KULTURË

Naser Shatrolli: Teatri, kisha e xhamia janë të shenjta

18:00 - 15.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Na e luj nji pjesë pra, meqë je artist. – S’po më vjen o burrë.- A do me mbrojt teatrin? Mbroje pra teatrin. Na e luj i pjesë. Ky është një prej dialogëve të shfaqjes “Fabrika e kukullave”, që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të premten në mbrëmje. Shfaqja me regji të Naser Shatrollit mbërriti në Tiranë në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, godinë e cila rrezikohet nga shembja për shkak të një ligji special të qeverisë, kontestuar nga presidenti e artistët, pasi do i hapë udhë tjetërsimit të truallit e rrafshimit të dy teatrove. Dialogu i mësipërm është përshtatur për skenën që po mbrohet ditë e natë prej 20 muajsh nga artistë e qytetarë.
Pjesa e shkruar nga Mentor Haliti ka në qendër një pronar që “keqtrajton” punonjësit e vet, duke e trajtuar punën që bëjnë si lëmoshë ndaj tyre, mosrepsketimit e të drejtave të tyre dhe përdorimin e tyre kundër njëri-tjetrit.




Regjisori Naser Shatrolli tha se shfaqja ka të bëjë me skenën e Teatrit Kombëtar, e cila për të është një skenë e veçantë. “Ne ju përgjigjëm ftesës së organizatorëve. Jo doemos jemi të njëanshëm. Duam që mesazhet të jenë unifikuese e të jenë në adresë të të gjithëve. Shteti shqiptarë të gjejë gjuhën me artistët e ta sjellë një verdikt për këtë objekt e për këtë vrap të jashtëzakonshëm, që është duke u bërë ditë e natë”, thotë ai.
Nën interpretimin e Butrint Lumit, Rina Krasniqit dhe Amar Havzijit përreth një orë e me një skenografitë thjeshtë, “Fabrika e kukullave” ishte një ravijëzim i vendeve të punës në botët shqiptare e ballkanike, ku e drejta e punonjësit mbaron ku nisin dëshirat e punëdhënësit, ishte një ravijëzim i kompanive që nuk respektojnë, individin, njeriun, as profesionistin, duke e keqpërdorur shpesh pushtetin e dhënë.

Më herët, Shatrolli tregoi që “erdhëm enkas nga Prishtina për të sjellë mesazhe ndërmjetësuese, që politika shqiptare, le të gjejë që sot udhëzimin e drejt me komunitetin artistik, për Teatrin Kombëtar, të cilët po vuajnë pran portës së teatrit ditë-natë, për të ruajtur atë aromën e skenës së vjetër, mbi të cilën kanë hapëruar lloj-lloje këpucësh, nga breza të shumtë aktorësh e regjisorësh! Një pjesë e tyre sot nuk jetojnë, porse, kjo skenë do na kujtonte fytyrat e tyre, kambanat e jehut të tyre teatror, çdo gjë të tyre përmbi gjysmë shekulli”.

Sipas tij, nëse shteti nuk gjen komunikim me artistët, e nesërmja do të jetë në mjegull. Ai thotë që duhet gjetur një paqtim real, sepse teatri duhet të ketë një të ardhme si e ka pasur deri sot. “Ne përpiqemi që edhe me këto kushte, me gjenerator, që shfaqja të ketë rrjedhën e vet”, – vëren regjisorin.
Megjithëkëtë, shfaqja “Fabrika e Kukullave” flet për një sharlatan që i përdor njerëzit si marioneta, sepse ka në dorë ligjin. “Është shfaqje kundër njerëzve që ushtrojnë një diktat. Është një tragjikomedi, ku presidenti i fabrikës ka shkaktuar pakënaqësi. Drama ka kontekstin e përgjithshëm politik në të, të një gjeografie të gjerë. Teatri është kritik si mision, kritik karshi çdo gjëje”.
Kur Shatrolli pyetet se sa të vështirë e ka individi të mos bëhet marionetë, përgjigjet se është shumë e vështirë. “Shumë të vështirë e ka kur sheh gjendjet në të cilat janë njerëzit. Individi është i pafuqishëm sot për sot kudo ku është. Është e vështirë, se ka ndrydhje, keqtrajtim, se nuk është i mbrojtur. Por ne duhet të punojmë e të japim ide që të mos shndërrohemi në marioneta. Shoqëritë kudo në botë, qofshin në Paris a kudo, kanë zgjedhë modele të ndryshme dhe i kanë fituar të drejtat e tyre. Ky është mesazhi i shfaqjes, që njerëzit nuk bën të nënshtrohen duhet të ngrihen”, thotë Shatrolli.

I pyetur nëse ka ardhur vullnetarisht, ai pohoi. “Ne kemi ardhur vullnetarisht prej Prishtinës e vijmë prej vullnetit të mirë. Nuk e kemi menduar në asnjë moment komoditetin. Kemi ardhë prej kolegëve si Neritani e Roberti. Uroj që të ketë një ujdi. Se klima nuk është e mirë në trojet shqiptare. Ka shumë fërkime dhe ne nuk na duhen fërkimet. Ne duhet të ecim para”.

Shatrolli thotë se edhe ata janë të shqetësuar dhe se e fton politikën të ulet me artistët e të flasin me ta.
Duke cituar profesorin e tij, Enver Petrovci, ai tha se kisha, xhamia e teatri e kanë të njëjtën peshë, janë të shenjtë.
“Fabrika e Kukullave” mori duartrokitjen e të pranishmëve në sallën e teatrit, ku prej datës 24 korrik që teatri është rihapur, në të janë organizuar 15 aktivitete kulturore.
Te “Fabrika e kukullave”, presidenti qoftë nga pamja, po ashtu edhe për nga të bëmat e tij duket sa qesharak po aq dinak, sa komik po aq tragjik, sa injorant po aq i zgjuar, sa kokëbosh po aq i gjithëditur. Fabrika gjendet në një situatë kritike në momentin që punëtorët do të bëheshin pa dashje marionetë e vullnetit të një sharlatani që ka në dorë ligjin. Kukullat të lodhura nga presionet rutinore do të organizojnë protestë të madhe për ta bllokuar presidentin, mirëpo për të krijuar pasiguri në mesin e kukullave do të marr një punëtor të ri (brezi i ri) me të cilin do të manipuloj për të futur pasiguri brenda punëtorëve të fabrikës. Drama në vetvete përmban përplot dromca komike, brenda një konstelacioni absurditeti, e sendërtuar në frymën e teatrit eksperimental nga aktor dhe aktrim modern, veshje dhe skenografi moderne, muzikë origjinale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.