AKTUALITET

Gratë e Mirditës, heroinat që jetuan të përditshmen veshur me teshat popullore

15:47 - 25.08.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Alma Nikolli




Tesha të bardha. Si bora në bjeshkë e tamli i deleve. Kjo ishte veshja e gruas mirditore. Kjo ishte veshja e gjyshes sime. Në dasma, morte, shi, borë, diell, mëngjes, drekë a darkë ajo kishte vëtëm një ngjyrë rrobash: të bardhë.

Nuk ishin tesha të bardha çfarëdo, ishte veshja popullore e Mirditës. Veshja e përditshme e popullit të Mirditës. Veshja e përditshme e grave mirditore.

Ne trashëgimtarët, “Teshat e bardha” tashmë i veshim vetëm nëpër dasma. Përpos bukurisë, këmisha e bardhë e mbyllur deri në fyt më kujton sakrificat e gjyshes sime. Si ja ka dalë ta mbajë gjithmonë veshur? Në gushtet e nxehta kur ecte disa orë në mal?

Teksa qemeri që më ngjesh belin më duket sikur më kufizon frymëmarrjen, kujtoj prapë gjyshen. A nuk e shtrëngonte kur çohej me fshi djersët teksa shkulte patate tan ditën në arë?

Pak venë m’u derdh në këmishë… I ka dasma këto. Po gjyshja ime, e gjyshet e tjera mirditore si mujtën me e rujt bardhësinë e teshave të tyre? Jeta në katun asht e pastër qelibar, por puna nga vetë natyra, asht pak e pistë, sidomos mbi tesha të bardha.

Po marrja ishte marre, sidomos për gratë. Bardhësia ishte po aq e rëndësishme sa rregullsia e dy gërsheteve mbi krye. Gërsheta? Me më dëgju gjyshja më mbyti. 2 rregjave. Në Mirditë gërshtetat, janë rregja.

Teksa pastroja me një fasoletë të lagur venën në këmishë, më bien ndërmend historitë dimërore të gjyshes. Me krahun plot me tesha të bardha vraponte për tek kroni, rrugë që zgjaste disa minuta. Duke u mbajt nëpër gardhe mos me rrëshqit në akull.

Një shkëmb i lëmuar qëndronte pranë ujit të akullt. Ishte lëmuar nga teshat. Pasi ishin vluar në zjarr, bardhësia e tyre përpalasej disa herë në gur. Duart e gjyshes sime skuqeshin, e teshat e saj zbardheshin.

Mandej i varte rregullt në gardhet e drunjta rrokull shpisë. Krejt fshati kishte këtë pamje.

Ky xhup që kam veshur në këtë fotografi ishte i gjyshes sime. Ajo e mori me vete pasi vdiq. Si në të gjallë, edhe e vdekur donte të ishte gruaja me veshjen e bukur mirditore.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.