Kryesore

Administrata shtetërore hap dyert për studentët ekselentë, procedura për aplikim

17:00 - 04.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Deri në 20 shtator, të gjithë studentët ekselentë me mesatare mbi 9.00 që kanë përfunduar studimet e larta nga 2015-ta e në vijim kanë të drejtën e aplikimit në një nga 219 pozicionet vakante të punës në administratën shtetërore. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi “Për punësimin e përkohshëm të studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore”, ku nënvizohet se kontratat e punës janë të përkohshme për 1 vit. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u shpallur fitues si dhe mënyrën e përcaktimit të pikëve, bazuar në mesataren përgjatë viteve akademikë. “Nga nisma do të përfitojnë studentët, të cilët kanë përfunduar studimet universitare në ciklin e parë ose të dytë të studimeve të arsimit të lartë, me notën mesatare 9-10 ose ekuivalent me të, në institucionet e huaja të arsimit të lartë apo programet e akredituara jopublike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Kjo gjë do të bëhet në varësi të diplomës së kërkuar për pozicionin e punës vakant ku aplikon. Studenti duhet të ketë jo më shumë se 3 vite përpara vitit kalendarik për të cilën po zhvillohet procedura. Për studentët që janë diplomuar jashtë vendit, duhet që diplomat e tyre të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë”, -thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Sakaq, dokumentacioni duhet të dorëzohet elektronikisht në portalin e rekrutimit, jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen zyrtare të DAP-it dhe në platformën “punetembare.gov.al”. “DAP-i, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i procesit publikon në faqen e tij zyrtare dhe në platformën ‘punetembare.gov.al’ listat e kandidatëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës. Kandidatët që nuk kualifikohen njoftohen individualisht nga DAP-i, duke specifikuar edhe arsyen e moskualifikimit”, – theksohet në Fletoren Zyrtare.




Metodologjia e vlerësimit
Në vendim bëhet me dije se kandididatët e kualifikuar për të përzgjedhur pozicion pune do të vlerësohen në bazë të mesatares së ponderuar, nivelit të diplomës, vendit ku është kryer studimi dhe institucionit të arsimit të lartë si dhe angazhimeve në aktivitetet ekstrakurrikulare, vullnetarizmit dhe skemave të mobilitetit. “Për efekt të procedurës së punësimit të studentëve të ekselencës, sipas këtij vendimi, vlerësohet me pikë mesatarja e ponderuar e diplomës me të cilën kandidati konkurron, përkatësisht mesatarja e ponderuar e diplomës: a) ‘Bachelor’, në rast se kandidati konkurron me këtë nivel diplome; b) ‘Master profesional’, në rast se kandidati konkurron me këtë nivel diplome; c) ‘Master shkencor’, në rast se kandidati konkurron me këtë nivel diplome; ç) ‘Doktor’, në rast se kandidati konkurron me këtë nivel diplome”,-thuhet në Fletoren Zyrtare. Në këtë të fundit nënvizohet se kandidatët do të përfitojnë pikë shtesë mbi pikët e mesatares në rastet kur: studentët janë diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së si dhe studentët që kanë përfunduar studimet jashtë vendit me mbështetje të përfituar nga qeveria shqiptare, për nivelin e diplomës ‘Doktor’ vlerësohet me 170 pikë, ‘Master shkencor’, ‘Master profesional’, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike’, ose të barazvlefshme vlerësohen me 140 pikë si dhe ‘Master profesional’ ose të barazvlefshme me të vlerësohen me 110 pikë, ndërsa për diplomën ‘Bachelor’ ose të barazvlefshme me të do të ketë një vlerësim prej 80 pikësh”. Ndërkohë, DAP-i brenda 5 ditëve pune nga përfundimi i procesit do të publikojë në faqen e tij zyrtare dhe në platformën ‘punetembare.gov.al’ listat e kandidatëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës. Më tej listat e kandidatëve, të cilët kanë përzgjedhur pozicionet e punës për secilin institucion do të dërgohen pranë institucioneve të administratës shtetërore. Këto të fundit do të lidhin kontratat e përkohshme të punës me kandidatët, sipas listës së dërguar nga DAP-i, e cila respekton përputhshmërinë e nivelit dhe të fushës së studimit me kriterin e nivelit dhe të llojit të diplomës për pozicionin përkatës të punës. Për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit civil, në përfundim të kontratës 1-vjeçare duhet t’u nënshtrohen procedurave të konkurrimit, sipas legjislacionit të shërbimit civil.

Rastet me pikë të barabarta
“Në rastet e kandidatëve me pikë të barabarta, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet si më poshtë vijon: në rast se njëri prej kandidatëve i përket kategorisë së personave me aftësi ndryshe, atëherë ka të drejtë të përzgjedhë ai i pari, në raport me kandidatët e tjerë. Në rast se nuk mund të aplikohet alternativa e mësipërme, atëherë e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short, në prani të tyre”, – thuhet në vendim.

Institucionet që përjashtohen
Gjithashtu, në vendimin e Këshillit të Ministrave janë përcaktuar edhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat nuk mund të ofrojnë hapësira pune për shkak të pozicioneve të punës për të cilat kërkohet plotësimi i kritereve të veçanta, në lidhje me vjetërsinë dhe/apo zotërimin e certifikimeve të ndryshme. Në vendim bëhet me dije se këtu përfshihen: Njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit, artit dhe kulturës, Policisë së Shtetit (punonjësit me statusin e Policisë së Shtetit), Shërbimit diplomatik (punonjësit me grada diplomatike), Forcave të Armatosura (punonjësit me grada) dhe institucioneve që aplikojnë sisteme të tjera me grada (punonjësit me grada).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.