Kryesore

“Bashkimi i kontributeve”, Oketa: Kryesia e PD-së të hedhë hapa konkretë

12:00 - 30.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa u kthye një vit më parë në shtëpinë e tij politike. Por ai është i bindur se dera e hapur e PD-së për bashkimin e kontributeve ndër vite, rikthejnë të djathtën në pushtet.
Si anëtar i Këshillit Kombëtar, ai fton në Partinë Demokratike të gjithë ish-funksionarët demokratë, por edhe intelektualët dhe qytetarët e vendit të bashkohen për ta bërë sërish fituese opozitën. Z.Oketa thotë për “Gazeta shqiptare”, se rotacioni politik eshtë i pashmangshëm por PD-se i kujton se duhet të bëje premtime të thjeshta dhe të realizueshme. Sipas tij, qeveria ka rënë moralisht dhe në gjykimin e tij një palë zgjedhje e rrëzojnë juridikisht. Pavarësisht kësaj, Gazmend Oketa e sheh të vështirë shkëputjen e Edi Ramës sipas tij nga ‘ortakëria’, me krimin, përpjekjet e Ilir Metës i quan serioze për t’i dhënë një mundësi zgjidhjes së krizës politike, ndërsa për Lulzim Bashën thotë se pavarësisht skepticizmit, koha i dha të drejtë politikave të tij opozitare si në deklarata ashtu dhe në qëndrime…




Shqipëria mori një “Po” me kushte për hapjen e negociatave me BE-në. Përse vit pas viti ka kushte të reja për vendin tonë?
Gjykoj se po-ja e dhënë nga Bundestagu është një po për Shqipërinë, ndërsa kushtet e vendosura, janë kushte të cilat i vendosen qeverisë shqiptare. Them qeverisë shqiptare dhe jo politikës shqiptare, pasi vetëm kushti për reformën zgjedhore kërkon dhe përfshirjen e opozitës, ndërsa kushtet e tjera janë posaçërisht për qeverinë. Fakti se në vend që Shqipëria të merrte ftesën pa asnjë kusht, siç e mori Maqedonia e Veriut, merr një ftesë me shumë kushte tregon regresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre gjashtë viteve që Rilindja ka marrë drejtimin e vendit. Edhe këtë ftesë më kushte, më së shumti gjykoj se e kemi përfituar për shkak të “llogarive” gjeopolitike të vendeve anëtare të BE dhe për shkak të vullnetit të tyre për të mos i ndarë të dy vendet në këtë proces. Penalizimi i Maqedonisë së Veriut për shkak të Shqipërisë do zbehte besueshmërinë e BE në rajon. Vendimi i marrë e shmang këtë efekt negativ dhe i hap më së shumti rrugën Maqedonisë së Veriut për të ecur e pavarur nga progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë.

Nisur nga gjendja kritike në të cilën ndodhet Shqipëria, a besoni se kushtet e vendosura nga Gjermania janë rruga që çon drejt zgjidhjes së krizës së thellë politike, institucionale dhe ligjore ku është futur vendi?
Secili nga kushtet e vendosura së pari, tregon një njohje shumë të mirë të situatës në vend nga ana e politikës Gjermane. Ndikimi i tyre në zgjidhjen e krizës varet nga përgjegjshmëria dhe vullneti i kryeministrit shqiptar. Them se varet nga vullneti i kryeministrit, pasi sot Shqipëria është thjesht një sistem kryeministror dhe jo një republikë parlamentare siç duhej të ishte. Sot kryeministri i vendit kontrollon të gjitha pushtetet. Pushtetin ekzekutiv, legjislativ, atë të drejtësisë, si të drejtësisë së vjetër ashtu dhe atë të drejtësisë së re, si dhe pushtetin mediatik. Shtoi këtyre pushteteve dhe bashkëpunimin me botën e krimit dhe paratë e pista dhe kështu krijohet panorama e plotë e kushteve të vendosura për t’u zgjidhur. Nëse z. Rama në rastin më të mirë mund të fillojë të tërhiqet nga katër pushtetet e para, gjë që nuk ka asnjë shenjë se mund të ndodhë, e shoh të vështirë tërheqjen e tij nga ortakëria që ka bërë me krimin e organizuar, pasi ky i fundit funksionon me “rregulla’ të tjera.

