AKTUALITET

Drafti, sanksionet e BE për Rusinë dhe Iranin të detyrueshme edhe për ne

18:00 - 16.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria do të zbatojë në mënyrë të menjëhershme të gjitha sanksionet që do të vendosë Bashkimi Europian, përfshi këtu edhe ato ndaj Rusisë apo edhe Iranit. Vendimet e Bashkimit Europian pritet të jenë të detyrueshme pasi qeveria ka paraqitur në Kuvend një projektligj të veçantë “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura jo vetëm nga OKB ku jemi anëtarë me të drejta të plota por edhe nga Bashkimi Europian ku synojmë të anëtarësohemi. “Shqipëria zbaton sanksionet ndërkombëtare të vendosura nga KS-ja dhe masat shtrënguese të BE-së, të cilat ndiqen në përputhje me angazhimet e politikës së jashtme të Shqipërisë, që rrjedhin nga neni 8, i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e 2006 (MSA).




Aktualisht, vendi ynë zbaton ato masa shtrënguese ndërkombëtare të ndërmarra në kuadër të rezolutave të KSOKB-së, natyra e të cilave lidhet me terrorizmin apo financimin e terrorizmit, bazuar në ligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, – thuhet në relacion. Por, më tej theksohet se ka një boshllëk ligjor lidhur me masat shtrënguese që nuk lidhen me terrorizmin apo financimin e tij, por që kanë të bëjnë me financimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe që lidhen me zbatimin e drejtpërdrejtë të rezolutave të dala në zbatim të kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, për shtetet anëtare të saj. Ky ligj do të zbatohet ndaj subjekteve për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në çdo formë të cenimit të paqes, sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, demokracisë, të drejtave të njeriut, të shpallur nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aktet e organizatave të tjera ndërkombëtare dhe në bazë të këtij ligji, të kryera brenda ose jashtë territorit të Shqipërisë.

“Subjektet, ndaj të cilave vendosen masat shtrënguese ndërkombëtare sipas këtij ligji, janë: shtetet; personat fizikë; personat juridikë; organizimet ligjore dhe entitete të tjera. Masat shtrënguese ndërkombëtare vendosen, zbatohen, ndryshohen dhe shfuqizohen në bazë të: rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB; akteve të detyrueshme, të miratuara nga organizatat e tjera ndërkombëtare, ku Shqipëria është shtet anëtar; akteve të BE; nenit 9, të këtij drafti”, – thuhet në nenet e këtij projektligji që pritet të miratohet nga Parlamenti. Në nenin 5 të draftit janë përcaktuar llojet e masave shtrënguese zbatim të vendimeve që Shqipëria duhet të ndërmarrë si pjesë angazhimeve të saja në organizmat apo institucionet ndërkombëtare. Këtu përfshihen: ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike; masat shtrënguese financiare; ndërprerja e plotë ose e pjesshme e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe financiare; ndërprerja e korrespondencës, lidhjeve postare, telegrafike, telekomunikacionit dhe lidhjeve të tjerave të komunikimit; ndalimi i transferimit, ndërmjetësimit, tregtimit, transportit, transitimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, dhënies së asistencës teknike dhe financiare, në lidhje me armët dhe pajisjet ushtarake jashtë vendit; ndalimi i hyrjes dhe kalimit transit në territorin e Shqipërisë të personave fizikë të huaj. Gjithashtu parashikohet që në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt; bllokimi i përkohshëm i aseteve që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë; masa të tjera shtrënguese në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë. Deri më tani Shqipëria si një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian ka zbatuar pjesërisht sanksionet ndaj palëve të treta për të cilat dhe që janë marrë nga Bashkimi Europian. Por me miratimin e këtij ligji këto sanksione që do të ndërmarrë BE do të jenë detyruese edhe ligjërisht për Shqipërinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.