KULTURË

DY KODIKË GREQISHT NË AQSH/ Qarkullimi i ideve iluministe në Shqipëri në shek. XVII-XVIII

10:07 - 15.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Andi Rëmbeci* – Prej kohësh është theksuar domosdoshmëria e studimeve të dorëshkrimeve greke që kanë qarkulluar gjatë shek. XVII-XVIII në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, për të njohur e kuptuar tërësinë e komponentëve që luajtën rol të përveçëm gjatë periudhë kritike parapërgatitore, mbartëse e brumosjeve thelbësore të riorganizimit kulturor.
Shek. XVIII shënon një rritje të guximshme të numrit të librave në greqisht që qarkullonin në hapësirën osmane të Evropës Juglindore, qoftë në formën e dorëshkrimit, qoftë në formën e shtypshkrimit. Kjo rritje duhet konsideruar e lidhur me zgjimin e shoqërisë dhe me përhapjen gjerësisht të arsimit në të gjitha shtresat, fenomen që përshpejtoi ritmin e përhapjes së ideve të reja. Ripërtëritja e interesit pasqyrohet dukshmen nga përmbajtja e larmishme e librave dhe dorëshkrimeve. Ato mbulojnë një spektër të gjerë interesash dhe tregojnë zgjimin karakteristik të etjes së dijetarëve iluminist të kohës.




ANASTAS KAVALIOTI
Në këtë mjedis, një vend të rëndësishëm zënë edhe dy veprat e Teodor Anastas Kavaliotit (1718-1789), një vepër e Jorgo Sugdhurit (1645-1725) dhe një e Anastas Papavasilopulit (1670-1750) që ruhen në dy kodikë të dorëshkruar, sot pjesë e Fondit 488 të Arkivit Qendror Shtetëror.
Dy veprat e trilogjisë së Kavaliotit me titull “Fizika dhe Metafizika”, gjenden në kodikun e Beratit nr. 74 (fig. 4) një dorëshkrim i shkruar në vitin 1752, me bojë kafe të errët (herë-herë të zezë) në letër dhe përmban 153 fletë. Në fletën 5r kemi titullin e veprës së dytë të trilogjisë së Kavaliotit, të titulluar: “Traktat i fizikës i hartuar nga i urti dhe i dituri, mësuesi zoti Teodor Anastas Kavalioti nga Voskopoja, i botuar prej atij vetë në shkollën e sapondërtuar të vendlindjes së tij” (fig. 5). Menjëherë pason “Parathënia” dhe teksti i veprës i shtrirë në 39 kapituj. Në pjesën e poshtme të fletës 4r, gjendet ky shënim, i shkruar me bojë të zezë: “I Joasafit të Belegradit”, që dëshmon se ky kodik ka qenë në pronësi të mitropolitit të Beratit, Joasafit ÉÉ (1802-1855). Një tjetër shënim i lënë nga Ilo Mitkë Qafëzezi, na tregon se vendndodhja e kodikut të Beratit 74 ka qenë biblioteka e Shën Marisë në kalanë e Beratit.

Në shek. XVIII, Fizika ofronte njohuri bazike në arsim dhe konsiderohej si degë e rëndësishme e Filozofisë, gjë e cila theksohet nga Kavalioti edhe në Parathënien e veprës. Për Kavaliotin, Fizika është një udhë e sigurt drejt njohjes së energjisë kreative të Hyjnores. Ky qëndrim përcakton edhe vendin e lëndës në Akademinë e Re të Voskopojës. Kështu, Kavalioti i nxiste nxënësit të kultivojnë qëndrimin kritik ndaj filozofëve të ndryshëm dhe ideve të tyre. Për Kavaliotin, Fizika ka përmbajtje aristoteliane. Ka për qëllim studimin e natyrës, studim të cilin e vendos brenda njohjes së përgjithshme të filozofisë, “Filozofia është dija mbi gjërat hyjnore dhe njerëzore”. Vepra karakterizohet nga një larushi zërash filozofësh, duke paraqitur hollësisht pikëpamjet e peripatetikëve, stoikëve, epikurianëve, të Platonit, të kaldeasve dhe egjiptianëve. Nuk harron as filozofët më të rinj, ku kryeson Dekarti. Por ai, të cilin Kavalioti e merr si referencë të përhershme, është Aristoteli, gjithmonë duke mbajtur pozicion kritik edhe ndaj tij. Kështu, tek Fizika e Kavaliotit mbulohen tema si Përkufizimet e filozofisë, Fizika është shkencë, Mbi përkufizimin dhe ndarjen e fizikës, Mbi parimet, Mbi lëndën, Mbi parimet e kimisë, Mbi vendin, Mbi barometrin, Mbi trupat e ngrohtë dhe shpirtrat, Mbi dritën, Mbi dheun, Mbi ujin, Mbi qiellin, Mbi meteorët, Mbi ndjenjat, Mbi fantazinë dhe kujtesën, etj. Në fund të çdo kapitulli referohen Dekarti apo Robert Boil (Robert Boyle), shpikësi i mekanizmit pneumatik, për të cilin ekziston edhe një skicë në fund të dorëshkrimit. Veç këtyre, nëpër fletët e kodikut parakalojnë emrat e rreth 35 filozofëve dhe dijetarëve të tjerë si p.sh., Ksenofani, Parmenidi, Plutarku, Theofrasti, Ptolemeu, Herakliti, Sokrati, Demokreti, Epikuri, Aristoteli, Platoni, Pitagora, Hipokrati etj., përmendja vetëm e emrave të të cilëve mjafton për të dëshmuar jo vetëm erudicionin e Kavaliotit, por edhe nivelin e lartë të studimeve në Akademinë e Re të Voskopojës. Po ashtu, mbresëlënës është fakti që Kavalioti përmend edhe këndvështrimet e Etërve të Kishës, duke referuar veprat e Grigor Teologut, Grigorit të Nisës, Joan Damaskinit, Cirilit, Origjenit, Augustinit dhe Vasilit të Madh. Kësisoj, vepra Fizika e Kavaliotit shndërrohet në monument të polifonisë filozofike.

Kodiku i Beratit, nr. 74. Fizika dhe Metafizika e Kavaliotit, viti 1752, letër, 153 fletë. Kodiku i Beratit, nr. 68. Hyrje në Logjikë e Jorgo Sugdhurit, viti 1776, letër, 66 fletë.222 Kodiku i Beratit, nr. 68. Hyrje në Logjikë e Jorgo Sugdhurit, viti 1776, letër, 66 fletë. Skema e barometrit. Kodiku i Beratit nr. 74
<
>

Po në kodikun e Beratit nr. 74, në fletët 91r–150r, kemi veprën e tretë të trilogjisë së Kavaliotit të titulluar thjesht Metafizika, (fig. 7) pa ndonjë nëntitull shpjegues. E gjithë vepra shtrihet në 19 kapituj, në të cilat diskutohen njohuritë mbi qeniet që nuk perceptohen përmes shqisave dhe ndodhen matanë kufirit të fizikes, sipas parimeve të Aristotelit. Edhe pse e karakterizuar për aristotelizmin e saj, sidoqoftë, Metafizika e Kavaliotit u qëndron besnike parimeve të teologjisë dhe të ortodoksisë. Katër shkaqeve të lëvizjes, siç i përcakton Aristoteli (shkaku material, shkaku formal, shkaku i lëvizjes dhe shkaku final), u shton edhe një shkak të pestë, i cili është kryesori, Perëndia, që në fund mbetet shkaku i vetëm i lëvizjes.
Duke folur gjuhën e kohës së tij, ku mbizotëronte racionalizmi perëndimor, Kavalioti përpiqet që ta armatosë besimin fetar me forcën faktuese të shkencës. Në Metafizikën e Kavaliotit konstatohet kapërcimi i teologjisë nga shkenca dhe i besimit nga racionalizmi, një racionalizëm që e kishte zanafillën në skolacizmin teologjik mesjetar e që mbërrinte deri tek Dekarti.
y veprat e trilogjisë së Kavaliotit, megjithëse në plan të parë nuk përbëjnë parashtresë të mendimeve dhe ideve të autorit të tyre, shprehin orientimet shpirtërore dhe ideologjike të Voskopojës së shek. XVIII dhe, më konkretisht, janë prova të nivelit të lartë të mësimdhënies dhe të mësimnxënies në Akademinë e Re të Voskopojës. Për më tepër, përhapja e kodikëve me veprat e Kavaliotit në Rumani, Shqipëri dhe Greqi dëfton shkallën e shtrirjes arsimore që pati Akademia e Re e Voskopojës si edhe e komunikimin shpirtëror dhe promovimit të dijes dhe ideve perëndimore në gadishullin Ballkanik, duke pasur pikënisje vetë Voskopojën.

JORGO SUGDHURI
Një tjetër vepër që i përket kontekstin, në të cilin u formuan marrëdhëniet e filozofisë dhe shkencës në hapësirën moderne shpirtërore në Evropën juglindore të shek. XVII-XVIII është edhe vepra e Jorgo Sugdhurit Hyrje në Logjikë, e cila u botua post mortem në Vjenë më 1792. Vepra gjendet e dorëshkruar në pjesën e parë të kodikut të Beratit 68, në fl. 1r-24v. Më pas, vijon vepra e Anastas Papavasilopulit me titull Përmbledhje e përgjithshme mbi ushtrimin e logjikës, e cila shtrihet deri në fl. 66r. Në fletën 1r, në hapësirën e sipërme, gjendet i njëjti shënim me kodikun e mëparshëm, i shkruar me bojë të zezë: “I Joasafit të Belegradit”, që na jep të kuptojmë se edhe ky kodik, ka qenë pronë e mitropolitit të Beratit, Joasafit ÉÉ (1802-1855). Studiues të mëhershëm, duke mos marrë në konsideratë këtë shënimi ktitorik të kodikut përcaktojnë gabimisht Voskopojën si vendin, ku gjendej kodiku përpara se të vinte në AQSh.
Vepra e Jorgo Sugdhurit Hyrje në Logjikë fatkeqësisht ruhet jo e plotë në kodikun tonë. Ajo nis me Parathënien, e titulluar “Mbi tre veprimet e mendjes”. E gjithë përmbajtja është e organizuar në katër pjesë. Pjesa e parë mban titullin “Mbi veprimet e para të mendjes, pra mbi nocionet”, duke nënkuptuar sakaq se përmbajtja e saj lidhet me logjikën aristoteliane. Ajo zhvillohet në 13 kapituj dhe trajton çështje që lidhen me shpjegimin e nocionit. Pjesa e dytë, që përbëhet nga katër kapituj, shtjellon tema mbi veprimin e parë të mendjes, mënyrën e perceptimit të nocioneve etj. Në pjesën e tretë shqyrtohet mënyra e trajtimit të ligjërimit kundërshtues, i cili artikulohet në tre kapituj. Pjesa e katërt ekspozon pikëpamjet e Sugdhurit mbi silogjizmin. Kjo pjesë shtrihet në gjashtë kapituj dhe analizon format e silogjizmit, parimet dhe rregullat e vlefshmërisë së një forme silogjizmi, zhvillimin e llojeve të silogjizmit dhe koncepte mbi argumentime sofiste dhe rregulla të diskutimit në dialog si metoda përvetësimi të së vërtetës dhe ligjërisë së dijes.
Jorgo Sugdhuri ishte pjesë e grupit të intelektualëve aristotelianë dhe u bë një figurë e shquar në çerekun e fundit të të shek. XVII dhe të njëzetë viteve të para të shek. XVIII. Vepra e tij Hyrje në Logjikë e sjell brezin e ri në kontakt me filozofinë Aristoteliane, e cila dominon në programet arsimore deri në shek. XVIII. Këtu, për herë të parë, e vjetra përplaset me modernen, tradita me faktet e reja shkencore dhe filozofike që ishin formuar dhe shpërndarë tashmë në botën evropiane, ndikimet nga Italia me realitetin osman.

ANASTAS PAPAVASILOPULI
Vepra tjetër me titull Përmbledhje e përgjithshme mbi ushtrimin e logjikës e Anastas Papavasilopulit gjendet në f 25r-66r të kodikut. Është e organizuar në katër pjesë dhe çdo pjesë ndahet në artikuj. Vepra përfundon me një epilog të shkurtër dhe mbyllet me njoftimin se kjo vepër është shkruar në vitin 1696.
Vepra fillon me Parathënien, ku shpjegohet se qëllimi i veprës synon të trajtojë se ç’është filozofia, çfarë vlere ka ajo në jetën e njeriut, si ndahet dhe me ç’mënyrë apo metodë mund ta bëjë dikush pronë të tij. Në pjesën e parë, përmes 9 artikujve Papavasilopuli i përgjigjet pyetjes se çfarë janë idetë, nëpërmjet së cilave njohim gjithçka. Pjesa e dytë e veprës mban titullin “Mbi gjykimin e mendjes, pra mbi fjalitë”. Në këtë pjesë, Papavasilopuli, pasi rikujton formulimin e Aristotelit se çfarë është fjalia (është fjalë e vërtetë ose e rreme), flet mbi gjymtyrët e saj. Në fl. 47v-55r, Papavasilopuli trajton pjesën e tretë të Logjikës, të cilën e titullon “Mbi konkluzionin (përfundimin), d.m.th. mbi arsyetimin (silogjizmin)”. Në pjesën e katërt, ai i referohet kapitullit “Mbi metodën”. Këtë kapitull ai e ndan në dy pjesë, të cilat i titullon “Mbi metodën e përgjithshme të të nxënit” dhe “Mbi metodën e veçantë dhe pikësëpari mbi analizën”. Vepra përfundon me një epilog të shkurtër dhe të pasur në përmbajtje, në të cilin autori thekson sërish domosdoshmërinë e ushtrimit të logjikës në jetën e njeriut. Ai ndërmerr një përmbledhje të çështjeve të trajtuara dhe përfundon duke himnizuar vlerën e “mendjes dalluese”, e cila si një busull e sigurt “gjurmon natyrën e gjërave dhe përshquan të vërtetën nga gënjeshtra”.

Kjo vepër e Papavasilopulit ka vetitë e një manuali mbi Logjikën, të mirë-përmbledhur, të kuptueshëm dhe jo të ndërlikuar. Në shtjellimin e saj, duket qartë përparësia që autori i jep mendjes për të arritur konceptet dhe njohurinë, duke mohuar kështu teorinë e Aristotelit dhe të pasuesve të shkollës së empirizmit. Me anën e kësaj vepre, Papavasilopuli fut në mendimin e kohës pikëpamjen e “cogito ergo sum” të Dekartit si kundërpeshë e një rrethi të gjerë shkollash dhe rrymash që përfaqësohen kryesisht me Logique e Port-Royal.

Qëllimi i shkrimit të kësaj vepre ishte bindja e Papavasilopulit se përhapja e njohurive, në anën teorike dhe praktike, përmes mendimit të shquar të filozofëve, do të ndikonte në jetën individuale dhe kolektive të njerëzve. Në Evropë, përparimi i shkencës në të gjitha fushat po ndryshonte rrënjësisht teoritë e konsoliduara mbi fizikën, matematikën dhe mbi mënyrën e të menduarit. Papavasilopuli, nëpërmjet “Logjikës” dhe veprave të tjera të tij, synonte pikërisht sjelljen e këtyre rrymave në hapësirën ballkanike që gjendej nën zgjedhën osmane, që me kalimin e kohës këta popuj të burrëroheshin dhe të kërkonin vendin e tyre mes popujve të tjerë të zhvilluar të kohës, pas një izolimi të gjatë nga zhvillimet Evropiane. Vepra e tij, siç e dëshmojnë ndër të tjera edhe vendndodhjet e dorëshkrimeve dhe shtypshkrimeve të tij, u përqafua për shkak se pikësëpari ajo mbulonte një vakum të madh në praktikën mësimore të kohës. Mësimet dhe fama e Papavasilopulit, si mbartës i një burimi tjetër njohurish dhe informacioni duket se funksionoi pozitivisht në përmbushjen e kërkesave të kohës për ndryshim.

Kështu në shek. XVII dhe XVIII kemi funksionimin e shkollave, në programin e të cilave përfshihen lëndët novatore. Për herë të parë, në arealin ortodoks të Ballkanit osman krahas mësimeve të teksteve të shenjta dhe të antikitetit klasik futen edhe ato të shkencave natyrore. Mësuesit e shek. XVII dhe XVIII, të studiuar kryesisht në Universitetin e Padovas, fusnin në mësimdhënien e tyre lëndët e Algjebrës, Gjeometrisë, Trigonometrisë, Astronomisë, Gjeografisë dhe Historisë. Shkollat pajisen me biblioteka të pasura dhe me instrumentet e fizikës dhe të kimisë. Përmend këtu vetëm rastin e një shkolle të Mitropolisë së Korçës, çelur më 1724, biblioteka e së cilës numëronte mbi 1.000 vëllime librash. E gjithë kjo gjendje solli lëvizjet e para që i paraprinë rrymave iluministe dhe rilindjes së popujve në Ballkan. Mbështetësi kryesor i veprimtarisë arsimore ishte libri, i dorëshkruar dhe më pas i shtypshkruar, që vinte me sasi të mëdha kryesisht nga shtypshkronjat e Venedikut, por edhe nga Vjena, Parisi, Lajpcingu, etj.

Një tjetër faktor i rëndësishëm në brumosjet shpirtërore të periudhës në fjalë ishte edhe roli i klerit ortodoks, që edhe pse në raste të caktuara mbante qëndrim të rezervuar ndaj zhvillimit të teorive shkencore, e megjithatë kontributi i tij ishte vendimtar në zhvillimin arsimor dhe përhapjen e rrymave perëndimore të kohës. Deri në shek. XVII kleri ortodoks është pararojë në fushën arsimore, në një kohë kur arsimi është pothuajse jo i pranishëm si për nga potenciali njerëzor, ashtu edhe nga infrastruktura materialo-teknike. Kishat dhe manastiret hapin dyert në shërbim të arsimit. Humanizmi religjioz i shek. XVII do të sjellë ndryshime të rëndësishme me sjelljen e shkencave të antikitetit në qendër të vëmendjes. Ky ndryshim do të plotësohet në shek. XVIII, kur tashmë në shekullin e dijes, shkencat natyrore do gjejnë vendin e tyre në fushën e arsimit, krah mësimdhënies së teksteve të antikitetit klasik. Pikërisht, janë klerikët ata që edhe në këtë rast do të jenë shprehësit e këtyre shkencave. Nuk është e rastësishme që të tre autorët teksteve tona janë klerikë, madje dy prej tyre, Jorgo Sugdhuri dhe Anastas Papavasilopulu, në një periudhë ku klerikët ditunarë, mbartës të teorive shkencore të fizikës dhe të matematikës, thuajse nuk ekzistonin asfare në hapësirën shqiptare të Ballkanit osman.

Së fundmi, është e udhës të theksojmë se si veprat e Kavaliotit, Sugdhurit dhe të Papavasilopulut, ashtu edhe të dijetarëve të tjerë të kësaj periudhe, nuk janë kopje, përkthime ose riprodhime të teksteve evropiane, me të cilat ata vijë në kontakt gjatë shek. XVII-XVIII. Përkundrazi, janë përzgjedhje, përmbledhje, plotësime, sjellje në kohë, përvetësime dhe transformime të tekstet evropiane për nevojat e shoqërisë së kohës, gjë e cila do të rezultonte e pasuksesshme nëse nuk do të ekzistonte ngrehina e gatshme për inkuadrimin e tyre, siç është, ndër të tjera, edhe shoqëria e qytetit të Voskopojës.
*Universiteti i Tiranës (Kumtesa u mbajt në Kuvendin Ndërkombëtar të Albanologjisë në datat 3-5 tetor në Zarë të Kroacisë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.