Një betejë e gjatë politike e opozitës kundër Edi Ramës, por ai sërish është në pushtet. Si mund të shkohet drejt zgjidhjeve ligjore? Çfarë e zgjidh konkretisht krizën politike?
Fatkeqësisht Shqipëria ka shkuar drejt një modeli monist, dhe modele të tilla nuk lënë shumë hapësirë për zgjidhje demokratike. Modelet demokratike perëndimore tregojnë se në raste krizash politike, drejtuesit politikë kanë ditur të vendosin fatet e vendeve të tyre përpara fateve personale politike. Në rastin tonë, kriza nuk është thjesht politike. Gjatë këtyre 30 viteve tranzicion, Shqipëria ka pasur vazhdimisht kriza politike, dhe në çdo rast, në fund, me pluset apo minuset e veta, është gjetur një zgjidhje apo një kompromis politik. Kriza aktuale politike në raport me krizat e mëparshme ka një faktor shtesë, i cili ndikon negativisht dhe e pengon zgjidhjen e krizës. Ky faktor shtesë, i cili më parë nuk ka ekzistuar, është marrëdhënia dhe varësia që z. Rama dhe Rilindja, kanë krijuar me botën e krimit dhe pushtetin ekonomik. Nëse më parë, partitë politike konsultoheshin me kryesitë apo forumet drejtuese të tyre për të dalë me një zgjidhje politike, në krizën aktuale, z. Rama konsultat apo dakordësinë duhet ta marrë jashtë strukturave politike, pasi marrëveshjet për koncesione, PPP, tenderë, ndërtime shumëkatëshe ku pastrohen miliona euro, i ka bërë me individë të cilët kryesisht janë jashtë strukturave politike. Ka dhe disa prej tyre të cilët z. Rama i ka veshur me pushtet politik duke i bërë deputet apo kryetarë bashkie, pavarësisht se ligji i dekriminalizimit e pengon një gjë të tillë, pikërisht i diktuar nga bota e krimit e cila përveç pushtetit ekonomik tashmë ka shtrirë ndikimin dhe përfaqësimin edhe në pushtetin politik. Këta individë nuk kanë as formimin dhe as gatishmërinë për të hequr dorë nga përfitimet marramendëse edhe pse shumica janë përfitime të paligjshme. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të mund ta çlironin si Shqipërinë, ashtu dhe vetë Partinë Socialiste nga uzurpimi që bota e krimit i ka bërë si ekonomisë ashtu dhe politikës shqiptare.

Presidenti Ilir Meta sipas jush me vendimet e tij e ndihmoi apo e ndërlikoi edhe më tepër krizën në vend?
Gjykoj se institucioni i Presidentit të Republikës, bëri një përpjekje serioze për ti dhënë një mundësi zgjidhjes së krizës politike. Nëse reagimi ndaj asaj përpjekje do kish qenë më i përgjegjshëm nga ana e z. Rama, mendoj se sot një pjesë e mirë e kushteve të vendosura nga parlamenti gjerman nuk do të ekzistonin dhe kriza politike do kish hyrë në rrugën e zgjidhjes.

