Homo Albanicus

George Orwell dhe Shqipëria e vitit 2019

19:25 - 26.07.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eric Arthur Blair nuk është se ka ndonjë lidhje direkte me Shqipërinë, por kjo ndoshta mbetet për t’u parë nga studiuesit e pasionuar të letërsisë. Asnjëherë nuk duhen marrë gjërat në mënyrë absolute. Njeriu që bota do e njihte përmes dy librave të jashtëzakonshëm duket se i parapriu kaosit social të postmodernizmit he sidomos kinse demokracive. George Orwell, siç do ta njihte bota, veç dy librave që bënë histori “1984” dhe “Fermës së kafshëve” do të linte si trashëgimi shumë artikuj, kritika dhe esse, ku qartësia e idesë dhe cilësia e pastër e alegorisë i dha një vend të nderuar mes njerëzve mendimtarë të shekullit XX. Për prozën e tij nuk kishe shumë nevojë të abstragoje, pasi qëllimi ishte i pastër dhe i hapur, ndërgjegjësimi i njerëzve për totalitarizmin dhe mbështetjen e hapur të socializmit demokratik, pa u shtirur.




Shqipëria, që po drejtohet nga Socialistët e shekullit të XXI, mund të mësojë shumë nga ky njeri sa i përket përkufizimit të fuqisë, me të cilën kryeministri Rama mat një elektorat dhe ka mposhtur strukturën e një partie krejt në gjumë, siç është sot Partia Socialiste. Me fraza të ndryshme të larme, ndërthurur me leksikun e pasur, Socialisti Edi Rama na përcolli idenë se gjërat mund të ndryshonin me fuqinë e përmbledhur në një dorë, por në fakt gjërat rrodhën ndryshe: Socialistët u zbehën bashkë me simbolikën e tyre të Rilindasit, sloganin që premtojnë daljen e Shqipërisë nga letargjia e një shteti kaosi. Revolucioni, që u përdor pas viteve ‘90 ishte fundi i një periudhe, ku shqiptarët prisnin daljen nga tranzitimi. Por gjykimi i Orëell i kalon kohërat dhe ja ku na vjen me një përcaktim që i përgjigjet zhvillimit real të demokracisë sonë: “Fuqia nuk është një mjet, ajo përbën një fund. Nuk krijohet diktatura për të ruajtur revolucionin; dikush e bën revolucionin në mënyrë që të krijojë diktaturën”. A nuk ishin mini-diktatura pushtetet që sollën bashkë PS dhe PD pas viteve ’90?!

Gjithësi, Edi Rama, lideri i lëvizjes së madhe të Socialistëve, që erdhi me sloganet sociale të PS-së u përpoq fillimisht të pastronte gjuhën për t’i bërë programet e prekshme, por që në fakt rezultuan një lustër e bukur për gjërat që do të bëheshin pa transparencën dhe më shumë nga të gjitha me të pavërtetat, që po mbajnë një mandat e gjysmë, që ai drejton. “Gjuha politike … është projektuar për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta dhe vrasjen të respektueshme, për t’i dhënë kështu një pamje të qëndrueshmërisë erës së pastër”, cilëson Orwell.

A ka mundur kjo të rezultojë e vërtetë? Kurrsesi jo. Shqipëria po vuan një gjendje ekonomike e cila ka shpërpjestuar frikshëm klasat shoqërore, ka ndarë në pabarazi mjetet e jetesës, ka  dobësuar fuqinë blerëse të njerëzve dhe ka rritur në maksimum pasigurinë. Përmes një propagande të frikshme gjithçka shitet e bukur, por që në fakt përbën një shëmti të frikshme. Informaliteti, fryt i kaosit organizativ dhe i reformave të paplota, ka bërë që vendi të kërruset nga masat e ashpra të qeverisë Socialiste për të lehtësuar të pasurit dhe të varfëruar më të dobëtit e pambrojtur. Prova: parametrat dhe indikacionet që jep INSTAT dhe organizmat ndërkombëtare. Dhe, sërish propaganda e sotme e Socialistëve është mbresëlënëse, ajo të çarmatos me pasinqeritetin, që dukshëm është provuar në gabimet e përditshme të një pushteti që pengohet me këmbët e veta: “Armiku i madh i gjuhës së qartë është mungesa e sinqeritetit. Kur ekziston një hendek midis synimeve të vërteta dhe atyre të deklaruara, kthehesh instinktivisht te fjalët e gjata me idiomat e lodhura, si një sepje që lëshon…”, thotë Orwell, që po të njihte Ramën dhe Berishën do të qeshte zhurmshëm për propagandën e tyre boshe.

Por, mbrojtësit e demokracisë së sotme shqiptare e përdorin gjithnjë e më pak fjalën demokraci, ndërsa fjalori është i mbushur me termat e reformave dhe objektivave, duke harruar se kjo rrugë e lodhshme, ku mungon stadi dhe transparenca për të parë ku jemi na ka lodhur. Jo më shumë për mos mbajtjen e premtimeve dhe prekjen e pafre të shumë aseteve publike, por realisht mungesën e një vizioni real për Shqipërinë se ku do të shkojmë. “Mund të konsiderohet në përgjithësi kur e quajmë një vend demokratik, se ne e vlerësojmë atë; për rrjedhojë, mbrojtësit e çdo lloji të regjimit pohojnë se kjo është një demokraci dhe frikësohen se ata mund të kenë nevojë ta ndalojnë përdorimin e fjalës nëse ajo do të ishte e lidhur me ndonjë kuptim” (Orwell).

Dhe, shqetësimi i sotëm në Shqipëri është se mendimi politik nuk ekziston për të ndihur ndryshimin e për të prodhuar ide pozitive por veç të shkojë në favor të privilegjeve të një pakice, ndaj përbërja sociale e parlamentarëve tanë nuk e përligj përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e njerëzve. Parashikimi social sot është i zymtë, kurse masivisht politika që është në fuqi injoron nevojat e njerëzve. Dhe, kështu ndodh që segmente të tëra të popullit të jenë gjithësisht të papërfaqësuara, por edhe të rrënuara nga një regjim që nuk kupton dot dhe që me gjasa do të zëvendësohet nga një tjetër i njëjti pas pak kohësh. Se politikanët ndodh që kuptojnë vetëm interesat e tyre, por asnjëherë të popullit të tyre. “I gjithë mendimi politik për vitet e kaluara ka qenë i zhvleftësuar në të njëjtën mënyrë. Njerëzit mund ta parashikojnë të ardhmen vetëm kur përputhet me dëshirat e tyre dhe faktet më të dukshme mund të injorohen kur nuk janë të mirëpritura”. Dhe, pse politikanët nuk kuptohen, qoftë edhe ata që janë më të ndriçuar? “Kjo sepse njerëzit e shkolluar rrallë ose kurrë nuk kanë një ndjenjë përgjegjësie”, na vjen në ndihmë sërish Orwell, për një demokraci si Shqipëria, që do të jetë temë mësimi për eksperimentet politike të studentëve fillestarë të akademive politike kudo në botë. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.