OPINION

Magjia e të qenit Petronins

07:45 - 16.09.19 Teuta Braçaj*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këtë vit, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” feston 60-vjetorin e themelimit të tij. Ndihemi krenarë për këtë rrugëtim të bukur që kjo shkollë ka bërë, duke ruajtur fort dhe zhvilluar më tej trashëgiminë madhore dhe të rëndë të emrit të saj. Emrit të një prej rilindasve më të shquar të historisë së Shqipërisë, Mësuesit të Popullit, publicistit dhe pionierit të hapjes së shkollave shqipe në Kolonjë dhe Ersekë, drejtuesit të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Petro Nini Luarasit. Një trashëgimi epokale kjo, e ruajtur me kujdes, përkushtim dhe e mbartur me sukses në këto gjashtë dekada, nga një ekip-plejade mësuesish dhe nxënësish shembullorë, për disa arsye.




Së pari, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, përfaqëson një shkollë komunitare dhe shkollë elite. Ajo ka qenë e aftë të rrisë breza  nxënësish që e kanë provuar veten të suksesshëm dhe rezultativë në të gjitha sferat e jetës.

60 vjet i thonë tre breza jete! Ka kaq shumë punë, dashuri për dijen dhe mësimdhënien dhe rezultate, të ngërthyera të gjitha bashkë në këto 6 dekada. Suksesi i shkollës i dedikohet në radhë të parë një stafi pedagogjik të përgatitur, të ndershëm dhe të përkushtuar. Me këtë rast, kujtojmë me veneracionin më të lartë kontributin e një grupi të jashtëzakonshëm mësuesish dhe drejtuesish të shkollës që nga viti i parë i themelimit 1959, e deri më sot. Drejtuesit në vite të shkollës, Riza Hajro (1959-1966), Ylvi Basha (1966- 1967), Manol Muçko (1968-1969), Rudolf Paparisto (1970-1986), Jetmir Aliçka (1986-1989), Violeta Qirjazi (1989-1992), Gjergj Konomi (1992-2002), Kostandina Çollaku (2002-2006), Diana Kalemi (2006-2014) dhe Teuta Braçaj (2014 e në vazhdim). Po kështu, në këtë 60-vjetor kujtojmë me respekt dhe nderim të thellë me dhjetëra e dhjetëra mësueset dhe mësuesit e mëparshëm të institucionit. Përulemi përpara kujtimit të atyre mësueseve dhe mësuesve që nuk janë më mes nesh, që falën pa kursyer energjitë, pasionin për lëndën, deri duke sfiduar shëndetin e tyre, për të edukuar brezin e ri. Është një mal i pamatë dashurie dhe përkushtimi që këta mësues kanë falur ndër vite dhe dekada, për të cilin do t’u jemi përjetë mirënjohës, si atyre që nuk janë më dhe atyre që kemi fatin t’i kemi ende mes nesh.

Së dyti, shkolla “Petro Nini Luarasi” identifikohet me nivelin e lartë të mësimdhënies dhe disiplinës në realizimin e programit mësimor. Cilësia e mësimdhënies dhe besnikëria e përkushtimi ndaj programit mësimor e ka bërë këtë institucion publik të nxjerrë personalitete që kanë shkëlqyer në shkencë, art, kulturë, pedagogji, politikë etj., me suksesin e të cilëve krenohemi të gjithë. Ndër ta, më lejoni të përmend Prof. Dr. Skënder Gjinushin, ish-Kryetar i Parlamentit dhe Kryetar i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Marenglen Spiron, ish-Rektor i Universitetit të Tiranës, Dr. Përparim Kabon, studiues dhe publicist i njohur, Prof. As. Dr. Sonila Boçi Pepivanin, historiane e njohur, , Prof. Dr. Milena Shahu (Aliaj), pedagoge e kimisë në universitetin Georgestoun në Nju Jork, Vilson Ahmeti, ish-Kryeministër i kohës shumë të vështirë të tranzicionit tone të parë, Albert Brojka ish-Kryebashkiaku i parë i Tiranës, Ilir Trebicka, basketbollisti i njohur dhe sipërmarresi ndërtues po aq i njohur, Faruk Sejdini, ish-trainer i klubit sportiv Dinamo, Vera Grabocka, regjisorja e madhe e spektakleve artistike, Bujar Kapexhiu, aktori i mirënjohur dhe vinjetisti më i madh i Shqipërisë, Kastriot Gjini, kompozitori i shquar, Lydra Tapia në 100 e shqiptarëve më të suksesshëm në USA,Valbona Selimllari Miss-i i parë, Gisela Bramo Miss Tirana, Alketa Vejsiu, prezantuesja e njohur, Elsa Lila, këngëtarja jonë e madhe e me radhë. Numri i ish-nxënësve që janë kthyer në personalitete të vendit në fushat ku kanë kontribuar nuk ka mbarim.  Nga kjo shkollë doli grupi i parë historik  i këngës së lehtë shqiptare, i quajtur “Matura 72”, grupi “Ritfolk”, “2Farm”, “Produkt 28”, “West Side Family” etj.

Është tipar i pandashëm dhe traditë tashmë e shkollës ndër dekada prania gjithnjë në rritje e nxënësve të ekselencës. Vetëm në Maturën 2019, shkolla renditi 36 maturantë me mesataren e notave 10.00. Në provimet e maturës shtetërore 2019 me notën 10 u vlerësuan në matematikë 57 nxënës, në gjuhët  anglisht dhe frëngjisht 203 nxënës, ndërsa në lëndët me zgjedhje 163 nxënës.

Së treti, shkolla “Petro Nini Luarasi” përbën një djep profesional dijesh, pse reflekton investimet e kryera në të, duke ngritur ndër vite e dekada laboratorë mësimore model për kohën, këndin sportiv më te mirë në Republikë, duke rregulluar estetikisht mjediset brenda dhe jashtë shkollës, për ta kthyer institucionin në një eksperiencë aq të pashlyer e të bukur jete. Dua të theksoj rikonstruksionin kapital të shkollës të kryer në vitin 2001, që i solli asaj pamjen që ka sot dhe e ktheu në një shkollë me standarde mjedisesh pune dhe aktivitetesh. Në vitin 2011, shkolla aplikon kurrikulën (programin mësimor) me zgjedhje, ku nxënësit i zgjedhin lëndët sipas preferencave.

Meritat preferenciale (lëndët e zgjedhura), si dhe vlerësimi i Maturës Shtetërore kanë ndikuar drejtpërdrejtë në përzgjedhjen dhe vijimin e studimeve universitare për maturantët tanë. Për arritje të spikatura në Maturën shtetërore 2014, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Rinisë i ka dhënë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” certifikatë vlerësimi. Shkolla është përfshirë vazhdimisht në projekte dhe nisma nga Ministria. Të tilla kanë qenë pilotimi i laboratorëve digjitalë, ku nxënësit zhvillojnë orë mësimi me tableta dhe tabela interaktive; realizimi i videove tutoriale për nismën “3 lëndë në 6 orë” në lëndët letërsi, gjeografi, filozofi dhe informatikë; pilotimi i oficeres së sigurisë në shkollë në vitin 2018. Në vitin 2014 shkolla jonë si qendër komunitare ishte e vetmja shkollë e tillë në Tiranë. Shkolla “Petro Nini Luarasi” është shquar gjatë gjithë kohës për numrin e lartë të nxënësve me notën mesatare mbi 8, ndërsa ende vijon të mbajë koeficientin më të lartë ndër gjimnazet e Republikës për numrin e nxënësve që kanë vazhduar shkollat e larta Brenda dhe jashtë vendit. Biblioteka e shkollës zë fill me themelimin e saj. Ka qenë vazhdimisht funksionale dhe e pasur me tituj të larmishëm. Ka 925 botime autorësh, nga të cilët 336 janë të huaj dhe 589 autorë shqiptarë. Në vitin 2011 u krye katalogimi digjital i librave të saj. Sot biblioteka është jo vetëm funksionale për leximin, por shërben edhe si një qendër e zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme të shkollës.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, vjen magjia e të qenit PETRONINS. Tharmi, elementi unik që të tërheq dhe të magjeps tek ky institucion, kur thua petronins, nënkupton një mjedis klubesh të vullnetarizmit, matematikës, të fizikës, të gjeografisë, të biznesit, të gjuhëve të huaja etj.; një mori veprimtarish nga të gjitha sferat dhe interesat e jetës; një mjedis ku ndërthuret natyrshëm cilësia e procesit të mësimdhënies dhe përvetësimit të dijeve, pra formimi shkencor i nxënësve të saj, me eksperiencën dhe formimin në radhë të parë njerëzor dhe qytetar. Kjo i dedikohet tërësisht dashamirësisë dhe përkushtimit të stafit pedagogjik të shkollës. Shkolla është ndër institucionet më komunitare në Republikë, djep nismash nga më të larmishmet, nga ndihma për më të moshuarit në projektin “Adopto një të moshuar” të Komunitetit të San Exhidios në Shqipëri tek dhënia e abetareve shqip për disa shkolla në Itali, ku mësohet shqip; tek pjesëmarrjet e suksesshme në konkurse artistike, në ese për Bashkimin Evropian, në gara sportive; tek  historia e klubit rinor PNL “Youth Club”, i mbushur me aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, për Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës e shumë nisma të tjera në komunitet; apo tek Klubi i Biznesit, i formuar në vitin 2001, i  cili 11 vite më vonë krijoi kompaninë “Hakuna Matata” dhe e përfaqësoi Shqipërinë në një konkurs ndërkombëtar për nismat e sipërmarrjes së nxënësve të shkollave të mesme në Londër, duke u radhitur ndër 9 skuadrat më të mira pjesëmarrëse; apo tek Klubi “Alba Junior”, i cili me mbështetjen e ambasadës italiane në Tiranë, ka realizuar një sërë aktivitetesh, ndër të cilat spikat në maj 2017 fitimi i vendit të dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kinemasë GEF, Edicioni i 19-të, me temë “Festivali Botëror i Kreativitetit në Shkolla”, me finalet në San-Remo në Itali.  Institucioni mban vendin e parë mes gjimnazeve të vendit, për nga pjesëmarrja dhe numri i nxënësve fitues në olimpiada, konkurse dhe aktivitete të tjera shoqërore, artistike e sportive.

Kur thua petronins, nënkupton një institucion ku qeveria e nxënësve funksionon jo vetëm në letër; ku senati i parë i shkollës e nisi aktivitetin që në vitin 1997, si një projekt me ndihmën e fondacionit “Soros”, me një mori aktivitetesh shoqërore, kulturore dhe artistike, duke e gjallëruar jetën në shkollë. Në prill 1998, senatorët tanë udhëtuan për në SHBA dhe eksperienca e marrë atje shërbeu si pikënisje për formatimin e një tradite të gjatë binjakëzimesh me senate të shkollave të mesme në vend dhe jashtë. Në vitin 2017 u realizuan binjakëzimet me senatet e shkollës së mesme “Gjon Buzuku” në Prizren dhe me atë të shkollës së mesme në Comachio të Italisë.

Shkolla është mjedisi ku betimi i senatorëve dhe senatoreve të klasave ka vlera dhe emocione reale; ku liria e të shprehurit të nxënësit është kusht “sine qua non” për demokracinë e mirëfilltë arsimore; ku zbatimi rigoroz i kurrikulës mësimdhënëse nuk përjashton sfidën ndaj nxënësve që të arsyetojnë në mënyrë analitike, të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të argumentojnë në mënyrë kritike; ku aktivitetet bashkëpunuese me shkollat e tjera partnere brenda dhe jashtë vendit, si dhe projektet dhe aktivitetet jashtëmësimore kultivojnë miqësi të qëndrueshme.

Ja përse të qenit petronins është edhe një mënyrë të menduari. Është frymëmarrje e panjollë e mendimit intelektual të nxënësve dhe shkollë e rrjeteve rinore. Është mjedis ku nxënëses dhe nxënësit i nxitet pavarësia, forca e karakterit dhe i nxitet talenti natyral që ka. PNL i sfidon nxënësit e tij të jenë të talentuar, të guximshëm, intelektualë dhe të angazhuar në kërkime të rëndësishme përtej klasës. Duke ua dhënë të plota mundësitë e të shprehurit në nisma dhe projekte, në gara dhe konkurse, në binjakëzime dhe vizita të ndërsjella. Ky kombinim mes mësuesve, mjedisit dhe zellit, pasionit e kontributit të nxënësve e ka shndërruar  “Petro Nini Luarasin” në një eksperiencë unike për gjimnazistin e djeshëm, të sotmin dhe atë të nesërm.

* Drejtore e shkollës së mesme publike “Petro Nini Luarasi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.