Kryesore

Tela, Milkani, Delisula, Xhaxhiu, Demi, Lipe, Ndreca dhe Vehbiu për gazetarin/  “Baxhaku, gjyshi i madh që na mësoi të duam njerëzit”

14:14 - 17.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Miqtë kujtojnë mjeshtrin: Nuk abuzoi kurrë me zanatin

Fatmira Nikolli




“Gazeta Shqiptare” duke respektuar njeriun Fatos Baxhaku, duke u rrekur të imitojë sadopak shembullin e tij në media dhe në vlerësim të themeluesit të vet, sjell sot mendimet e kujtimet e miqve që e njohën, që e deshën, që jetuan me të e që sot e përcjellin me dhembje, duke ruajtur kujtimet më të bukura që mund të ketë njeriu. Sepse kjo ishte pasuria e Baxhakut: njeriu.

ENO MILKANI

“Kur fillova të punoj, mësova prej Tos Baxhakut respektin që duhet të kesh për njerëzit, për të gjithë njerëzit, të çfarëdolloj kategorie. Dhe shumë informacione në lidhje me profesionin e gazetarisë dhe historinë. Madje, një histori që ai më ka treguar mua dhe që ia thashë një mikut nga Austria, tani po xhirohet si film i shkurtër në Luksemburg. Historia e një Shqipërie gjatë e Luftës së Parë e Botërore, e treguar nga Tosi, po bëhet film. Regjisori do të vijë të xhirojë në Shqipëri, por Tosi nuk e priti. E kishim shtyrë festivalin e Filmit Ballkanik për në shtator prej zgjedhjeve dhe bënim po të njëjtat plane, çfarë do shfaqim e kë do ftojmë. Diskutimet që bëhen zakonisht. Më e rëndësishme nga të gjitha është se me Tosin, kur xhironim dokumentarët, mësova vlerën e respektin që duhet të kesh për çdo njeri, pavarësisht kategorisë që ka. Ky ishte mësimi i jetës nga Tosi, për ne çunat e qytetit, që nuk kemi njohur me botën dhe nuk kishim kontakt me botën. Ishte një mik i pazëvendësueshëm për të gjitha gjërat që bënte dhe miqësinë që ofronte. Nuk harronte asnjëherë të bënte një dhuratë të vogël.

ANDI TELA

“Jam pa fjalë! Dhe ndihem shumë keq që ndodhem jashtë e nuk do mundem dot t’i jap lamtumirën e fundit. Kam nisur të punoj me Tosin që në vitin e largët 1996. Ai vetë nuk i pëlqente aspak nekrologjitë. E nuk e di si do i gjykonte njerëzit që do flisnin fill pas ndarjes së tij nga jeta. Që nga koha e njohjes sonë në vilën e Rrugës së Dibrës, te ‘Gazeta Shqiptare’, ka rrjedhur shumë ujë, por unë nuk mbaj mend një rast të vetëm të abuzimit të tij me këtë zanat, siç i pëlqente Tosit ta quante këtë punën tonë.

Shumë prej gazetarëve e drejtuesve të mediave sot kanë qenë studentë, apo e kanë mësuar ‘abc’-në e këtij profesioni prej Tosit dhe ngjiten shkallët e karrierës e katet e zyrave, ndërsa ai vazhdoi të bridhte cepave të Shqipërisë për të bërë atë që donte më shumë, gazetarinë e terrenit, me modestinë e tij të jashtëzakonshme”.

REZARTA DELISULA

“Kur më dha lajmin, më kërkoi ndjesë që më mërziti, e kur e pyesja çfarë do të të sjell, gjithmonë përgjigjej “asgjë”… E pastaj me jepte ndonjë porosi se duke më njohur mirë, e dinte që s’do e lija me aq. Kur më tha se, ‘më duket se do ia hedh’ ndjeva dhimbje për këtë njeri, fjalëpak, me kokën plot e të ndershëm deri në kockë. Që prej 25 vjetësh kur isha studente u bëmë miq e kam pasur fatin të punoj me të,  madje deri dje punuam bashkë për Historinë e Shqipërisë (projekt i lënë në mes). Tosi ishte njeri që i donte njerëzit e ndershëm dhe respektonte çdo zanatçi, nëse punonte mirë. Ishte njeriu që na mësoi që gazetaria nuk është biznes, por përgjegjësi. Tosi ka qenë njeriu që nuk u bë palë me askënd. Preferoi të jetonte i lirë, i pavarur dhe i ndershëm; pa lukse, me shtëpi me qira, me një kompjuter para dhe librarinë gjigante përreth, deri sa mbylli sytë. Për fat, Zoti e donte shumë e nuk e la të vuante. E keqja është se kur ikin njerëzit, kujtohen këta të mëdhenjtë, këta që kanë në dorë gjithçka, për vlerat njerëzve të mëdhenj, siç ishte Fatos Baxhaku. Ike ashtu siç deshe mik… e faleminderit që më besove deri në fund”.

