Sociale

Përllogaritja e pensioneve, ndryshon koeficienti i indeksimit

18:35 - 08.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të moshuarit mund të njihen me koeficientin e ri të indeksimit, në mënyrë që të mund të përllogarisin masën e pensionit që u takon për vitet e punës me kontribute. “Gazeta Shqiptare” publikon sot vendimin e qeverisë mbi miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, paragrafi i dytë, dhe 59, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi që koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit të jetë 3.7 për qind”, – thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Në këtë të fundit theksohet se për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve, me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin nr.571, shtohen edhe me koeficientin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.




“Në vitin 2019, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientet vjetore nuk mund të jenë më të larta se: a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 26 000 lekësh, e përcaktuar në vendimin nr.809, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001; b) paga maksimale në shkallë vendi, prej 114 670 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit nr.10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim”, – theksohet në vendimin e qeverisë. Ndërkohë, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Sakaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në vendimin nr.571, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për koeficientet e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve” dhe në këtë vendim, harton e shpall tabelën e koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar për periudhën deri në vitin 1994 dhe për vitet në vazhdim, deri në vitin 2019 dhe ngarkohet për zbatimin e tyre. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Formula e përllogaritjes
Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Një qytetar që ka filluar punën në vitin 1975 deri në 2018-ën, pa ndërprerje, pra ka 43 vite pune me kontribute. Pensioni do të llogaritet nga viti ’75 kur individi ka filluar punë për herë të parë, deri në 2018-ën me pagat që ai ka gëzuar. Këto paga referuese i shërbejnë individit nga dita që ka filluar punë deri në 31 dhjetor të 1993-it e këto paga kanë koeficientet e veta të indeksimit. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8.59. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV ( baza e vlerësuar).

Baza e vlerësuar
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

Masa e pagave për 2019-ën

Në vitin 2019, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientet vjetorë sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi nuk mund të jenë më të larta se:
a) Trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekësh, e përcaktuar në vendimin nr.809, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001.
b) Paga maksimale në shkallë vendi, prej 114 670 (njëqind e katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë) lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit nr.10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.