SPORT

“Bum” Flamurtari, firmos me tre sulmues, Frashëri në Durrës, një nigerian për Kukësin

12:51 - 14.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Erhun Obanor pritet që të jetë lojtari i ri i Kukësit. Qendërmbrojtësi është bindur për të ardhur në Shqipëri dhe duket çështje ditësh, që ai të vihet nën urdhrat e Shpëtim Duros. E megjithatë, ashtu si për ganezin Abdul Bashiru, viza po kthehet në një makth. Drejtuesit kanë aplikuar për ta siguruar atë dhe kanë që të gjitha dokumentacionet gati, por që lojtarët të kenë të drejtën për të shkelur në tokë shqiptare, duhet të vijë fillimisht ‘OK’-i nga autoritet tona. Kujtojmë se nigeriani vjen për të zëvendësues një mes Cuculit dhe Shametit të larguar zyrtarisht nga veriorët, ndërsa ganezi për të plotësuar vendin e lënë bosh prej Rrumbullakut në krahun e majtë të mbrojtjes. Obanor aktualisht gjendet në Kroaci, ndërsa kujtojmë se sezonin e fundit ai e ka mbyllur te skuadra e Rudes. Gjithsesi çështja “Cuculi” vijon të jetë e nxehtë në Kukës, pasi mbrojtësi është parë në stërvitjen e fundit të skuadrës dhe zërat për një rikthim të mundshëm të tij sa vijnë e forcohen.




Tre sulmues për trajnerin Haxhiu
Xhevahir Sukaj do të jetë pjesë e Flamurtarit edhe sezonin e ardhshëm. Ka qenë klubi vlonjat, që nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ka bërë publik rinovimin e sulmuesit shkodran. 31-vjeçari iu bashkua kuqezinjve në merkaton e janarit të sezonit të kaluar, ndërkohë që drejtuesit e Flamurtarit kanë arritur të bindin sulmuesin që të jetë pjesë e skuadrës edhe për të paktën 1 sezon. Shkodrani arriti të realizonte 4 gola me fanellën vlonjate, teksa u aktivizua 10 takime. Në të kaluarën Sukaj ka mbajtur veshur fanellën e shumë klubeve shqiptare dhe të huaja, ku spikasin Vllaznia, Partizani, Laçi, Sepahan, Nk Zagreb, Orduspor etj. Por, në Vlorë prezantimet nuk janë mbyllur me kaq. Pas Sukajt dhe futbollistit boshnjak Semir Bajraktareviç, klubi vlonjat ka prezantuar goditjen e radhës në merkato. Bëhet fjalë për sulmuesin Ardit Hoxhaj. 25-vjeçari rikthehet në Vlorë, ndërkohë që kujtojmë që ka 6 muaj pa u aktivizuar. Pas largimit nga Skënderbeu, Hoxhaj u transferua te Luftëtari, por nuk mundi dot të federohej në kohë dhe kësisoj qëndroi gjithë fazën e dytë pa u aktivizuar. Me transferimin te Flamurtari, sulmuesi do të tentojë të kapë formën e dikurshme. Në të kaluarën Hoxhaj ka qenë pjesë e Himarës, Bylisit, Korabit dhe Skënderbeun. Shkëlqimin futbollisti vlonjat e pati gjatë sezonit 2015-2016 kur ishte pjesë e ballshiotëve.

Teuta gjen portierin, firmos Stivi Frashëri
Stivi Frashëri do të jetë portieri i ri i Teutës për dy sezonet e ardhshme, duke kompletuar një repart ku klubi kishte mangësi, pasi kishte në dispozicion vetëm Çeleskin që pas largimit të Hidit. Zyrtarizimi ka ardhur nga vetë klubi durrsak, i cili bëri të ditur se ai i ishte bashkuar menjëherë skuadrës së re në Korçë, ku po kryhet faza përgatitore. “Stivi Frashëri është zyrtarisht lojtar i Teutës. Portieri korçar ka nënshkruar marrëveshjen që e bën pjesë të Teutës për dy sezone. Frashëri vjen si një përforcim me shume vlera për skuadrën durrsake. Ish-portieri i Kukësit i është bashkuar skuadrës ditën e sotme në Korçë”, shkruhej në njoftimin e klubit durrsak për futbollistin. Kjo është skuadra e pestë në Superiore për portierin 28-vjeçar, i cili më përpara në vendin tonë ka veshur fanellën e Bylisit, Tiranës, Flamurtarit e së fundmi Kukësit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.