Opozita ka mbetur jashtë institucioneve, ndërkohë që mazhoranca vazhdon të marrë të gjitha pushtetet. PD po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik, përfshi edhe funksionimin e vetë partive, por, nëse bëhet një gjë e tillë dhe Edi Rama do të jetë sërish kryeministër, a duhet të hyjë PD në zgjedhje?
Opozita është deklaruar gjithmonë se është e gatshme të marrë pjesë në votime, me kushtin që ato të jenë të lira e të ndershme, dhe një proces të tillë e shikon dhe si mundësinë e vetme të zgjidhje së krizës. Ato të cilave ju i referoheni me z. Rama kryeministër, janë votime dhe jo zgjedhje. Mjafton të rikujtojmë përgjimet e prokurorisë, të cilat u bënë publike, për të kuptuar se ku është dallimi i zgjedhjeve me votimet. Kur “çunat problematik” marrin përsipër të shkaktojnë “tërmet” me intensitet sa ata e dëshirojnë, dhe të caktojnë rezultatin e zgjedhjeve, zgjedhjet e lira kanë vdekur. Procesi është thjesht votim. Kur drejtues politik të PS, marrin urdhra për dorëzimin e listave të punonjësve tek trafikantë droge, kur mësuesit kërcënohen me pushim nga puna, nëse nuk votojnë hapur Rilindjen, e kam të vështirë të gjej një dallim midis këtyre votimeve dhe votimeve që organizoheshin në kohën e diktaturës komuniste. Z. Rama mund të jetë përsëri kryeministër i Shqipërisë nëse qytetarët me vullnetin e tyre të lirë, e vendosin një gjë të tillë. Deri tani rezulton se z. Rama është kryeministër për shkak të vullnetit të “çunave problematikë”. Pikërisht vullnetit të qytetarëve, më duket se z. Rama i trembet, dhe prandaj është më i interesuar të zvarrisë qeverisjen dhe Shqipërinë deri në zgjedhjet e vitit 2021, sesa të bëjë atë që çdo lider me parime demokratike do e bënte. Të tërhiqej, t’i jepte vendit qetësinë e duhur për të shkuar më pas në një garë të ndershme zgjedhore.

A rrezikon opozita që të dalë jashtë sistemit pasi një opozitë e re po tenton të evidentohet brenda Kuvendit?
Duket si lojë fjalësh, por, në fakt, ne nuk kemi më sistem. Sistemi ynë politik është totalisht në kolaps, pikërisht për shkak të përfshirjes në të dhe në vendimmarrje të botës së krimit. Ajo që ka synuar të bëjë opozita me largimin e saj nga kuvendi është pikërisht dalja nga pozicioni i opozitës si fasadë politike. Nëse ne do të kishim një drejtësi funksionale dhe të pavarur, e cila së paku do të kishte zgjidhur dosjen e Dibrës dhe atë të Durrësit, sigurisht opozitës do t’i përcillej mesazhi se drejtësia funksionon dhe se në zgjedhjet e radhës ky fenomen teorikisht nuk do të ekzistonte më. Në këto kushte besoj se opozita do të vazhdonte të bënte betejën e saj politike në Kuvend. Por, në vend që z. Rama të distancohej nga të fortët e votimeve dhe t’i kërkonte drejtësisë të vepronte, ai i mori në mbrojtje politike dhunuesit e zgjedhjeve, bëri “kazan” cilëndo media që e kritikoi, përfshirë dhe Zërin e Amerikës”, një pjesë prej tyre i shpërbleu duke i emëruar kryetarë bashkie në votimet moniste të 30 qershorit.

Ulja e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore a është një sinjal se palët po shkojnë drejt zgjidhjes së ngërçit politik?
Nuk është thjesht faji i Kodit Zgjedhor që ne nuk kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Personalisht jam shprehur vazhdimisht për nevojën e ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe të administrimit jopolitik të tij, duke shkuar edhe më larg se thjesht rekomandimet teknike të OSBE. Tek kushtet e vendosura nga Bundestagu, kushti i reformës zgjedhore më së shumti gjykoj se është vendosur për të krijuar mundësinë e uljes së palëve në një tryezë sesa si një kusht i cili po u plotësua do të garantoj zgjedhjet, apo do të përmbushë dhe kushtet e tjera. Pa u çliruar mazhoranca nga ndikimi i botës së krimit, pa u dënuar ata të cilët kanë kryer krim zgjedhor ashtu siç edhe ligji e parashikon, nuk ka kod zgjedhor që të përmbushë standardet e zgjedhjeve si në vendet e BE.