ENKEL DEMI

“Gjyshi i madh. Kështu i thosha unë dhe jo vetëm Tos Baxhakut. Ishte i urtë si një gjysh, rrëfente shtruar si një gjysh, ishte bujar si një gjysh, ishte i mirë si bukë e ngrohtë, porsi një gjysh. Tosi ishte shoku im, gjyshi im. Më tregoi historinë e Çadrës së Kuqe të priftit austriak, historinë e Tironës, Elbasanit dhe Shkodrës, si pihet vodka me limon. Më besoi kur i thashë që nis lufta në Maqedoni tre muaj para, më uli vrullin, kur merrnim kot në televizion. Por, më tregoi si punohet pa bërtitur, pa u çjerrë dhe sa shumë duhet me e dasht njeriun, sidomos, kur atë e kanë lënë pas dore, kur atë e kanë harruar. Se Tos Baxhaku ishte gazetari më i mirë, jo nga ne, por nga të gjithë. Nuk kishte nevojë të na e tregonte këtë me foto, rrjete sociale apo sponsorë pijesh energjike. Ishte më i miri dhe kaq, se dinte ta tregonte njeriun më mirë se ne të gjithë. Gjyshi i madh iku, se gjyshërit shkojnë, por dhembin shumë dhe mua më ka bërë copë sot si kurrë ndonjëherë”.

ALDON LIPE

“Po të ishte tani me ne, do na shihte me atë vështrimin ironik dhe do tallej pafund me këto që po përpiqemi të themi për të. Mes lotësh mund të shqiptoj vetëm fjalët dhimbje dhe bosh. Mund të mos e takoje për një kohë të gjatë, por në momentin e parë që ndesheshe me të… të dukej sikur ishit parë dje.  Tosi ka qenë një lumë i madh, që ka ndjekur për aq sa jetoi rrjedhën e vet, i pandikuar aspak nga ç’ndodhte vërdallë. Tosi i ka shërbyer mbi gjithçka moralit dhe profesionit, duke i parë jo vetëm si të pandarë, por edhe duke qenë një yll orientimi për brezat që kanë ardhur e do të vijnë. Ai yll do jetë gjithnjë aty lart dhe mund ta ndjekë kushdo”.

ARDIAN NDRECA

“Paska ndërrue jetë Fatos Baxhaku, nji zotni i përkorë dhe i tërhequn në nji vend ku tutkunë partinash e megalomanë rrjetesh sociale i bien potershëm daulles nadje deri mbramje me suksesin e siguruem të zhurmës marramendëse që shkaktojnë. Fatosi ishte i veçantë, e gdhendte fjalën e gadi i pavetëdijshëm përçonte mendimin e tij të thellë. Më sillen ndër mend faqe të paharrueshme të tijat përShkodrën, për besëtytnitë e sotme, për historinë tonë, për fate grash austriake në Shqipni… Para nji viti ia kujtova se në BKSH mungonte vepra e tij me bashkautor Karl Kaser, buzëqeshi i distancuem dhe me nonchalance! Iku pa u ndie, i rrallë dhe plot vlera, nji prej të paktëve njerëz që kam çmue atje”.

ILIR KADIA

“Tos Baxhaku! Nuk po dua t’i jetoj këto ditë! Ditë të tmerrshme! Miqtë me vlerat më të mira njerëzore po më fshihen në qiell! Pardje Gjergji, ende pa e futur në dhe, sot Tos Baxhaku! Dy javë më parë e mësova sëmundjen e rëndë të tij! Jetoja me frikë çdo sekondë të kësaj kohe, me shpresë të shtyhej sa më shumë!”, shkroi dje gazetari Ilir Kadia. Shpresonte të bëhej të paktën dekadë! “Tos Baxhaku, gazetari që si askush në Shqipëri e ngjeu penën në pikën e lotit të dhimbjes për njeriun e varfër, për njeriun e ndershëm, për njeriun e zotë! Fatos Baxhaku që të mbushte me diell pranvere kur e takoje në ditët e tua të zymta! Tos Baxhaku, i urti si plak 100 vjeç, me fjalën melhem! Tos Baxhaku, ma gjeni o miq gazetarë mes jush një më mirë!

