SHËNDET

ISHP: Kanceri i gjirit, ekzaminimi në kohë ju shpëton jetën

16:00 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit dhe konsiston në rritjen jashtë kontrollit dhe përhapjen e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen, formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal te gjirit. Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse sëmundja nuk ka një shkaktar të vetëm. Instituti i Shëndetit Publik jep disa këshilla të vlefshme për të gjitha gratë e vajzat në mënyrë që të parandalojnë në kohë sëmundjen e të mos rrezikojnë jetën.




Faktorët e riskut
Faktorë rreziku për kancerin e gjirit janë: mosha mbi 50 vjeç, pasja e një kanceri gjiri më parë, histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauzës; ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2; histori familjare me kancer të ovarit. Gjithashtu, faktorë të tjerë risku janë: femrat që nuk kanë lindur fëmije ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më të madhe se 30 vjeç; menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç; menopauzë pas moshë 50 vjeç; përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite; densitet të shtuar të indeve të gjirit; një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze; trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare; mbipesha dhe obezitet sidomos në menopauzë; përdorimi i alkoolit; duhanpirja; marrja e kontraceptivëve nga goja në mënyrë të pakontrolluar nga mjeku; dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrë shtazore si dhe moskryerja e aktivitetit fizik. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve ndodh në gratë në moshë mbi 50 vjeç.

1565985 Press Pictures: Copyright hqdefault cancro-al-seno-3
<
>

Diagnostikimi
Nëse jeni një nga këto gra me risk të lartë për kancer gjiri, mund të keni mundësi të kryeni: teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomadimet; vlerësim të riskut gjenetik; disa trajtime parandaluese si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike. Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për kancer gjiri mund t’ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur është shumë i trajtueshëm. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues ndonjëherë mund të diagnostikohet kancer kur nuk është, ose nuk diagnostikohet kur ka kancer. Megjithatë, testet depistuese shpëtojnë me mijëra jetë. Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit. Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.

Vetëkontrolli i gjirit
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, për të pasur gjinj të shëndetshëm, duhet të fillojmë me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme, se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj, kjo vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre. Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit të tyre vetëm duke parë dhe ndjerë ndryshimet në gjinjtë e tyre. Kështu që kontrolloni, prekni dhe shikoni të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe nën sqetulla. Është normale për gjinjtë tuaj që t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Ndaj, të kuptuarit ç’është normale për ju, do t’ju ndihmojë të njihni dhe të dini çfarë t’i raportoni mjekut. Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri. Ndaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim si: gjëndër apo kokërr në gji ose nën sqetull, ndryshim në formë ose në madhësi të gjirit, ndryshim në lëkurën e gjinjve tuaj si gropëza ose tërheqje, skuqje, ënjtje në gji, rreth tyre apo nën sqetull, futje brenda të thumbit së gjirit, rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit, kore ose luspa në thithen e gjirit, puçrra të imta në maje të gjirit apo rreth tij, dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit tuaj, apo nën sqetull. Pritja për rezultatet e ekzaminimeve nuk është e lehtë. Nëse ju i raportoni një ndryshim mjekut tuaj, ose mamograma që ju keni bërë tregon diçka që nuk është normale, ju do t’ju duhet të bëni disa ekzaminime të tjera për të parë nëse është kancer apo jo. Ju nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancer gjiri, si sëmundjet tuaja familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por mund të jeni të aftë të ndryshoni disa faktorë, si peshën tuaj apo se çfarë duhet të konsumoni. Kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses nëse zbulohet në kohë.

Për zvogëlimin e rrezikut tuaj

-Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme.
-Kryeni rregullisht aktivitet fizik.
-Konsumoni ushqime me yndyrë të paktë.
-Konsumoni perime dhe fruta.
-Mos konsumoni alkool.
-Konsultohuni me mjekun për kontraceptivët.
-Mos pini duhan dhe eliminoni duhanpirjen pasive.
-Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj.
-Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.