Pas reformës në drejtësi, reforma zgjedhore është më e rëndësishmja, por a po shihet kjo reformë si retushim ligjesh apo që garanton nesër votën e lirë?
Kemi tre vjet që flitet shumë për reformën në drejtësi por akoma nuk kemi parë rezultatet e saj. Sot vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një Prokuror të Përkohshëm në emërtim, por të përhershëm në veprim pasi pothuaj prokurori i përgjithshëm aktual po plotëson një mandat pa sjell asnjë rezultat pozitiv, përkundrazi ka mbyllur apo hapur çështje sipas interesit politik të mazhorancës. Pa u plotësuar kushtet, po citoj kushtet e parlamentit gjerman: të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” dhe kushti i ndjekjes penale për akuzat për shitblerjen e votave, çfarëdo ndryshimi që t’i bëhet Kodit Zgjedhor, produkti i zgjedhjeve do të ishte i njëjtë dhe ato përsëri do të ishin thjesht votime.

Si mund të kemi institucionalizim të dialogut mes forcave politike në vend dhe jo dialog për ndarje pushteti?
Duke ndërtuar së pari, një sistem demokratik me ndarje të qartë pushtetesh dhe me një sistem “check and balance” funksional. Një sistem drejtësie i pavarur, korrekt e i ndershëm, i pandikuar politikisht do të krijonte kushtet për një normalitet të jetës politike, largimin apo mosafrimin në politikë të individëve të cilët e shohin atë thjesht si biznes për përfitime ekonomike dhe jo si një mundësi për ti shërbyer interesit publik dhe qytetarëve qe i kanë zgjedhur. Një sistem i tillë do të bënte që çdo krizë të ishte thjesht politike dhe zgjidhja të vinte nga vetë sistemi politik, e jo nga faktorë jashtë saj e aq më tepër faktorë të inkriminuar.

PD kërkon, pranga për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale. Sa të mundshme janë ato kur Edi Rama ka bërë të qartë se mandati i tij do të mbyllet në vitin 2021?
PD kërkon thjesht respektim të ligjit, i cili dënon me burgim ata të cilët kryejnë krime zgjedhore. Normalisht një gjë të tillë duhej të kërkonte edhe mazhoranca, por duke qenë se ajo është palë me dhunuesit e zgjedhjeve dhe është përfituese nga përfshirja e “çunave problematik” nuk e kërkon një gjë të tillë por përkundrazi e mbron dhe e promovon. Largimi i z. Rama nga kryeministër dhe krijimi i kushteve për zgjedhje nëpërmjet një qeverie teknike nuk është një tekë e PD. Mund t’i lejohej cilido ta konsideronte të tillë, ende pa dalë përgjimet e bëra publike nga gazeta gjermane BILD, por pas daljes së provave se z. Rama ka bashkëpunuar me botën e krimit për të marrë pushtet, kërkesa për largimin e tij është krejt normale dhe legjitime. Në një vend demokratik, një kryeministër i përgjegjshëm, largohet vetë akoma pa ia kërkuar opozita, pikërisht në emër të moralit politik. Tek ne mazhoranca fshihet pas sistemit të drejtësisë, të cilin e kontrollon totalisht, dhe nuk merr asnjë përgjegjësi politike. I vetmi rast kur z. Rama kërkon të shfaqë një lloj morali politik, është kur thotë se do të qëndrojë deri në vitin 2021. Në fakt, me kontrollin që ai ka mbi gjithçka, me kontrollin që ka mbi çdo pushtet, me mjetet dhe instrumentet që ai përdor, duket që objektivi i tij është viti 2051.

