OPINION

Kosova e mundi populizmin!

07:45 - 08.10.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qytetarët e Kosovës, me votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të zhvilluara dy ditë më parë, shpartalluan politikanët që mbajtën mbi kokë për 12 vjet rresht dhe që i kishin (keq)qeverisur. Çliruan veten nga ish-“çliruesit”! Nga të dehurit nga pushteti i pakufishëm që gjetën mes duarve dhe që, në shumicën e rasteve, nuk ditën si ta përdornin, duke e keqpërdorur. Nga seriali i dështimeve në ekonomi, në privatizime dhe nga qeverisja me slogane e me zvministra pa fund. Nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan në vitet 1998-1999, por që kur erdhi puna për të qeverisur vendin, u treguan të paaftë dhe u munduan ta mbulonin këtë paaftësi dhe nepotizmin e pafytyrë që pollën, duke sjellë në ndihmë populizmin. Duke mos luftuar sa duhet (madje në disa raste edhe nxitur) abuzimin, arrogancën në qeverisje dhe korrupsionin. Ish-komandantët arritën deri aty sa të silleshin si bajlozi i përrallës, duke i zënë popullit kosovar të ardhmen evropiane. Dhe dy ditë më parë u ndëshkuan nga vota qytetare. Sidomos u ndëshkua krye-populisti, ish-kryeministri Haradinaj, që e bëri si batuta e famshme e filmit “Duel i heshtur”. E modifikuar në realitetin kosovar me shprehjen ”Po puna e dorëheqjes ishte lojë!”. Në fillim qytetarët e Kosovës dhe përtej saj besuan në tronditjen e Haradinajt përpara kamerave kur kumtonte për herë të dytë pas 14 vjetësh nga parlamenti, se do të jepte dorëheqjen, për të mos dëmtuar Kosovën (meqë e kishin thirrur për t’u pyetur në Gjykatën e Hagës). Dorëheqja e parë nga kryeministër në vitin 2005, vërtet ngjiti tek kosovarët dhe e ndihmoi vendin.




Por kjo e dyta nuk arriti të ngjiste. Sidomos. kur provokoi zgjedhjet e parakohshme, ndërsa ende qëndronte në detyrë. O rri o ik! Por jo kështu, as mish as peshk. Kjo gjendje zbuloi përpara qytetarëve lojën populiste për të qëndruar në pushtet, duke provokuar zgjedhje të parakohshme. Një lojë e egër për pushtet e ish-komandantëve të UÇK-së, që e zhgënjeu përfundimisht atë pjesë të pavendosur dhe jo-militante të zgjedhësve në Kosovë. Dhe këto zgjedhje të parakohshme shënuan rritje të pjesëmarrësve, në krahasim me ato të rregulltat e fundit. Dhe qytetarët vendosën të dënonin ithtarët e lënies së Kosovës në ndjenjat e përziera të kohës së luftës dhe genocidit. Jo! Kosova sot është realitet krejt tjetër. Edhe pse ato plagë të tmerrshme të gjenocidit dhe dëbimit duan gjenerata për t’u shëruar, Kosova duhet të gjejë drejtpeshimin e saj. Për të qëndruar fort në interesat e veta si shtet sovran, por pa rrënuar ekonominë. Ajo ka përparësi krejtësisht të tjera, dhe i duhet të largohet përfundimisht nga nacionalizmi i sëmurë. Për të çuar përpara bisedimet tejet të vështira me Serbinë, duke thirrur pranë(dhe jo larguar e përjashtuar me veprime) mbështetësit e saj të natyrshëm, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Për të ndjekur jo me fjalë e deklarata pompoze, por me punë konkrete përafrimin me Bashkimin Evropian. I cili vjen vetëm duke luftuar korrupsionin galopant, nepotizmin dhe paaftësinë e ngritur në sistem. Kosova ka një rini ende të padëshpëruar, të cilës duhet t í besojë dhe përfaqësuesit e saj më të zotë e të përkushtuar t’i vendosë në poste drejtuese në administratë. Sikurse kosovarët i besuan dy politikanëve relativisht të rinj, por fare të panjollë, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Të cilët mund të kenë gjithçka në kurrikulat dhe pasionet e tyre. E sigurtë është që nuk kanë asnjë hije populizmi(të shtirurit se po përfaqëson interesat e njerëzve, duke folur gjuhën e tyre, por në thelb duke mos patur asnjë plan konkret për të realizuar pritshmëritë e tyre). Të populizmit që ngërtheu në 3 vitet e fundit Evropën Perëndimore dhe atë Lindore, nga Holanda në Hungari, pas valës së refugjatëve sirianë. Të partive populiste si të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë, që zunë vend në parlamentet e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe kanë përparuar rrezikshëm nga njëra zgjedhje në tjetrën. Të valës populiste që po tre vitet e fundit kllapoi edhe SHBA-të dhe ende nuk po i lëshon. Kosova i rezistoi populizmit të çlirimtarëve të saj. Të revolucionit që hëngri heronjtë e vet. Qytetarët e shtetit më të ri të Evropës dhanë një shembull të vyer në zmbrapsjen e populistëve të veshur me platforma dhe slogane nacionaliste. Kosova zgjodhi shpresën tek politikanët e saj më të papërlyer dhe mundi populizmin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.