AKTUALITET

Basha, akuza Ramës: 14.3 milionë euro kontrata sekrete për miqtë

20:00 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e cilësoi dje kryeministrin Edi Rama një kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familjeje shqiptare. Sipas Bashës, është kryeministri Rama, ai që qeveris me krimin e që i ka dhënë urdhër organit të akuzë. Përmes një video-mesazhi Basha akuzon z.Rama që vjedh dhe shpërdoron paratë publike: pasuri dhe luks për vete, papunësi, varfëri, padrejtësi dhe pasiguri për njerëzit. “Hajduti psikik dhunon dhe gjobit sipërmarrjet e vogla, që mezi mbajnë me bukë shumicën e familjeve shqiptare! Me paratë e grabitura atyre financohen luksi dhe qejfet e hajdutit psikik dhe klientëve të tij”. Më tej Basha publikoi shifrat: “Ja si harxhon miliona euro të shqiptarëve për luksin e tij dhe kontrata ‘sekrete’ për miqtë dhe familjarët e tij hajduti psikik”, nënvizon në vijim lideri i opozitës, që ka përmendur në video emrat e 4 bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Ramës, që përfitojnë kontratat prej milionash eurosh të baxhanakut Armand Frangu, Alban dhe Olsi Eftimit si dhe të ish-ministrit Ilir Beqja.




Akuza
Duke iu referuar rastit të Valdrin Pjetrit të Bashkisë së Shkodrës, i dënuar sipas PD-së për trafik droge në Itali, Basha vuri në dukje uzurpimin e të gjitha pushteteve nga Rama me një bandë kriminelësh e hajdutësh, të cilët i duhen për të vjedhur Shqipërinë. Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje prokurorisë që të marrë të pandehur kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Basha shkruan se Pjetri ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge, ku dhe është dënuar nga gjykatat italiane. “Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur, sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit, duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por, Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit. Sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë”, thotë në mesazhin e tij kreu i opozitës, i cili tregon sipas tij, edhe zgjidhjen e problemit të krimit në politikë. Lideri i PD-së akuzoi se krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. “Që të largojmë krimin, duhet të largojmë Edi Ramën. Shporrja e hajdutit psikik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare! Hajduti psikik! Rama ik”, – shkruan kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Mesazhi
Edhe në videon e shpërndarë nga kreu i opozitës theksohet mesazhi kryesor i PD-së se Edi Rama e mban pushtetin me kriminelët dhe trafikantët e drogës, ndërsa Valdrin Pjetri i Bashkisë së Shkodrës cilësohet si “Elvis Roshi” i ri, pasi njësoj si ish-kryebashkiaku i Kavajës, edhe për Pjetrin, PD ka të dhëna se ai është dëbuar nga Italia për trafik droge në vitin 2003. “Pasuria e tij është kriminale dhe duhet t’i nënshtrohet ligjit Antimafia”, – thuhet në video-mesazhin e kreut të opozitës, i cili bën përgjegjës Edi Ramën që promovon dhe e mbron trafikantin e drogës dhe përfaqësuesin e krimit Valdrin Pjetri. “Edi Rama e emëroi drejtor të Hipotekës, prefekt të Shkodrës, kandidat për Bashkinë e Shkodrës”, – theksohet në video, ku shfaqet edhe kryeministri Rama në konferencën e 30 Korrikut, duke treguar bashkëpunimin e ngushtë me Valdrin Pjetrin, të cilin e emëroi edhe drejtues politik të PS për Qarkun e Shkodrës. “Vendosja e Valdrinit drejtues aty është gjëja e duhur. Më duhet një person që të jetë aty çdo ditë dhe çdo natë si kryetar bashkie dhe si drejtues”, – citohet Edi Rama në video-mesazh, duke promovuar edhe më tej Valdrin Pjetrin. Në video theksohet mesazhi i kreut të opozitës se Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh, që i duhen për të vjedhur Shqipërinë. “Që të largojmë këtë bandë dhe të sigurojmë të ardhmen e familjeve shqiptare, duhet të largojmë Edi Ramën. Rama ik”, – përfundon video-mesazhi i kreut të opozitës, Lulzim Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.