PD ka ftuar të gjithë ish-funksionarët e lartë të saj, njerëz me kontribute ndër vite që t’i bashkohen së djathtës ndërkohë që ju i parapritë një thirrje të tillë më herët dhe sot jeni anëtarë i Këshillit Kombëtar të PD-së. Kujt i drejtohet konkretisht thirrja e lidershipit të partisë…?
Ftesa shkon edhe më gjerë se ish funksionarët apo njerëzit e angazhuar politikisht. Unë do ta ndaja në dy pjesë për ta sqaruar më mirë idenë. Së pari, ftesa është për cilindo qytetar, të ri apo të re, për cilindo mësues, mjek, inxhinier, fermer, ushtarak, të cilët janë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale. Ftesa për ta nuk është detyrimisht ftesë për angazhim politik, por është ftesë për kontribut si qytetar për të mundësuar jo thjesht rotacionin politik, por rindërtimin e sistemit demokratik shqiptar, shkëputjen e politikës nga krimi dhe kthimin e vendimmarrjes tek qytetarët. Së dyti, ftesa shkon tek të gjithë ata ish-funksionarë të cilët, jo thjesht për faktin se mund të kenë pasur pozicione drejtuese, por për faktin se kanë bindjet, identitetin dhe kahun politik tek PD. Eksperienca e tyre, bashkimi i kontributeve gjykoj se do të ishte një vlerë e shtuar si për PD ashtu dhe për opozitën në tërësi, duke mundësuar krijimin e një fronti më të gjerë opozitar. Por që kjo ftesë të funksionojë, gjykoj se PD nuk duhet të mbetet vetëm në deklarime mediatike, por funksionarë të ngarkuar nga kryesia të hedhin hapa konkret për të mundësuar angazhimin e tyre.

Si e shikoni drejtimin e opozitës nga Lulzim Basha në përballjen me mazhorancën e majtë?
Koha është treguesi më i mirë dhe elementi që sqaron qëndrimet apo veprimet e cilitdo individi apo force politike. Pavarësisht një lloj skepticizmi që mund të ketë pasur ndaj tij kur ai mori detyrën e kryetarit të PD-së, si dhe investimit të jashtëzakonshëm në propagandë anti Basha të z.Rama me qëllim krijimin e një imazhi jopozitiv për kreun e opozitës, koha duket se i dha të drejtë si deklarimeve ashtu dhe qëndrimeve të z.Basha. Kanabizimi i vendit, kriminalizimi i parlamentit dhe lidhjet e Rilindjes me botën e krimit, vjedhja në bashkëpunim me krimin e organizuar e zgjedhjeve, aferat korruptive të qeverisë me koncesionet pafund, PPP apo tenderët si ai i “Unazës së Re” apo ligji special për shembjen e “Teatrit Kombëtar” janë fakte që flasin më shumë se çdo deklaratë politike dhe që në fund i japin të drejtë denoncimeve dhe qëndrimeve të opozitës.

Opozita e bashkuar është në fazën finale të përgatitjes së një platforme për daljen nga kriza ku demokratët do të japin alternativën e tyre qeverisëse përballë shqiptarëve. Kjo platformë e afron atë me pushtetin? Si mund të shkohet drejt rotacionit politik dhe çfarë e bën atë të mundshëm…?
Mënyra se si ka keqqeverisur Rilindja, sigurisht ka krijuar të gjitha kushtet për një rotacion të pashmangshëm politik. Por kjo nuk mjafton. Opozita duhet që të mos kënaqet se do të vijë në pushtet thjesht se kjo mazhorancë nuk mund të qëndrojë më në këmbë, por ajo duhet që të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë, duhet t’i drejtohet qytetarëve së pari, me një alternativë të besueshme, me premtime të thjeshta dhe të realizueshme, t’i garantojë ata se qeverisja e ardhshme nuk do të jetë thjesht ndryshim emrash, por do të jetë ndryshim sistemi, se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve apo bizneseve pranë tyre. Ne nuk do t’i kërkojmë qytetarëve “timonin”, për t’ia dhënë më pas atë dhe Shqipërinë, botës së krimit apo bizneseve të tyre, por për ta drejtuar Shqipërinë në rrugën që i takon dhe për ta kthyer atë në një fole të çdo shqiptari pavarësisht bindjeve apo kahut politik që ai mbështet. Qeverisja aktuale moralisht dhe politikisht është e rrëzuar, duhen vetëm një palë zgjedhje korrekte për ta rrëzuar atë edhe juridikisht. Sa më shpejt që kjo të ndodhë, aq më mirë është për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.