KULTURË

Kujtim Çashku: Nga filmat e censuruar, te njeriu mes mureve

18:00 - 19.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Kujtim Çashku vjen në “Gazeta Shqiptare” në një bisedë për edicionin e 14-të të Festivalit të Filmit “Për të drejtat e njeriut” që po mbahet në datat 16-21 shtator. Nga tema e sivjetshme e festivalit “Injoranca vret” te modeli që ofron ai për filma që dalin nga qendra e Tiranës drejt periferive. Profesori, kineast në zë në vend, flet edhe për shkollën që drejton duke folur edhe për përdorimin e fondit (110 milionë lekë) që i dha qeveria për të mbështetur aktivitetet kulturore.




– Profesor, festivali mbërrin në edicionin e tij të 14-të. Si ka qenë ky udhëtim?

Produkti tashmë lidhet me një traditë. Çdo vit konsolidohet një pozicion, si shkallët që i ngjit një nga një. Një pjesë e madhe e filmave janë premierë te ne, ndaj negociatat bëhen më të vështira. Një film i mirë, kur bëhet fjalë për t’i marrë të drejtat për ta shfaqur, kushton. Kjo na shërben për ngritjen cilësore të festivalit dhe është një ftesë për audiencën se janë filma që shfaqen vetëm njëherë. Krahas kësaj, ne operojmë edhe me filma që janë censuruar në vendet e tyre të origjinës, si filmi hungarez, ku aktorët jetojnë në Portugali ku kanë marrë azil dhe vijnë këtu për filmin e tyre. Ky lloj kombinimi, i krijuesve, produktit dhe audiencës shqiptare është një risi interesante. Tashmë jemi anëtarë të Networkut Ndërkombëtar të Festivaleve të të Drejtave të Njeriut.
Në rang botëror, janë vetëm 41 festivale si ky, sepse nuk është festival zbavitjeje, është provokim i dilemave të shoqërisë moderne. Kur flasim për temën e festivalit “Injoranca vret”, del pyetja çdo të thotë kjo dhe analiza bëhet deliakte.

Ne jemi sot në një komunikim në atë që është bota e internetit, operojmë me inteligjencë artificiale e në të njëjtën kohë operojmë me përditshmërinë e jetës sonë. Kjo, njëherësh ka krijuar sipërfaqshmërinë e komunikimit, dhe kjo, nëse nuk arrihet të bëhet në një mënyrë organike, për zgjerimin e hapësirës ndjesore e mendore të njeriut, dhe jo të shkojë njeriu te izolimi i vetes, është e dëmshme. Pra, në pamje të parë duket se njeriu bëhet më social, por nga ana tjetër, je individualisht je krejtësisht i izoluar. Shpesh kemi qenë të papërgatitur për ato që kanë ndodhur. Europa u përfshi ka një dyndje emigracioni e kjo krijoi fondamentalizmat, radikalizmat, racizmat, që u shoqëruan me tela, me gardhe e me mure. Jetojmë pra, në një kohë që çdo zgjerim hapësirë ka pengesat e veta. Ashtu sikurse thashë që muret mund të na izolojnë ne si individë, duke komunikuar vetëm në internet, ashtu edhe janë edhe në tokë, mure, gardhe, tela. Kjo lloj bote e ka vënë individin në një dilemë të madhe për të ditur si do e projektojë të ardhmen e vet.

– Sa ka ndryshuar shoqëria jonë në këto 14 vite që mbahet festivali. Jemi ndërgjegjësuar për të drejtat e njeriut, por shohim çdo ditë se si shkelen ato. Si mundet t’i flasë ky festival shoqërisë, si mund ta ndryshojë shoqërinë shqiptare, sepse Europa ka sisteme funksionale për rastet kur të drejtat e njeriut shkelen?
E para, nuk është një festival që mundet vërtetë të hedhë një dritë se si mundet të vetëdijësohet shoqëria shqiptare për të drejtat e njeriut. Unë do e projektoja shumë më thellë, që nga fetusi i nënës, si ajo e krijon raportin me fetusin; lindja e fëmijës, procesi arsimor e atëherë do shohim që shoqëria do të konturojë veten në raport me njohjen e të drejtave që shkojnë paralel me detyrimet. Sot, në atë sallë keni një grup që vuan dënimin në burgje si minorenë dhe një grup që janë maturantë të “Sami Frashërit”. Të dy palët janë gati moshatarë, një pjesë janë të dënuar dhe janë me gardianët të tjetër janë me mësuesit e shkollës. Pas filmit, aty do ketë një diskutim. Të lirët projektojnë veten që një ditë mund të jenë të dënuar e të dënuarit projektojnë veten se pse nuk e gëzojnë edhe këta mundësinë për të qenë të lirë. Një festival po e bën këtë në një sallë me 120 veta. Por po ta zgjerojmë do shohim se si mund të ndërthurim aktivitet e procesit arsimor dhe peizazhin kulturor. Ne nuk duhet t’i përqendrojmë aktivitetet te “Kali i Skënderbeut”, nuk duhet të harrojmë se Tirana është 1 milion banorë. Ne po i shfaqim filmat në 7 vende në Tiranë për 6 ditë, po sikur të shtrihej më gjerë ky peizazh? Jashtë qendrës së Tiranës janë edhe 800 mijë banorë e jeta e tyre nuk mund të jetë pa aktivitete prej të cilave mund të përfitohet më tepër se sa duke ndenjur në kafehane orë pafund.

