Kulturë

Starton Edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2019”

10:37 - 10.10.19 Gazeta Shqiptare

Fatmir Popja – Elbasani do të shndërrohet sërish në kryeqendrën e artit dhe kulturës përgjatë një jave, nga data 10 deri më 17 Tetor 2019. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” shënon edicionin e tij të 21-të, duke konfirmuar një traditë bindëse në rrugëtimin e tij. Këtë vit, pjesë e festivalit do të jenë 14 trupa teatrore, (të përzgjedhura nga 150 aplikime) një larmi prurjesh bashkëkohore, që vijnë nga Azerbajxhani, Hungaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, SHBA, Kosova dhe qytete të tjera shqiptare.
Përgjatë gjithë ditëve të festivalit do të vihen në skenë gjithsej 17 performanca, jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë, Librazhd, Gramsh e Peqin, apo ambiente të tjera jashtë teatrit.



Artistë të shquar të skenës botërore do të jenë pjesë e këtij edicioni, si artistja e shquar e filmit dhe teatrit Maia Morgenstern (Rumani), Carlos Espinal (SHBA), Tamer Levent (Turqi), Zoltan Balazs (Hungari), por padyshim nuk do të mungojnë edhe artistë të famshëm të skenës e kinematografisë shqiptare, si Margarita Xhepa, Dhimitër Orgocka, Guljem Radoja, etj.

Profili artistik i festivalit “Skampa” është eksplorimi i gjuhës së kultivuar skenike e teatrore, përmes arritjeve bashkëkohore të komunikimit artistik, alternativës dhe eksperimentit skenik e teatror. Çdo edicion ka sloganin e tij brenda këtij profili artistik, duke shënuar një sfidë artistike dhe menaxheriale të vazhdimësisë së tij, përmes ballafaqimit të ideve dhe shkëmbimit të eksperiencave.
Organizimi i festivalit, në këtë edicion të 21-të, vjen si një bashkëpunim i frytshëm mes Asociacionit Artistik A.T.K dhe shoqatës “Tjetër Vizion”, pjesë e Projektit Europian të Creative Europe “Atlass of transitions”, Teatrit Skampa, si dhe mbështetjes së Bashkisë Elbasan, Ministrisë së Kulturës dhe ABI Bank, si sponsor kryesor i festivalit, etj.

333 dsdssd sddssdds dsdsdsds
<
>

Për këtë arsye festivali paraqitet me dy panele, nën sloganet “Shenjat” dhe “Atlas of transitions 2”.
Sipas drejtorit artistik Adonis Filipi, “Skampa 2019, si festival i formave te reja, kërkon të theksojë efektin e fuqishëm që ka natyra diakronike, përtëritëse e gjuhës teatrore, efektin e fuqishëm të prurjeve teatrore përmes këndvështrimit bashkëkohor të artistëve të teatrit. Vetëm përmes këtij efekti, teatri vazhdon të na afrojë më pranë njëri-tjetrit edhe sot, duke hapur kështu shtigje të reja nga shprehjet krijuese në përçimin e së vërtetës.
Bota vazhdon të jetë e trazuar: emgracioni, refugjatët me tragjeditë e tyre kanë dëshmuar se jeta e tyre po kthehet kokëposhtë pa ndonjë shkak të dukshëm. Këta njerëz janë këtu. Ata takohen dhe bisedojnë në teatrin bashkëkohor. Ata kërkojnë përgjigje. Ata simpatizojnë njerëzit në sfida, për një jetë më të mirë, një sens drejtësie.

