Dossier

“Strumbullari i dënimeve ishte Hysni Kapo”, Rrahman Parllaku: Si qau në qeli vëllai i Mehmet Shehut për Enverin

13:28 - 03.09.19 gsh

Edhe pse shokë në luftë dhe drejtues të lartë të Partisë në Byronë Politike dhe në Ushtri, ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, nuk kishte asnjë tolerim nga Enver Hoxha.



Ata u trajtuan si armiq të Partisë dhe popullit. Gjeneral Rahman Parllaku në vijim të intervistës së tij për gazetën “Panorama” tregon vuajtjet dhe trajtimet denigruese gjatë periudhës 11-mujore të hetuesisë në qeli para dhënies së dënimit në gjyq. Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako por dhe vetë Parllaku mbaheshin brenda qelisë në kafaz hekuri, me helmeta në kokë nga frika se mos tentonin vetëvrasje.

Madje dhe në tualetet normale të burgut nuk i linin të shkonin, por kishin sajuar një tualet në mes të qelisë e ku oficerët që i vëzhgonin 24 orë, qëndronin prezent sa herë ata kryenin nevojat personale. Duke treguar brutalitetin e regjimit, Parllaku rrëfen se kreu i grupit të sigurimit të puçistëve, Idriz Seiti, një mik i Mehmet Shehut, përfundoi edhe ai në burg më vonë, pas vetëvrasjes së ish-Kryeministrit.

Duke treguar përjetimet e tij gjatë 25 viteve të burgut, gjeneral Parllaku tregon dhe momentet kur në burg u mësua lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës. “Kishim dhe Duro Shehun e Idrizi Seitin, këta filluan të qajnë, ‘O xhaxhi Enver, ku na le ne!!!’, shprehet Parllaku. Sipas tij, ishte Enver Hoxha që futi një përçarje, një ftohje mes Mehmetit dhe Beqir Ballukut, Mehmeti iu kundërvu Beqirit dhe ata nuk kishin më atë marrëdhënie që kishin pasur më parë, duke dobësuar në këtë mënyrë pozitat e Mehmet Shehut në Ushtri dhe Parti.

Gjeneral Parllaku tregon se strumbullari i të gjitha këtyre dënimeve ishte Hysni Kapo. “Hysniu bëri fshesën e hekurt në Ushtri dhe përgatiti listat e atyre që duhet të dënoheshin”, shprehet Parllaku.

Gjatë hetimit të grupit tuaj, ju u vendosët në qeli. Kë kishit shok në qelinë tuaj?

Secili ishte në qeli më vete. Dhomat ishin të mëdha, por brenda tyre kishte kafaz. Brenda në qeli qëndronte ulur dhe një oficer për 24 orë, mbi në karrige të gozhduar në dysheme, i cili ndërrohej çdo 6 orë. Ai nuk kishte të drejtë të fliste me ne, por vetëm na shikonte. Ishte një presion psikologjik i vazhdueshëm që na bëhej për të na thënë se ne këtu brenda të ruajmë që ti të mos vrasësh veten dhe t’ia thuash Partisë të gjitha çfarë ke bërë, por ti i gjallë nuk del dot nga këtu.

Përse Beqirin e mbanin me helmetë kur e lëviznin në burg?

Në burg nuk na linin të shkonim në banjat që kishin bërë italianët me porcelane, por na kishin bërë një vrimë në mes të dhomës, mbi të cilat kishin vendosur disa dërrasa dhe aty uleshim për të kryer nevojat tona personale. Deri aty na çonin me helmetë në kokë dhe me zinxhirë në duar. Aty qëndronte oficeri i dhomës dhe dy policë gjatë kohës që bënim nevojat personale. Ditët e para na vinte dhe ne zor që ata qëndronin aty në ato momente, pastaj u mësuam dhe thamë le t’i marrin dhe ata erë gjërave që ne bëjmë. Kur mbaronim punë, na vinin përsëri helmetën në kokë, zinxhirët dhe na fusnin në qeli përsëri. Besoj se helmetë u vendosnin të gjithëve, gjersa më vinin mua që nuk isha dënuar me pushkatim. Për Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Rrahman Parllakun u përdor kriter i paparë deri në atë kohë. U arrestuan në sallë, me hekura në duar e helmeta në kokë dhe me makina BÇ u transportuan menjëherë në burgun e sigurisë së lartë. Hetimi zgjati 11 muaj. Përveç futjes në qeli, i futën në kafaze hekuri brenda qelisë. Në kafaz flinin, hanin dhe hetoheshin. Për ruajtjen e tyre ishte caktuar një komandë dhe një trupë e veçantë gardianësh që komandohej nga Idriz Seiti (ish-shef sigurimi), i cili kishte dalë në pension, por ishte thirrur për këtë detyrë. Për ironi të fatit edhe Idrizin, pas vdekjes së Mehmet Shehut, e dënuan me burg. Ishin 4 oficerë sigurimi në 24 orë që i ruanin, i përgjonin, dhe që e kishin të ndaluar të flisnin, sepse kontrolloheshin edhe ata nga frëngjitë e dyerve të qelive. Edhe kur i nxirrnin për nevoja vetjake, nuk ua hiqnin hekurat nga duart dhe helmetën nga koka. Policët u rrinin mbi kokë. Por kjo ishte e vështirë edhe për ta.

Kur kryenit dënimin në burg, si e morët vesh vdekjen e Mehmet Shehut?

E morëm vesh përmes radios. Kishim një altoparlant ku na jepnin lajmet e mëngjesit, në drekë dhe në darkë. Aty dëgjoheshin vetëm lajmet. Ndërsa për shtypin kishim bërë dhe abonime në disa organe. Pas vrasjes së Mehmetit, erdhën në Burrel vëllai i tij, Duro Shehu, Idriz Seiti, Bashkim Shehu, më vonë edhe Skënderi.

Në gjykimin tuaj, Mehmet Shehu ishte vetëvrarë apo e kishin vrarë?

Edhe sot e kësaj dite unë i qëndroj të njëjtit qëndrim, si për Mehmet Shehun ashtu dhe për Nako Spiron. Për mua nuk ka rëndësi kush e tërhoqi gishtin e këmbëzës, por kush i çoi në vetëvrasje. Nakon e çoi në vetëvrasje Enveri. Enveri vetë ishte pro bashkimit me Jugosllavinë, nga ana tjetër nxiste Nakon se nuk donte të futej nën tutelën e jugosllavëve. Kur jugosllavët e akuzuan Nakon si armik, Enveri e braktisi dhe ai shkoi në vetëvrasje. Po kështu dhe me Mehmetin. I tha Mehmetit, e bëre këtë gabim, por thellohu në autokritikë. Ai i kërkoi dy ditë afat, ai i tha, jo ti je i përgatitur, hajde përgjigju Byrosë. Mehmeti u kthye në darkë, ia hoqi vetes apo e vranë, kjo ka pak rëndësi. Enveri e çoi në vetëvrasje. Duke e njohur karakterin dhe temperamentin e Mehmetit, impulsiv dhe sedërprekur, edhe mundet të ketë ndodhur vetëvrasje. Mehmeti u ndje i braktisur, madje ai e ka ditur se do ta pësonte siç e kishin pësuar dhe të tjerët para tij, si grupi ynë. Enveri i braktisi të gjithë për karrigen e tij.

Si e përjetuat vdekjen e Enver Hoxhës?

Atë ditë, u hap altoparlanti dhe në vend që të dëgjonim lajmet, kishte muzikë funebre. Ne ishim në qeli akoma dhe dëgjuam muzikën. Thamë se dikush nga të mëdhenjtë i ka kthyer patkonjtë. Po kush të jetë?! Shkuam për ushqim, bëmë zhurmë pse nuk po dëgjojmë lajmet. Pasi bëmë gjithë atë zhurmë, e detyruan dhe e hapën lajmin. Kishim dhe Duro Shehun, Idrizi Seitin, këta filluan të qajnë, “O xhaxhi Enver, ku na le ne!!!” Më pas diskutuam mes shokësh, me Sadikun, me Halimin me Arifin dhe me Todin, i cili ishte shumë i zgjuar dhe ironik po ashtu. Pas vdekjes së Enverit, duke e njohur Ramizin, patëm shpresë se ai do ta hapte vendin, por shumë shpejt u kuptua se Ramizi do të ndiqte rrugën e Enverit.

Ndëshkimi juaj ishte dorë e Enverit, Mehmetit apo Hysni Kapos?

Strumbullari i të gjithë këtyre dënimeve ishte Hysni Kapo. Hysniu bëri fshesën e hekurt në Ushtri dhe përgatiti listat e atyre që duhet të dënoheshin.

E ndiente Enveri rrezikun se emra si Mehmet Shehu, Beqir Balluku e Hysni Kapo ia rrezikonin pushtetin?