– Ju do i kishit shfaqur po të kishte kinema?
Nuk do të thotë vetëm sallë kinemaje, edhe pse janë të domosdoshme. Me pajisjet që janë sot, mund të shkohet nëpër vende dhe të krijohet me minibashkitë e me qendrat rinore, të krijohet një jetë komunitare më gjerë. Shtrirja që do ketë Festivali Ndërkombëtar i Të Drejtave të Njeriut nuk do jetë më vetëm 6 ditë, por do të shkojmë në qytetet e tjera të Shqipërisë për të çuar filma që ngjallin debate. Vjet kemi bërë diçka me Voskopojën, por sivjet do të shtrihemi në Vlorë dhe në Shkodër. Me programe ku janë katër shkolla që janë dygjuhëshe me gjuhën italiane, që është bërë me mbështetjen e ambasadorit Alberto Cutillo, por do përpiqemi të shkojmë në minibashkitë e qyteteve. Kjo nuk varet vetëm nga dëshira, por edhe nga infrastruktura dhe mbështetja.

– Sa e vështirë është të gjesh buxhete për festivalet?
Janë tri forma: një pjesë janë në platformë, një pjesë që futen e aplikojnë dhe një pjesë janë nga Akademia Europiane e Filmave, një pjesë nga Selecti ku janë shkollat më të mira të filmit ku është edhe “Marubi”, një pjesë vijnë nga rrjeti i festivalit. Ka më pas edhe filma që i marrim edhe pa pagesë, sepse negociohet, sepse ne nuk shesim bileta. Filmi i Marco Bellochios kushtoi 500 euro një shfaqje, po janë 3 filma 1500 euro. Është punë një vjeçare e 30 veta që punojnë për të.

– Sivjet, Marubi ka marrë një lloj fondi nga qeveria për aktivitetet kulturore. A është ndihmë kjo?
Në radhë të parë ne aktivitetet i kemi bërë prej 16 vitesh falas. Siç e dini, 16 vjet rresht Akademia Marubi ka shfaqur “E Marta italiane”, “E mërkura franceze”, “E enjtja gjermane”, “E premtja spanjolle” dhe “SaturdayMovieScreen”. Ka qenë një aktivitet që e kemi bërë flas për të mbajtur një politikë policentrike, për të sjellë audiencë dhe kemi krijuar një traditë e gjithnjë falas. Në këtë rast ishte një kontribut që dha qeveria shqiptare, për dy faktorë të rëndësishëm, qoftë për atë që do të bëjmë shtrirjen e aktiviteteve në qytete të tjera, por edhe për një lloj kontributi për çfarë bëmë për 16 vjet falas për audiencën, për shkollat e universitetet e për atë që ne e quanim ‘të dashuruarit e kinemasë”. Kjo ka lehtësuar shumë në të njëjtën kohë pagesën e studentit. Studenti tani tek Marubi paguan vetëm 2 mijë euro për të bërë filmin e tij dhe siç e dini, çdo student këtu kur mbaron shkollën ka së paku 6 filma në valixhen e tij. Po të llogarisësh produketin që një student realizon në Akademinë Marubui, kosto pra sa kushton një film, ju kuptoni sa kontribuese është Marubi te jeta e studentit. Jo vetëm për ta kualifikuar por edhe për produktin që shoqëron jetën e tij. Ne kemi 330 filma që i kemi në arkiv dhe një pjesë e studentëve tanë kanë çmime në botë ose kanë arritur në çerekfinalen e OSCAR-it. Jemi të gëzuar të një gjeneratë e kienastëve të rinj ka dalë nga Marubi.

– Cili është filmi që jeni krenar që keni sivjet në festival?
Janë tre. Është filmi “Tradhtari” i Marco Belloçhios, është filmi “Kujdestari i qenve” i Garones dhe filmi që mbyll festivalin që është fantastik “ColdWar” i Pawel Pawlikowski , dhe që është kandidat për OSCAR.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.