KULTURË

“Konflikt interesi”, Aleanca për Teatrin kallëzim për Maznikun e Fushën

18:00 - 17.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë dje një kallëzim për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dhe biznesmenin Shkëlqim Fusha i cili ka bërë ofertën e pakërkuar për ndërtimin e teatrit të ri me PPP. Shkak për këtë kallëzim është fatura e publikuar në media ku Fusha i ka paguar hotelin në Barcelonë nënkryetarit të bashkisë, ndërkohë që vetë bashkia është institucioni i ngarkuar me ndjekjen e procedurave për çështjen e Teatrit Kombëtar. Sipas Aleancës, pagesa e hotelit të një zyrtari publik nga një individ privat përbën shkelje të ligjit për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”.




DEKLARATA
Pas kallëzimit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë një deklaratë për mediat pëems të cilës i drejtohet Prokurores Elisabeta Imeraj dhe Prokurores ë Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku,
Aleanca vë në dukje së pari, që në portalet online është publikuar një faturë (pagesës me kartë krediti) me numër 1166177309 që bëhet nga shtetasi Shkëlqim Fusha në favor të shtetasit Arbjan Mazniku në një hotel të Barcelonës (ALMA Barcelona), e cila mban datën 21.06.2018.
“Ndaj këtij publikimi nuk ka pasur një përgënjeshtrim nga ana e Bashkisë Tiranë dhe as nga ana e shtetasit Arbjan Mazniku, madje në një dalje për Zërin e Amerikës nga nën/kryetari i Bashkisë Tiranë është pranuar vërtetësia e kësaj fature dhe se ai kishte fjetur në Barcelonë me pagesë të shtetasit Shkëlqim Fusha. Fakti është që në këtë rast nuk është paguar nga Firma “Fusha” për Bashkinë dhe as për delegacionin, siç pretendon Bashkia, por nga karta personale e z.Fusha për z.Arbjan Mazniku”, shton Aleanca. Më tej, ajo rendit nenet, ku një pagesë e tillë bie në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Ligji Nr. 9367, datë 07.04.2005, për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” në nenin 23 të tij përcakton: “Ndalimin i marrjes së dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale” duke theksuar se “është e ndaluar që një zyrtar të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat”. Mandej në nenin 244 të Kodit Penal përcaktohet se: “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”.

Në vijim neni 248 i Kodit Penal përcakton se: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.” Në bazë të disa neneve, Aleanca thekson se nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku ka shkelur detyrimin për deklarimin e kësaj dhurate pranë ILDKPI-së në formularin periodik vjetor të interesave private ashtu siç përcaktohet në faqen 8 të formularit, çka e bën Aleancën të mbërrijë në konkluzionin se nënkryetari i Bashkisë Tiranë ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit. “Nisur nga fakti që Bashkia Tiranë, është institucioni i ngarkuar drejtpërdrejtë me VKM nr. 352, dt. 04.04.2019, për zhvillimin e procedurave shoqëruese për zbatimin e Ligjit Special, të kaluar në Parlament në Tetor 2018, ku firma ‘Fusha’ sh.p.k, në më shumë se një rast, është shpallur publikisht, nga titullarë të lartë të qeverisë dhe Bashkisë, si firma kryesore pretendente për ndërtimin e Teatrit Kombëtar në një kauzë publike të denoncuar si aferë me të dhëna të dukshme korruptive, për një periudhë 18-mujore nga ne si Aleancë; në zbatim të akteve ligjore në fuqi, të cituara më sipër, ne argumentojmë se pagesa e akomodimit të Nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku nga Shkëlqim Fusha, ortaku i vetëm dhe administratori i “Fusha” sh.p.k, është në konflikt të pastër interesi, dhe në këto kushte i gjithë i procesi në zbatim të VKM-së sipërcituar, duhet të hetohet, dhe përgjatë kësaj kohe, duhet të shpallen të pavlefshme të gjithë hapat procedurale të ndërmarra deri tani në rastin e Teatrit Kombëtar”, thekson grupimi i qytetarëve dhe artistëve që po mbrojnë Teatrin.

Në fund ata i referohen një situate të ngjashme në Durrës. “I referohemi dhe rastit të 3 gjyqtarëve të Apelit Durrës, për të cilët KLD-ja mori masa disiplinorë, dhe prokuroria filloi procedimin penal, vetëm se një subjekt në konflikt interesi, kishte prenotuar biletat e ndeshjen në Madrid në stadiumin ‘Santiago Bernabeu”- thuhet në deklaratë. Ata kanë kërkuar fillimin e procedimit penal në ngarkim të Arbjan Mazniku, me cilësinë e Nënkryetarit të Bashkisë Tiranë dhe Shkëlqim Fusha me cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Fusha” sh.p.k, për kryerjen e veprës penale shpërdorim detyre dhe të korrupsionit aktiv dhe pasiv, parashikuar nga nenet përkatëse, të paraqitura në objektin e kallëzimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.