KULTURË

Video/ Akademia kundër Metës, rizgjedh Gjinushin kryetar, Fuga: Jokushtetues

11:35 - 19.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Asambleja e Akademisë së Shkencave në Shqipëri është mbledhur me dyer të mbyllura dhe ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta që nuk lejonte Skënder Gjinushin të ishte kryetar i Akademisë, me 36 vota pro e 2 kundër. Po dje, kryesia e Akademisë së Shkencave miratoi statutin e ri të këtij institucioni, duke u bazuar në ligjin e ri që kaloi në parlament së fundmi dhe që hyri në fuqi më 8 tetor. Për vetë Gjinushin dje “u kurorëzua mbyllja e reformës në Akademinë e Shkencave nëpërmjet akteve themelore të saj. Siç dihet, ka hyrë në fuqi me 9 tetor ligji i ri, edhe sot u miratua statuti i ri në zbatim të këtij ligji”.
Duke qenë se dekreti i Presidentit Ilir Meta nuk i jep të drejtë Gjinushit të emërohet kryetar i Akademisë, vetë Gjinushi tha dje para mediave se “43 vota akademikësh vlejnë më shumë se një firmë presidenti. Ne nuk kemi konflikt me presidentin. Ai deshi të merrte një vendim bllokues, por ligji e ka zgjidhur atë. Akademia e Shkencave do të përpiqet, siç e kemi thënë, të akademizojë politikën e jo të politizojë veten”. Ai shtoi se në Shqipëri reformat shpeshherë janë ngatërruar vetëm me lëvizje njerëzish, nëse kjo edhe në administratë nuk pranohet, në ASH jo e jo. “Ka pasur një presion të vazhdueshëm që reforma në ASH të ishte njësoj si në ligjin e IAL, që të hiqeshin titujt profesorë edhe ribëhej kjo trup, që se di kush do e përbënte. Sot ndihem shumë mirë, se nuk u soll vullneti i politikës në ASH. Por është e kundërta, fakti që faktorë të ndryshëm në momente të caktuara kanë kundërshtuar, por edhe pengesat e tyre që tregonin qartë që reforma ishte jashtë ndikimeve politike në tavolinë, që kërkonin ndërhyrje në ASH. Edhe mesa duket edhe presidenti në një moment u bë palë me këto lloj segmentesh. Por rrjedhimisht, ligji, Kuvendi i dha të drejtën ASH, sepse ASH është një institucion autonom. Rektorët i zgjedh vetë trupa e pedagogëve edhe kryetarin e ASH-së e zgjedhin vetë akademikët”, – shtoi ai.




I pyetur për zgjedhjet në ASH që u bënë me ligjin e vjetër dhe emërimin e tij si kryetar me ligjin e ri, Gjinushi dha një shpjegim: “Vetëm në Shqipëri kur ndërrohet ligji, ndërrohet institucionet ndonjëherë. Kjo praktikë është e gabuar, ligjet nuk cenojnë mandatet e caktuara, ligji i ri përpiqet që të rregullojë më mirë funksionimin, madje demokracinë, sigurinë juridike etj. Në rast se shton dispozita kalimtare siç ka ndodh në vitin 2007 edhe siç u përpoqën tani, për të heq mandatet e fituara kjo është e papranueshme, edhe e ka rrëzuar gjykata kushtetuese”. Sipas tij, ligjet vijojnë si vendimet e qeverisë. “Sipas ligjit të vjetër, presidenti duhet të bëjë vetëm emërim, nuk ka asnjë target tjetër, theksoi Gjinushi, ndërsa ligji i ri ia merr në konsideratë edhe refuzimin edhe thotë: Vendimin e merr asambleja.

“Pra i jep fuqi, se më parë ishte fare paçavure. Anëtarët e asamblesë edhe kryesisë janë zgjedh me ligjet e vjetra, sepse kështu janë dispozitat, mandatet vazhdojnë. I vetmi rast që cenohen mandatet me ligj të ri është kur ndryshon struktura e institucionit”, u shpreh kreu i Akademisë. Debati për emrin e tij lindi kur vetë Gjinushi kandidoi për kryetar të Akademisë pa hyrë në fuqi dorëheqja e tij si kryetar i një partie politike, çka u shënua edhe nga presidenti si një ndër argumentet kundër dekretimit e tij në krye të ASH-së. Megjithëkëtë, në gjendjen që është, Akademia nuk e ka për herë të parë, përfundimin me një kandidat të vetëm në zgjedhje për kreun e ASH; siç ndodhi edhe më herët, kur askush nuk donte të ishte kryetar.
Në mbledhjen e asamblesë ishte i pranishëm dhe akademiku Artan Fuga, i cili ka kundërshtuar zgjedhjet në ASH dhe ligjin e saj. Ai ka kundërshtuar edhe vendimin e Asamblesë. Të drejtën e Gjinushit për të ushtruar detyrën e kryetarit të ASH-së, Artan Fuga e konsideron si uzurpim. “Çështja do të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese. Sot vendimi për ta konsideruar kryetar të Akademisë, kryetarin që ka rrëzuar presidenti, është akt joligjor, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, në kundërshtim me shtetin e së drejtës. Unë e cilësoj si një uzurpim të një posti publik që e fut Akademinë e Shkencave në një hulli joligjore, kompromenton rëndë të gjithë vendimet që ajo do të marrë. Unë besoj se do të ketë forca që këtë çështje do ta çojnë të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra vazhdon vuajtja e Akademisë. Kjo e vendimit të sotëm, i jep ligjit një fuqi prapavepruese. Mendoj se duheshin bërë zgjedhje të reja. Sot ka hyrë në një shkelje kushtetuese që jep mesazh gabim. Kam qenë kundër ligjit të ri, por si qytetar, unë duhet ta respektoj dhe zgjedhjet me ligjin e ri, do i respektoja”, tha Fuga.

Ndërkaq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin neni 92 thotë se “Presidenti ushtron edhe këto kompetenca”, mes të cilave në germën “g” thuhet: g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit. Ky nen praktikisht i njeh të drejtën vetëm presidentit për ta emëruar kreun e Akademisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.