Kushdo që i ka prekur interesat e pushtetit, Enveri është munduar ta likuidojë. Ç’pati me Sejfulla Malëshovën?! Sejfullai në Berat ka thënë: Çuditem kur disa shokë, që njerëz që sillen të ashpër dhe bëjnë krime, i quajnë komunistë të mirë. Po të vazhdojmë kështu, do të kthehemi në një bandë kriminelësh”. Dhe ajo Parti u kthye në një bandë kriminelësh, kur vrau gjithë udhëheqjen e luftës. Sejfullau që atje e ndjeu dhe kritika e Sejfullaut qëndronte. Si kryetar i Frontit, Sejfullai bëri zgjedhjet e para pluraliste, duke u përpjekur që kandidatë të mos ishin vetëm komunistët. Në 2 dhjetor u bënë zgjedhjet, në 6 dhjetor u mblodh Byroja Politike që dënoi Sejfullanë me akuzën se na solli në parlament klerin katolik dhe intelektualët reaksionarë. Unë nuk isha dakord që të dënohej Sejfulla Malëshova, por nuk kisha të drejtën e votës.

Kupola e udhëheqjes së partisë ka qenë Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu. Kur është dënuar Beqir Balluku, një bashkëpunëtor të vjetër që nga lufta, si e shpjegoni që të gjithë këta ishin dakord për dënimin e tij?

Enver Hoxha, para se të ndodhte kjo, krijoi një përçarje në Byronë Politike mes Beqirit dhe Mehmetit. Enveri doli me teorinë “ti qepemi maleve dhe t’i kthejmë ato në toka pjellore që të sigurojmë bukën”. Ai thirri Kryeministrin, Mehmet Shehun, dhe ministrin e Bujqësisë, Pirro Dodbibën, dhe u kërkon që të hapnin toka të reja në male dhe kodra për të prodhuar bukën. Mehmeti dhe Pirroja nuk ishin dakord se thanë se si do t’i prishim kullotat dhe si do t’i punonin se tokat e reja që kërkohen të hapen janë në pllaja malesh, larg fshatrave. E kundërshtuan këtë ide të Enverit. Kur u refuzua nga këta të dy, Enveri thirri Beqir Ballukun, i cili nuk i thoshte dot jo Enverit. Beqiri i tha, ‘Po’, e bëjmë ne këtë aksion. Por Beqiri tha po, pa pyetur kryeministrin, Mehmet Shehun. Mehmeti e merr vesh që Beqiri, si ministër i Mbrojtjes kishte marrë përsipër që të hapte toka të reja me Ushtrinë.

T’i thoshte Beqirit pse e bëri këtë, nuk i thoshte dot, sepse Mehmeti ia kishte më shumë se kushdo frikën Enverit, se ia dinte më mirë se kushdo huqet. Unë jam dëshmitar si i Beqirit ashtu dhe Mehmetit, se ata kishin një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin dhe të ngrohtë. Në 2-3 stërvitje që unë kam organizuar, kanë ardhur të dy për t’i parë dhe në çadër ka pasur shumë humor, shakara, këngë, një marrëdhënie shumë miqësore dhe shumë e ngushtë. Pas Po-së që Beqiri i dha Enverit për tokat e reja, filloi një ftohje mes Mehmetit dhe Beqirit. U bë Plenumi i KQ për tokat e reja. Unë isha kundër se po më prishej stërvitja e Ushtrisë. Kisha drejtuar përgatitjen luftarake poligon më poligon dhe dilema ishte nëse ushtari do të bëhej bujk, apo ushtar. U bë Plenumi, diskutonte Petrit Dume dhe Enveri nga presidiumi i thotë: O Petrit, nuk i shton dhe nja 5 mijë hektarë tokë të re brenda këtij 5-vjeçari? Petriti u kthye nga Hito Çako, i cili i pohon me kokë. “Po”, i thotë Petriti.

Unë u bëra xhind dhe i thashë Pirro Dodbibës: Si pranon ti të prishen 5 mijë hektarë kullota?! Dil dhe diskuto, i thashë. Më pas më tha, se ai dhe Mehmet Shehu nuk kishin qenë dakord për këtë nismë të Enver Hoxhës. “Unë tani po e marr vesh që ju si Ushtri e keni marrë përsipër këtë nismë, prandaj çohu ti dhe diskuto për këtë që keni premtuar”, më tha Pirro Dodbiba. Pra, ishte Enveri që futi një përçarje, një ftohje mes Mehmetit dhe Beqir Ballukut. Mehmeti iu kundërvu Beqirit dhe ata nuk kishin më atë marrëdhënie që kishin pasur më parë. Në stërvitjet ushtarake që bënim, nuk shkonin më të dy bashkë…/Panorama/

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *