KULTURË

Ish-ministrja dhe këshilltari i kryeministrit në Francë, në debatin për romanin e Ylljet Aliçkës

15:00 - 20.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është vënë në qendër të debatit “Emigracioni politik në Europë”, të zhvilluar në Paris, ku u diskutua mbi temën e ndjeshme të emigracionit europian dhe rastit shqiptar. Në kuadrin e ciklit të konferencave “Lexime europiane”, Shtëpia e Europës në Paris, drejtuar nga ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ish-ministre e Kulturës së Francës, Katerinë Lalymiere, zhvilloi një takim-debat marrë shkas nga botimi në Francë i romanit “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, me temë “Emigracioni politik në Europë”.




Katerinë Lalymiere, Ylljet Aliçka dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, filozofi Yannick Prost debatuan në prani të medieve dhe të ftuarve nga mjediset akademike franceze. Lulymiere bëri një analizë të romanit duke evokuar me këtë rast sfidat e emigracionit në Francë dhe bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë mbështetur në kujtimet e vizitave të saj në Shqipëri si sekretare e përgjithshme e Këshillit të Europës. Sipas Yanick Prost, këshilltar pranë kryeministrit francez dhe profesori i Universitetit “SciencePo”, Franca dhe Europa kanë nevojë të rimendojnë aksionin e tyre e sidomos kontratën e tyre sociale, pasi kriza e madhe e emigracionit dhe demagogjitë politike ekstremiste rrezikojnë demokracinë dhe përgatisin terrenin për ardhjen e “Mbretërisë së Atilës”, fenomene këto mjaft mirë të trajtuara në romanin e Aliçkës.

ATSH shkruan se këshilltari i kryeministrit francez theksoi se artistikisht ky roman ka zbuluar edhe thelbin e emigracionit. Sipas tij, emigrantët ndiejnë mungesë të dyfishtë si në vendin e pritjes dhe në atë të origjinës. Për këtë, ai mori shembullin e familjes Popa tek romani. Shkrimtari dhe ish-diplomati, Aliçka në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se “ky moment ishte ngjarje me rëndësi dhe nuk qe thjesht promovimi te lexuesi, por ajo çka provokoi. Pra, romani im u bë shkas për ngritjen e një debati në instancat e larta që merren me problemin aktual të emigracionit. Botimi në Francë i këtij romani mbi aspektet shpirtërore e psikologjike të emigracionit u mor si model analize për të provokuar një debat më të gjerë mbi sfidat e emigracionit në përgjithësi”.

Me nostalgji Katerinë Lalymiere risolli në vëmendje tri vizita në momentet kyçe në historinë e Shqipërisë. Ajo kujtoi vizitat në 1991, 1997 dhe 1999. Ajo e cilësoi “Valsin e Lumturisë” një roman politik nga më të spikaturit, i cili sipas saj, u bë burim i këtij debati. Aktiviteti u ndoq ‘live’ nga kanali kryesor “Franceinfo”, kanal i parë radios në shtetin francez. Romani “Valsi i lumturisë” mbështet në një ngjarje të vërtetë. Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në ambasadën italiane në Tiranë. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hynë në ambasadën italiane, duke u hequr si turistë dhe aty kërkuan menjëherë strehim politik. Shteti totalitar i kohës pësoi një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar së fundmi në Francë nga shtëpia botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri). Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge, shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera: “Një roman i shkruar me art dhe dinjitet”, ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër: “Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional. Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.