AKTUALITET

“Donniana”: Në rregull me shtetin, vijojmë punën

17:00 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aksioni antiinformalitet i nisur nga qeveria për sipërmarrësit në vend vlerësohet si një nismë e dobishme nga bizneset, që detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe punëmarrësve i shlyejnë në kohë. Donika Mici, sipërmarrëse fasonerie, thotë se aksioni duhet të vazhdojë dhe të gjitha bizneset duhet të formalizohen. “Është një nga punët më të mira që po bëhet, sepse nuk mund të mbahet një shtet vetëm me 500 biznese që paguajnë në mënyrë të rregullt. Ka shumë biznese që punojnë në evazion. Mua më duket një nga hapat më të mira që ka bërë qeveria që t’i vërë në linjë. Duke u shtrirë taksat te të gjithë, shteti mbledh më shumë para dhe nuk na bie në qafë neve që i kemi gjërat e qarta dhe të deklaruara dhe nuk lëvizim dot nga ajo që i paguajmë shtetit dhe jemi të rregullt se i paguajmë ndër vite”, deklaroi Mici për “News 24”. Donika Mici e ka nisur biznesin e saj që në vitin 1992.




Kompania e saj, “Donianna” është prodhuesja më e madhe këpucëve të lëkurës në Shqipëri. Me mbi 1600 punëtorë në të gjitha fabrikat, Mici thotë se biznesi i saj vazhdon prodhimin, është i rregullt ndaj shtetit dhe nuk ka asnjë detyrim të papaguar, ashtu sikundër u tha disa ditë më parë në media. Ajo sqaroi se të gjithë punonjësit paguhen nëpërmjet bankës dhe janë të siguruar. “‘Donianna’ i ka paguar shtetit dhe ka deklaruar në shtet vazhdimisht të gjithë punëtorët e veta. Ka paguar tatimet, ka paguar tatimin në burim gjithçka, sigurimet shoqërore. Punonjësit tanë e marrin rrogën totalisht në bankë, kjo do të thotë që s’kemi informalitet. ‘Donianna’ nuk ka lidhje me këto as kuponë, e vetmja gjë që ka ‘Donianna’ është import-eksport. Lekët hyjnë me bankë. Taksohen me çdo formë dhe paguhet çdo lloj detyrimi. Unë nuk di të kem bërë ndonjëherë informalizëm me shtetin shqiptar”, deklaron Mici. Sipërmarrësja sqaron se informaliteti dhe detyrimet janë dy koncepte të ndryshme ndaj qeveria duhet t’i ndajë ato. “Duhet të ndajmë dy hapa informalitetin dhe detyrimet ndaj shtetit. Informaliteti është kur ti abuzon me shtetin dhe i fsheh shtetit taksat e tij dhe që të paguash me vonesë detyrimet e shtetit është një hap tjetër. Çdo lloj biznesi, kudo në botë, ka momentet e ngushta të veta të likuiditetit, ndaj ligji është i përbërë. Në momentin që nuk paguan detyrimin në kohën e duhur, ke gjobat, interesat dhe je i detyruar që atë gjobë apo detyrim ta paguash. Kjo nuk mund të thuhet që ti je informal, jo absolutisht. Ti je në vështirësinë X që kalon dhe ti rimerr veten”, deklaron sipërmarrësja. Mici thotë se kontrolli i bizneseve duhet të kryhet në vazhdimësi, pasi ka shumë biznese në Shqipëri që po lulëzojnë në mënyrë informale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.