Oh, kjo kohë! Sa të vogël po na e bën Shqipërinë kur përcjellim miqtë tanë më të mirë!”, – e mbylli ai postimin e tij.

ARDIAN VEHBIU

“Kur je larg, lajme të tilla të vijnë gjithnjë si të pamundura – sidomos për njerëz si Tos Baxhaku, pa të cilët s’e përfytyron dot Tiranën. Herët e fundit e takoja gjithnjë te ‘Friend’s Bookhouse’, të rrethuar nga shokë e miq pa hesap. Më dukej sikur ashtu ishte mësuar të lumturohej – kish arritur cakun e urtësisë. Njeri fisnik, sytë i vezullonin inteligjencë, heshtja mençuri. Shkrimet ia gjeja gjithnjë një model për një gazetari të dëshiruar, por në rrezik zhdukjeje. Në një botë ideale, e kisha menduar të bashkëpunonim te ‘Peizazhet’. Ngushëllime të thella vëllait të tij, Turit, gjithashtu mik i mirë dhe së bijës! Nuk them dot thjesht që Tirana s’do të jetë më e njëjta, kur të kthehem dhe të mos e shoh Tosin atje ku e shihja; nuk e ndiej veten gati për ta përcjellë këtë humbje me fjalë. Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Tos”!

REZEAR XHAXHIU

“Kush e kishte menduar se do të ikje kaq shpejt, pabesisht shpejt Fatos, mik i shtrenjtë… Dhe nuk the gjë fare, por ike heshturazi si për të mos na lënë ne, miqve të tu pengje… Si mund të ikje kaq shpejt kur vetëm dy muaj më parë më rrëfeje te bar ‘Friends’ për dorën e fundit që po i jepje librit me piratët shqiptarë të Malit të Zi? A mundem unë të bëj tani një ‘in memoriam’ për ty, kur ti ma mësove ç’është ‘in memoriami’ më 1994, kur mbërrita riosh në redaksinë e “Gazetës Shqiptare” dhe ku ti ishte po ai Baxhak i qetë, djaloshar? Si mund të të kundërshtoja kur thoshe butë, qetësisht, me atë paqen tënde eterne. Të kujtohet Fatos, gazeta e marsit të ’97-ës, kur më thoshe ‘ki kujdes se nuk i dihet, jetojmë në dite absurdi, mos shko vonë në shtëpi, bëj një telefon para se të nisesh, kur të mbërrish apo kur të vish nesër në redaksi, kujdes Lorin e vogël”. Të kujtohet kur unë përplasja kokën mbi tastierën e kompjuterit në mesnatë, në përpjekje për të gjetur titullin e aperturës dhe me lehtësinë e një profesionisti më thoshe ‘Ja Buci’ e qëndisje ti? Më kujtohen mbledhjet e përmëngjesshmme tek bar ‘Fideli’, netët e stërzagjtura tek ‘Çaplini’. Kur u ndamë, qeshnim se ishim rivalë në media të ndryshme. Me buzëqeshjen tënde nën mustaqe thoshe ‘Buc, si t’ia bëjmë që të mos i nisim lajmet gjithnjë me politikën e mërzitshme’? I kujtoj tani këto, tani kur tavolina në cep të ‘Friend’s’ do të jetë vetëm dhe pa ty. Me cilin do të flas tani për Shqipërinë tjetër? Po ato qindra dordolecë prej lecke të vendosura nëpër shtëpitë e oborret nëpër dritaret e oxhaqet e shqiptareve çfarë t’u them, që i le jetimë, që pasi i vendose në një libër, ike pa u thënë Lamtumire? Sa do të doja të ma thoshe ti tani se çfarë duhet t’u them atyre unë për mungesën tënde or mik… Sa do të doja! Po ti ike shpejt, sikur nuk doje të mërzisje askënd, sikur nuk doje të rëndoje kërkënd. Po tani ku të të kërkoj Baxhak në këtë mesgushti”?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.