AKTUALITET

ISHP mban peng dezinsektimin e vendit në zonat bregdetare e urbane

13:00 - 11.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dezinsektimi i zonave bregdetare dhe urbane mbahet peng nga Instituti i Shëndetit Publik. I planifikuar të niste në pranverë, për dy lote ende nuk ka nisur puna, ndërsa dy të tjerë filluan të dezinfektohen në korrik fiktivisht, pasi nga pikëpamja e rezultatit, ky proces është i dështuar, nëse nuk kryhet në fazën kur insektet janë ende larva. Ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, e cila për shkak të konfliktit të interesit dhe shkeljeve në tender e pezulloi këtë dezinsektim, ndërsa mori masa drastike edhe për vlerësuesit mes të cilëve Genc Burazeri, nëndrejtori i pezulluar nga ministrja e Drejtësisë (aktualisht ende në punë), kushëri me ish- ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, që në cilësinë e anëtarit të KVO-së fillimisht ia dha tenderin një prej shefave të sektorëve brenda institucionit të ISHP. Ndërkaq që Albana Fico, drejtoreshë e ISSH as nuk e mori mundimin të zbatojë masat disiplinore të Antikorrupsionit në Kryeministri, pikërisht për tenderin që ka shkelje të hapur të të drejtave të pjesëmarrësve dhe nota të forta preferenciale në dhënien e tenderit. Aktualisht loti 1, prefektura Shkodër, Lezhë dhe loti 4 prefektura Vlorë s’ka ende shërbim dhe tenderi është rihapur, por me kushte të ndryshuara nga i pari, pra i njëjti tender me kushte që ndryshojnë rrugës.




Shpallja e tenderit
Në datën 2 mars 2019 është bërë shpallja e tenderit me fond limit total 133,319,249 milionë lekë, me autoritet kontraktuese Instituti i Shëndetit Publik, me objekt: “Shërbimi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane”, për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, i ndarë në 4 lote. Pas kësaj, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, KVO, ka shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik “Akademia e Shëndetit Publik Labyrinth”. Sipas hulumtimeve tona, kjo kompani, bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, fillimisht rezulton të këtë qenë në emër të Dritan Balës, i cili njëkohësisht mban pozicionin e shefit të një prej sektorëve në ISHP. Kompania më vonë ka kaluar në emër të së shoqes së Dritan Balës, znj. Afërdita Bala. Ndërkohë, një prej anëtarëve të KVO-së është nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Genc Burazeri. Në këtë situatë të krijuar, a është bërë një vlerësim i drejtë për përzgjedhjen e fituesit të tenderit, bazuar në kriteret e përcaktuara apo është favorizuar kompania e punonjësit të ISHP-së?

Antikorrupsioni, “furtunë” në ISHP
Në 2 maj 2019, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion deklaroi për mediat se gjatë kontrollit nga Task Forca Antikorrupsion pranë Kryeministrisë janë konstatuar shkelje të rënda gjatë procesit të prokurimit për këtë tender. “Strukturat Antikorrupsion kanë verifikuar në Institutin e Shëndetit Publik, Tiranë, zbatimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë procesit të prokurimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm siç është ‘Shërbimi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane’, për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Në përfundim të kontrollit u konstatuan disa shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik, veçanërisht të rënda në kuadër të procesit të vlerësimit të ofertave sikundër dhe në fazën e shqyrtimit të ankesave, duke evidentuar se nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve”, – tha ministrja e Drejtësisë. Kjo e fundit rekomandoi 8 masa disiplinore si më poshtë:

“Largim nga puna”, bazuar në legjislacionin përkatës, për anëtarët e KVO-së, konkretisht:
-Nëndrejtorin e përgjithshëm të Institutit të Shëndetit Publik.
-Përgjegjësin e Sektorit të Sëmundjeve Infektive.
-Mjekun në Sektorin e Sëmundjeve Infektive.
Gjithashtu janë rekomanduar masat “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave, për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht: përgjegjësin e Departamentit të Informimit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikacionit. 2 Specialistë në Sektorin e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe në Sektorin e Kërkimit në Popullatë si dhe “Vërejtje” për përgjegjësin e Sektorit të Laboratorëve (Shëndeti dhe Mjedisi) specialistin Entomolog. Janë rekomanduar gjithashtu edhe masa administrative për përmirësimin e veprimtarisë të institucionit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore në bazë të shkeljeve të konstatuara nga inspektimi i kryer nga Task Forca Antikorrupsion. Deklarata e plotë e ministres së Drejtësisë https://www.drejtesia.gov.al/neësroom/lajme/deklarate-per-shtyp-mbi-rezultatet-e-luftes-kunder-korrupsionit-4/

Sa janë zbatuar masat?
Burime konfidenciale nga ISHP bëjnë me dije se nëndrejtori i ISHP nuk është shkarkuar dhe vazhdon ende të shkojë në punë, pavarësisht masës për shkarkim nga detyra të dhënë nga ministrja e Drejtësisë. “Nëndrejtor në ISHP është Genc Burazeri. Nuk e di në cilën orë mund ta gjeni sot në zyrë. Edhe specialistët që shkarkoi ministrja vazhdojnë të vijnë në punë”, – na thonë burime nga ISHP për “Gazeta Shqiptare”. Ndërkohë në 10 qershor 2019, Genc Burazeri shfaqet në panel si përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik në Forumin Shkencor për Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve. Në këtë panel ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. MSHMS është treguar indiferente kur e kemi pyetur lidhur me tenderin e dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane si dhe shkarkimin nga detyra të disa prej punonjësve të ISHP që janë kapur në shkelje ligjore. “Drejtoni një kërkesë zyrtare në ISHP”, – është përgjigjja që marrim nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë i drejtohemi kreut të ISHP-së, Albana Fico, për të marrë një informacion të detajuar mbi çështjen e tenderit, por ajo na thotë: “Në kuadrin tënd të gazetarisë, duhet të kuptosh që e para e punës kjo është një gjë që nuk është mbyllur si procedurë, pra është një procedurë që ka filluar, por s’është mbyllur. Deri në përfundim të procedurës dua të respektohet fakti i mbylljes së procedurës. Hajde të flasim për gjëra të vlefshme”, – thekson Fico për “Gazeta Shqiptare” gjatë bisedës që patëm me të. Asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk jep një shpjegim të qartë mbi situatën.
Më datë 28.06.2019 kompanitë “Fatos Lashi” dhe “Pastrime Silvio” ankimojnë në KPP vendimin e anulimit nga autoriteti kontraktor dhe më datë 24.07.2019 del vendimi nga KPP dhe i jep të drejtë autoritetit kontraktor, në këtë rast Instituti i Shëndetit Publik. “ISHP rihap tenderin për shërbimin e dezinsektimit për lotet 1 dhe 4, duke ndryshuar procedurën dhe duke bërë kërkesa që favorizojnë vetëm një operator, që duke qenë distributor i vetëm i këtij produkti, e ka 100% të sigurt fitimin e kësaj procedure si dhe do ofertojë në fond limit pa bërë asnjë ulje duke i sjellë shtetit më shumë harxhime. E gjithë kjo procedurë ka qëne e stisur që nga fillimi i saj për të favorizuar kompaninë ‘NRG’, si dhe duke lënë gjatë gjithë kësaj kohe gjithë bregdetin shqiptar në të 4-ta lotet pa shërbimin e dezinsektimit duke krijuar në këtë rast shumë shqetësime për turistët dhe duke përhapur shumë sëmundje të ndryshme. Shërbimi duhet të fillojë që në mars dhe jo të bëhet për në tetor, sepse procedura mund të zgjasë, duke qenë se do këtë shumë ankesa nga operatorët në lidhje me monopolizimin e produktit që është bërë”, – bën me dije për “Gazeta Shqiptare”, Alban Meça, administrator i bashkimit të dy operatorëve ekonomikë të skualifikuar, përkatësisht “Air” sh.p.k dhe “Truly Nolen”.

Ankimimi
Ndërkohë, Bashkimi i Operatorë Ekonomikë “Air” sh.p.k dhe “Truly Nolen” – degë e Shoqërisë së Huaj sh.p.k, kanë ofertuar si BOE në procedurë e prokurimit me objekt “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane” me nr., reference kryesore REF-11174-02-28-2019. Operatorët ekonomikë të sipërpërmendur kanë bërë disa ankimime në KPP, KSHA pasi e kanë vlerësuar si të padrejtë mënyrën e përzgjedhjes së fituesve të këtij tenderi. Ankimimet janë kryer para dhe pas deklaratës së ministres së Drejtësisë. “Pas skualifikimit të ofertës sonë në mënyrë të padrejtë, BOE jonë ka paraqitur ankesën brenda afateve ligjore pranë AK dhe më pas në KPP. Më konkretisht BOE jonë ka ankimuar në KPP këto procedura sipas referencave të KPP: Nr. 747 Prot., datë 24.04.2019, loti 3 Shërbim dezinsektim në zonat bregdetare dhe urbane prefektura Fier; Nr. 748 Prot., datë 24.04.2019, Loti 4 Shërbim dezinfetim në zonat bregdetare dhe urbane prefektura Vlorë; Nr. 749 Prot., datë 24.04.2019, Loti 1 Shërbim dezinfetim në zonat bregdetare dhe urbane prefektura Shkodër, Lezhë”, – thuhet në kërkesën drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik nga ana e bashkimit të dy operatorëve ekonomikë të skualifikuar, përkatësisht “Air” sh.p.k dhe “Truly Nolen”, me administrator Alban Meça.

Prokuroria dhe fati i tenderit
Pas interesimit tonë mësuam se çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës. Në dosje gjendet raporti i policisë me kallëzimin e Alban Meça si dhe disa deklarata të anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Por në këtë dosje nuk gjendet raporti i antikorrupsionit që fakton shkeljet e bëra në tenderin e dezinsektimit në zonat urbane dhe bregdetare. Në dosje bëhet me dije se deri në 16 maj 2019, nuk ka ende një fitues të tenderit duke e lënë në mëshirë të fatit dezinsektimin e duke mos garantuar një turizëm brenda standardeve të përcaktuara. “Autoriteti kontraktor nuk ka vijuar me krijimin në SPE të njoftimit të fituesit pasi lotet e kësaj procedure prokurimi janë të pezulluara me vendim të KPP-së nr. 747/1; nr. 748/1 dhe 749/1 të datës 26.04.2019”, – thuhet në dosjen që zotëron prokuroria e Tiranës.
Burime konfidenciale nga prokuroria na bëjnë me dije se ende nuk ka nisur një procedim penal për këtë çështje. “Dosja s’ka shumë kohë që ka ardhur në prokurori, ka vetëm pak ditë dhe ne ende jemi në fazë vlerësimi nëse do të nisë apo jo një procedim penal”, – bëjnë me dije nga Prokuroria e Tiranës për “Gazeta Shqiptare”.

Çështje të mëparshme
Nuk është hera e parë që konstatohen shkelje ligjore e nepotizëm në tenderat e shëndetësisë. Nëndrejtori i ISHP-së Genc Burazeri është thërritur edhe në 2014 dhe në 2016 në prokurori për të dëshmuar mbi çështjen e tenderave në shëndetësi. Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se për 2014 nuk shfaqet asnjë e dhënë në sistem, çështje e cila lidhet sërish me tenderin e dezinsektimit në zonat bregdetare e urbane. Ndërsa në 2016, Burazeri, nëndrejtor i ISHP dhe pjesë e KVO është thirrur në prokurori për tenderin e Check-up, homodializës dhe sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Pasi drejtuam një kërkesë me shkrim në Prokurorinë e Tiranës për informacion mbi këto dy çështje nuk morëm një përgjigje zyrtare, në një kohë që burimet konfidenciale na thanë se për çështjen e 2016 (prokurori Endrit Bime), Genc Burazeri nuk ishte i marrë nën hetim. “Ishte një çështje për tenderat e shëndetësisë mesa po verifikoj për Genci është thërritur të dëshmojë si pjesë e ISHP-së”, – bëjnë me dije burime nga Prokuroria e Tiranës, pavarësisht se Burazeri ka qenë pjesë e KVO. Heshtja e institucioneve dhe ping-pongu i përgjegjësive nga njëri institucion në tjetrin deri më tani nuk i ka dhënë një zgjidhje situatës, as për shpalljen e fituesve të tenderit e as për zbatimin e masave disiplinore të dhëna nga Antikorrupsioni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.