Ky është tehu tjetër që rrok temën e mësipërme e që vjen me titullin “Atlas of transition 2”.”
Këto dy synime kanë qenë kriteret kryesore në selektimin e prurjeve të këtij edicioni.
Si një event dinjitoz i ballafaqimit të prurjeve bashkëkohore, festivali është parë edhe si një platformë e praktikimit të përvojave bashkëkohore teatrore – si një festival laborator.
Gjatë ditëve të këtij edicioni të 21-të do të mbahen dy workshop-e mbi praktikat teatrore, me studentë, si dhe të tjerë të interesuar për artin skenik, në Elbasan dhe në Tiranë, në Teatrin e Metropolit, ndërkohë që do të zhvillohet edhe një masterklas i drejtuar nga artistja Maia Morgenstern, me studentë të Universitetit të Arteve, në ArTurbina.
Po kështu, vlen të theksohet që Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Kontemporan “Skampa” nuk ndjek vetëm një model kulturor, por njëkohësisht prodhon art e kulture edhe të zhanreve të tjera. Një sërë veprimtarish të ndryshme kulturore do të shoqërojnë festivalin, siç janë koncertet, ekspozitat, aktivitetet letrare, vizitat e artistëve të huaj në objektet historike të Elbasanit, muze, kala, etj.

Shfaqja e parë e edicionit të 21-të

“Jashtë bie borë” titullohet shfaqja e parë e cila do të çelë siparin e edicionit të 21-të, të Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skampa 2019”, në datën 10 tetor. Kjo pjesë, e shkruar nga Vincenzo Salemme, është vënë në skenë nga Teatri Kombëtar i Tetovës, me regji nga Qëndrim Rijani.
“Jashtë bie borë” është një psiko-dramë, e cila nëpërmjet komikes përpiqet të pasqyrojë jetën e përditshme ose realitetin ku jetojmë, marrëdhëniet familjare, veçanërisht në një kohë kur emigracioni është thuajse në kulmin e tij dhe të gjithë kanë dikë në shtëpi, për të cilin duhet të kujdesen. Një shfaqje me tre personazhe tragjikomikë: A do të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi? A do shkojë gjithsecili në punën e vet? A do t’i japin fund jetës apo do jetojnë të lumtur së bashku? Autori e jep përgjigjen në një mënyrë të përsosur. Kufiri ndërmjet normales dhe anormales është vetëm një armë për të pasur pushtet.

Mbi Festivalin “Skampa”

Festivali i parë Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” hapi siparin në vitin 1999 në Elbasan, me sloganin “Format e reja”, në koherencë me zhvillimet integruese evropiane, si i pari festival ndërkombëtar teatror, që i çeli rrugën edhe festivaleve të tjera në Shqipëri.
Ky eveniment, tashmë ka siguruar një traditë të spikatur, me biografinë dhe vokacionin artistik të tij, duke kontribuar mjaft në promovimin e artit shqiptar jashtë vendit, me pjesëmarrjen e një sërë trupash e kompanish në mjaft festivale ndërkombëtare si Itali, Rumani, Rusi, Greqi, Turqi, Belgjikë, etj., si dhe përfshirje në projekte të përbashkëta, work-shop-e dhe seminare të ndryshme.
Festivali “Skampa” është evenimenti më i madh teatror, që zhvillohet në vendin tonë, me pjesëmarrjen e mbi dhjetë trupave në çdo edicion, duke arkivuar mbi 240 shfaqje botërore, mbi 3000 artistë shqiptarë e të huaj dhe mbi 90 000 spektatorë, jo vetem nga rajoni, Evropa, por dhe nga Amerika, Argjentina, Azerbajxhani, Kina, Kili, etj. Nga ana tjetër ai mund të cilësohet edhe si një “Festival Laborator”, pasi aty përfshihet edhe organizimi i veprimtarive ku shpalosen metodat bashkëkohore skenike, në fushën e eksplorimit artistik e menaxherial, përmes seminareve dhe workshope-ve me specialistë nga Amerika, Gjermania, Italia, Turqia, Hungaria, Bullgaria, etj.
Në këtë mënyrë, ky festival është bërë pjesë e trashëgimisë më të re të teatrit shqiptar, ndër më të spikaturit në rajon në shërbim të zhvillimeve bashkëkohore të teatrit, një platformë tërheqëse e edukimit përmes artit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *