pretenduar se largësia ndërmjet pallatit të tyre dhe pallatit shumëkatësh për të cilin është dhënë leja nuk është respektuar dhe se subjekti ndërtues është afruar në një distancë që bie ndesh me formulën që përcakton ligji dhe VKM-ja. Në bazë të nenit 6/2/b të ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë vendimin nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”. Në këtë VKM, në nenin 34 janë përcaktuar distancat minimale midis ndërtimeve. Ndërkohë që dy vite më vonë, pra në 2017 qeveria e ka ndryshuar këtë VKM duke ndryshuar edhe formulën e përllogaritjes së largësive mes pallateve sipas çdo rasti.

Ndërmjet të cilave ky ndryshim përcakton se “për objektet në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas nenit 19, të kësaj rregulloreje, distancat midis objekteve mund të përcaktohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit me rregullore të posaçme, të miratuar prej tij”. Është pikërisht kjo dispozitë që sipas palës paditëse ka dëmtuar të drejtën e tyre të pronës dhe të cilësisë jetës. Paditësit pretendojnë se, në këtë rast në miratimin e lejes zhvillimore dhe eventualisht asaj të ndërtimit, nuk janë respektuar distancat përkatëse nga kufiri midis objekteve dhe kufiri i pronës, pasi siç rezulton nga planvendosja që shoqëron vendimin e KKT-së, objekt shqyrtimi, rezulton se në krahun jugor të godinës së re, që përballet me godinë 4-katëshe, pronë e paditësve janë parashikuar këto distanca: 10.39 m për volumin 9 kat nga struktura e objektit të paditësve, jo nga ballkoni, që është distanca më e afërt. Ndërkohë që sipas formulës që parashikon neni 34, pika 2, kjo distancë duhej të ishte 9+4+2=15ml nga struktura në strukturë. Pala paditëse pretendon se, ky nen është gjithashtu në kundërshtim e parashikimet ligjore të nenit 118 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 6/2/b, të ligjit nr. 107/2014, pasi nuk është parashikuar delegimi i të drejtës Këshillit të Ministrave tek Këshilli Kombëtar i Territorit. Pala paditëse pretendon se në fakt në këtë rast Këshilli i Ministrave i ka lënë dorë të lirë KKT-së që të vendosë vetë, pa asnjë lloj kriteri apo standardi ndërtues që ajo duhet të ketë në konsideratë. Për më tepër asnjë normë e ligjit nr. 107/2014, nuk i jep të drejtë KKT-së që për çdo ndërtim, të përcaktojë një rregullore të veçantë, të pabazuar në asnjë kriter tjetër ligjor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.