AKTUALITET

Reforma në drejtësi, 4 institucione në ngërç për shkak të vetingut

18:00 - 14.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe në mënyrë të veçantë e SPAK-ut dhe BKH-së janë një ndër kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për vijimin e procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë. Por ndërsa kanë kaluar plotë 3 vite nga miratimin i paketës së reformës në drejtësi, përveç Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, asnjë institucion tjetër i vjetër ose i ri nuk është ngritur. Kështu procesi i vetingut ka mundur të skualifikojë deri më tani afro 100 gjyqtarë dhe prokurorë, çka ka sjellë si pasojë shkrirjen e dy institucioneve kyçe siç është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, ndërsa ka bërë të vështirë deri më tani ngritjen e institucioneve të tjera të reja siç është prokuroria speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kështu sipas një monitorimi që ka bërë Komiteti Shqiptar i Helsinkit rezulton se procesi i vetingut për gjyqtarët e emëruar përkohësisht dhe që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në të dyja nivelet ka ecur me ritme shumë të ulëta, duke bërë të pamundur deri më tani ngritjen e këtyre dy strukturave të reja të cilat janë parashikuar që të jenë dhe institucionet që do godasin në mënyrë direkte krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë në vend. Më konkretisht nga 15 kandidatë që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se 10 prej tyre ose 2/3 janë konfirmuar në detyrë në shkallë të parë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.




8 prej këtyre vendimeve kanë marrë formë të prerë, ndërkohë që pjesa tjetër nuk ka marrë ende formë të prerë. Rezulton se për dy subjekte, është ushtruar e drejta e ankimit nga Komisioneri Publik pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Ndërkohë pjesa tjetër e këtyre kandidatëve, rezulton se janë shortuar nga KPK por nuk është caktuar seancë dëgjimore për këto subjekte. Ndërkohë që ritmet e procesit të vetingut rezultojnë të ulëta për gjyqtarët e emëruar përkohësisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe të Apelit, e cila do të shndërrohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, rezulton i konfirmuar vetëm një gjyqtar dhe është shkarkuar një gjyqtar tjetër, nga 15 gjyqtarë në total që janë emëruar përkohësisht dhe duan të jenë pjesë e kësaj strukture të gjyqësorit. Ndërkohë për pjesën tjetër, përkatësisht për 13 gjyqtarë nuk rezulton të jetë zhvilluar seancë dëgjimore nga KPK. Për Gjykatën e Posaçme të Apelit rezulton se janë konfirmuar 5 gjyqtarë me vendim të formës së prerë, nga 11 që është në total numri i gjyqtarëve të emëruar përkohësisht nga KLGJ. Ndërkohë që 5 prej tyre janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 1 subjekt nuk ka filluar procedura e rivlerësimit. Ndërkohë që procesi duket tepër i ngadaltë edhe për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, pavarësisht synimit të shumicës qeverisëse që t’i çojë përpara procedurat për këto dy gjykata deri sa ti bëj efektive dhe të kenë mundësi të marrin vendime. Krahas këtyre 4 institucioneve dhe strukturave të reja të drejtësisë, ende Shqipëria nuk ka një Prokuror të Përgjithshëm që të zgjidhet sipas ligjeve që u miratuan 3 vite më parë. Për pak muaj mbushen dy vite nga zgjedhja e Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme, në pamundësi për të zgjedhur emrin e ri të kreut të akuzës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.