MILOSAO

Për ata që i zvarrisin?!

11:46 - 21.10.19 Gazeta Shqiptare

Nga Ben Andoni – Pak ditë më parë, në hyrjen anësore të Kryeministrisë, ai rrinte aty në pritje. I duhej të firmoste një dokument për Pensionin Special, që i është miratuar shumë vite më parë, por që sot e kësaj dite nuk realizohet. Një nga kujdestarët-roje të kryeministrisë ndau pak minuta me të, i mori një dokument identifikimit dhe u zhduk, kurse ai qëndroi atje gjatë, në pritje të dikujt që ta merrte dhe ta takonte vetëm Sekretarin e Kryeministrisë. “Vetëm 5 minuta ta takoj dhe ta sqaroj për procedurën, kaq doja”, na thotë.
Mbase ditën që do të botohet ky artikull atij do t’i jetë firmosur procedura dhe mbase do të fillojë t’i akordohet pensioni, por është një habi e madhe sesi personalitete të vërteta shqiptare privohen dhe sorollaten në këtë mënyrë. Për këtë s’ka asnjë përgjigje. Ai është një nga të pakët që u është njohur pensioni special, por që prej vitesh nuk u akordohet…Dhe, z.Bushaka me modestinë e tij e ka të pamundur ta ndjekë. Të gjithë ‘e duan’ dhe ndaj edhe e zvarrisin

Personazhi që po shkruajmë është Gaqo Bushaka. Një burrë në moshë, tashmë në pension, me librat e të cilit jemi rritur dhe i kemi mësuar në fëmijërinë tonë. I njohur më shumë si “Babai i Çufos”, prej librit që e bëri të njohur dhe i mbijetoi brezave të tërë, ai po i afrohet të 80-ave. Të njëjtin shqetësim, pra mungesën e lëvrimit të pensionit special, pak ditë më parë, e ndante edhe Jorgo Papingji. Ai e konsideronte pak si paradoks dhe si të pamoralshëm mënyrën se ku shkonte pensioni i veçantë që i takon atij prej 8 vitesh që nga marrja e titullit…
“Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë pse më ka ngelur peng. Ka lidhje me vlerësimin e punës sime, jo me vlerësimin formal se i kam marrë të gjitha, çmime, vlerësime, letra, fleta nderi, fleta lavdërimi.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë, kam tetë vite që kam marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dhe gjatë këtyre tetë viteve nuk ka dalë ende vendimi që unë të marr pensionin e veçantë”.



Në fakt, Gaqo Bushaka e di mirë dhe madje për ata që u intereson, u thotë edhe si është bërë modifikimi i listave, ku atij i është akorduar pensioni i veçantë. Për hir të një konjukture është shmangur ai dhe në vend të tij ka ardhur dikush tjetër. Një emër i njohur i medias por kurrsesi me peshën e Bushakës. Thjesht, me një kërkesë dhe “sugjerim” të një të madhi. Dokumenti që mundëson arritjen e kësaj procedure bëhet me një VKM dhe është shumë i thjeshtë. Në vendim përcaktohet se: Përcaktohet “Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit që përfiton sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social.”
“Jam i kënaqur me Ministrinë e Kulturës pasi mi bënë gjërat në rregull, por pastaj më treguan se nuk e kishin ata në dorë dhe më përcollën këtu…”, shprehet Bushaka deri në fund besnik i sjelljes së mirë dhe i ndjenjës…se ata që kanë në dorë fatin e tij, janë shumë të zënë.
Prej vitesh, shkrimtari Gaqo Bushaka e ngre si shqetësim kur gazetarët i vendosin mikrofonin, apo kur në panaire e marrin për të folur. Por ç’të thotë Gaqo Bushaka? Nëse do të shqyrtoheshin ndonjëherë si duhet pensionet speciale (të mos harrojmë se të gjithë kemi nevojë për ato pensione), atëherë do të dilnin paradokset dhe qokat e politikanëve sesi janë vlerësuar personazhe që nuk u afrohen shumë të tjerëve që kanë bërë realisht punë të jashtëzakonshme. Ky është nderimi i vendit tonë për ata që i dedikohen. Sa më kokulur të jesh aq më i shpërfillur mbetesh. Të paktën, Gaqo Bushaka e ka ndjerë këtë në kurriz. Por Çufoja dhe personazhet e tij nuk e ndihmojnë dot. Ata janë të gjithë pagojë si ai dhe nuk të mësojnë dot sesi të manovrosh në këtë botë, kaq pa skrupuj.
(Milosao)

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *