Opinion-Komente

Zogistët – promotorë të qëndresës dhe luftës kundër okupatorëve

07:45 - 04.11.19 Ekrem Spahiu*

75-vjetori i tërheqjes së forcave naziste nga Shqipëria – Po afron 75-vjetori i tërheqjes së forcave ushtarake gjermane nga Shqipëria, i cili është një përvjetor i rëndësishëm për popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat politike e ushtarake antifashiste shqiptare. Krahu i majtë politik, duke mos e pasur fuqinë për të dalë nga komplekset e historiografisë së politizuar, duket se po vazhdon t’i qëndrojë idesë së përvetësimit të vlerave dhe kontributeve të të tjerëve në ato momente historike për të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar.



Por e vërteta historike, sado të mjegullohet, është e vështirë të përvetësohet. Po afrojnë rreth 30 vjet nga rënia e diktaturës komuniste dhe kanë dalë në dritë fakte të reja nga arkiva, zyrtarisht të konfirmuara, për qëndrimet politike dhe kontributet reale të zogistëve në qëndresën dhe luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Në këtë kuadër, qëndrimet politike dhe kontributet e mbretërorëve janë reale, të prekshme dhe, me të drejtë legjitime, përfshihen në fondin e artë të historisë së kombit shqiptar.

Është pranuar botërisht se strukturat përkatëse dhe populli shqiptar u organizuan ushtarakisht dhe i rezistuan me luftë pushtimit të Italisë fashiste më 1939. Sigurisht mund të ishte bërë më shumë, por askush nuk mund të mohojë veprimet luftarake të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të organizuar në mbrojtje kundër pushtimit italian. Kjo qëndresë buroi si nga fryma, ashtu edhe nga organizimi ushtarak i përvijuar nga Mbreti Zog dhe sigurisht që mbretërorët kishin detyrimin dhe përgjegjësinë për ta marrë përsipër këtë rol. Në rezistencën antifashiste të prillit 1939 nuk ka marrë pjesë asnjë forcë politike e organizuar, qoftë edhe për faktin se ato u krijuan dy apo tre vjet më vonë dhe u përfshinë në detyrime e përgjegjësi sipas interesave dhe situatave të reja, që lidheshin me kohën e krijimit të tyre.

Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë qoftë në mënyrë “paqësore” nëpërmjet presioneve në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe financiare, qoftë edhe me forcën e armëve. Mbasi dështuan përpjekjet e vazhdueshme si dhe ultimatumi i fundit për ta detyruar Mbretin Zog, parlamentin dhe qeverinë shqiptare që të nënshtroheshin, qeveria italiane vendosi të përdorë forcën e armëve për të pushtuar Shqipërinë.

Duke mos pranuar kushtet dhe ultimatumet e Musolinit, edhe pse nuk kishin mbështetje ndërkombëtare dhe as forcën e brendshme për përballimin e agresionit fashist, Parlamenti shqiptar dhe Mbreti Zog vendosën për ta pritur Italinë fashiste me armë në dorë, ndryshe nga Austria që i ishte nënshtruar Gjermanisë në vitin 1933 pa asnjë kundërshtim, apo Çekosllovakia që nuk kishte shkrepur asnjë pushkë më 15 mars 1939 kur u pushtua po nga Gjermania. Për më tepër, duhet theksuar se këto dy shtete ishin shumë më të mëdha se sa vendi ynë dhe të armatosura me armët më moderne të kohës.

Historia flet për një të vërtetë të padiskutueshme: fakti që Italia, planifikoi dhe futi në operacion ushtarak për pushtimin e Shqipërisë forca, mjete, shpenzime, logjistikë dhe kohë, flet se pushtuesi e përllogariti qëndresën shqiptare. Këtë qëndresë, shqiptarët e bënë, pavarësisht se jo në përmasa fitimtare. Qëndresa, sikurse thamë më sipër, kishte frymën, vulën dhe organizimin e ideuar nga Mbreti Zog. Nga çdo anë që t’i analizosh veprimet e ushtrisë së tij, madje edhe lëvizjet e oborrit mbretëror dhe të vetë mbretit, konfirmohet se ai qëndroi bindshëm në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë. Tek ata u mbështet, atyre u kërkoi ndihmë dhe tek ata i mbajti shpresat.

Agresioni i Italisë fashiste ndaj Shqipërisë është analizuar nga vetë pala italiane nëpërmjet dokumenteve të operacionit “Oltre Mare Tirana-OMT”, siç u quajt në mënyrë të koduar zbarkimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga trupat e Musolinit. Në referencë të këtyre dokumenteve, Mbreti i Italisë – Viktor Emanueli III, më 22 maj 1939 ka nxjerrë një dekret për dekorimin e 113 oficerëve dhe ushtarëve italianë, që treguan trimëri në fushën e betejës gjatë “çlirimit” (pushtimit) të Shqipërisë: 12 ushtarakë me medalje ari për trimëri ushtarake (pas vdekjes dmth., 12 të vrarë në luftime), 15 me medalje argjendi dhe 27 me medalje bronzi. Po ky dekret u akordoi medaljen e kryqit të luftës edhe 59 ushtarakëve të tjerë italianë. Në arsyetimet për dhënien e dekoratave përkatëse gjen mjaft hollësi se si u zhvilluan realisht luftimet, se si dhe sa e organizuar ishte rezistenca e palës shqiptare ndaj zbarkimit të trupave italiane.

Ndërkohë që Mbreti Viktor Emanueli III dekoron ushtarakë italianë të rënë në fushën e betejës dhe të tjerë për trimëri, historiografia komuniste mohon çdo përpjekjeje për rezistencë të organizuar nga Mbretëria, madje duke akuzuar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë! Por këtë akuzë e hedh poshtë në mënyrë të pakthyeshme Traktati i Paqes me Italinë që u nënshkrua nga qeveritë e SHBA, BRSS dhe Britanisë së Madhe në Paris më 10 shkurt të vitit 1947, ku qeveria komuniste e saj kohe, më 4 shtator të vitit 1945 kërkonte nga qeveritë e mësipërme të drejtat e shtetit shqiptar për të përfituar dëmshpërblime nga Italia si shtet pushtues dhe jo si shtet të cilit “iu shit Shqipëria”.

Shtrohet pyetja, pse kanë heshtur deri tani të ashtuquajturit historianë dhe institucionet zyrtare në Shqipëri për këtë Traktat? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Në pikën e parë të këtij Traktati thuhet: “Duke konsideruar se Italia, nën regjimin fashist, është bërë një nga palët nënshkruese të paktit trepalësh me Gjermaninë dhe Japoninë, ka ndërmarrë një luftë agresioni dhe nga ky fakt ka provokuar një gjendje lufte me të gjitha Fuqitë Aleate dhe të Asociuara si dhe me kombe të tjera dhe mban pjesën e saj të përgjegjësisë në këtë luftë”. Duket qartazi se Italia njeh dhe pranon se ka kryer agresion ndaj Shqipërisë. Ndërkohë, në Nenin 31 të këtij Traktati thuhet: “Italia njeh se të gjitha marrëveshjet dhe rregullimet e bëra ndërmjet Italisë dhe autoriteteve të vendosura në Shqipëri nga Italia ndërmjet 7 prillit 1939 dhe 3 shtatorit 1943, janë nul dhe inekzistente”. Traktati vendosi që Shqipëria të përfitonte 5 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime nga Italia (e barabartë sot me afërsisht 60 milionë dollarë). Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri.

Interpretimi juridik i këtij Traktati të kërkuar me ngulm nga vetë Qeveria komuniste na çon automatikisht në konkluzionin se Mbretëria e Zogut, jo vetëm që nuk e shiti Shqipërinë sikurse pretendon historiografia komuniste, por ajo mbetet subjekti juridik i trashëgimisë shtetërore shqiptare edhe pas pushtimit fashist.

Shqipëria u rreshtua që në fillim në krah të koalicionit antifashist dhe mbretërorët u pozicionuan dukshëm e qartë politikisht dhe organizativisht në luftën kundër fashizmit, duke u bërë pjesë e natyrshme e frymës antifashiste të popullit shqiptar.

Në këtë kontekst, më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, ku morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Pala mbretërore u përfaqësua në nivelet më të larta: Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës, ndërsa Ndoc Çoba u zgjodh kryetar i punimeve të konferencës. Sikurse dihet, Konferenca zgjodhi anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm Nacional prej shtatë vetash, nga të cilët dy ishin zogistë.

Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, Abaz Kupi u bë nismëtar i thirrjes të Konferencës së Mukjes të mbajtur më 1-2 gusht 1943. Dy ditë më pas, më 4-5 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i dalë nga Konferenca, organizoi në afërsi të Qafë-Shtamës një betejë të përbashkët kundër ushtrisë italiane, që po marshonte për në Mat. Çetat partizane, balliste dhe zogiste nën komandën e major Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë në mes të të cilëve koloneli italian A.P. Skampa, 40 të plagosur dhe 7 robër.

Enver Hoxha, fillimisht e pranoi marrëveshjen, por kjo zemëroi pa masë të deleguarit jugosllavë Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën. Për këtë qëllim, pas një muaj, më 4 shtator 1943, komunistët mblodhën Konferencën e Labinotit, e cila jo vetëm që e prishi zyrtarisht Marrëveshjen e Mukjes, por i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar dhe çdo rryme apo tendence tjetër politike. Konferenca e Labinotit shënon, në fakt, përgatitjen e kushteve për një përplasje mes palëve, e cila mund të shkonte deri në luftë civile. Në ç’masë shkoi kjo përplasje dhe ç’pasoja pati, meriton një analizë më vete, por sidoqoftë një gjë është e vërtetë dhe e palëkundur: forcat politiko-ushtarake nacionaliste, me idetë unifikuese kombëtare antifashiste që promovuan, me format e organizimit që propozuan dhe me veprimet luftarake që zhvilluan, u përpoqën që ajo përplasje të mos ndodhte.

Sidoqoftë, pas Konferencës së Labinotit situata konfliktuale ndërmjet forcave të udhëhequra nga komunistët dhe forcave të tjera nacionaliste u acarua së tepërmi, duke filluar nga intrigat, pabesitë dhe deri te përpjekjet e armatosura, të cilat shkaktuan edhe masakra kolektive, ku përgjegjësitë iu mbeten urdhëruesve. Vetëm pak ditë pas Konferencës së Labinotit dhe kapitullimit të Italisë fashiste, ndodhi tragjedia e Gërhotit në Gjirokastër. Më 14 shtator 1943, vranë komandantin e Ballit, Hysni Lepenicen dhe 35 komandantë çetash të Ballit të krahinave në jug të vendit, të cilët kishin superioritet ushtarak në zonat e Vlorës, Gjirokastrës, etj. Kjo tragjedi e shkaktuar si pasojë e intrigës së forcave të udhëhequra nga komunistët, shënon një moment të rrezikshëm ushtarak, që mund të shndërrohej në një përplasje më të gjerë vëllavrasëse midis dy forcave të krahëve të ndryshëm politiko-ushtarak shqiptar.

Pas një muaji, brigada e parë partizane, që komandohej nga Mehmet Shehu, më 17 tetor 1943 në Matjan të Lushnjës, ekzekutoi 67 fshatarë, të cilët ishin mobilizuar me forcat nacionaliste të Ballit, të komanduara nga Isa Manastirliu. E njëjta udhëheqje politiko-ushtarake është autore e masakrës së Martaneshit më 5 mars 1944 në fshatin Peshk, ku u vranë 22 nacionalistë me në krye kryeplakun e tyre. Po kështu, më 7 mars 1944 u vranë 68 ballistë në Dunicë të Pogradecit, për të vazhduar me 185 ballistë në Shipckë të Korçës, etj..

Më 21 nëntor 1943, zogistët formuan partinë e tyre.

Përballë këtij realiteti të rrezikshëm politiko-ushtarak me pasoja kombëtare, forcat mbretërore, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e nacionalizmit shqiptar, më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr të Tiranës, formuan partinë e tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Ndër pikat kryesore të Kongresit themelues ishte dhe kthimi i Mbretit Zog në fuqi, pasi vetëm ai gëzonte të drejtën e pushtetit legjitim në Shqipëri. Sigurisht, pas krijimit të OKLL, organizimi ushtarak ishte edhe më i madh. Pranë forcave të Abaz Kupit – Komandant i forcave të Legalitetit, ishte atashuar Misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Krijimi i OKLL alarmoi Enver Hoxhën dhe, për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Ndërkohë që forcat naziste e kishin humbur luftën dhe, në tërheqje e sipër po largoheshin nga Shqipëria drejt Gjermanisë, objektivi kryesor i udhëheqjes komuniste u adresua në luftën kundër forcave balliste, zogiste dhe çdo kundërshtari tjetër. Meqenëse në zonat veriore të vendit komunistët nuk kishin përkrahje, angazhuan forcat më të zgjedhura të ushtrisë partizane, me qëllim që të shkonin atje dhe të shkatërronin forcat nacionaliste, që gëzonin shumë mbështetje në këto zona dhe të shtrinin me dhunë e terror influencën e munguar në popullsinë civile, për të krijuar kushtet e plota që pushteti i nesërm të ishte krejtësisht i tyre.

Për të penguar realizimin e këtij objektivi ogurzi të komunistëve, të dyja formacionet nacionaliste Legaliteti dhe Balli menduan të bëjnë edhe një hap të fundit, duke organizuar një mbledhje të përbashkët, ku ftuan dhe disa krerë e bajraktarë të veriut. Kjo mbledhje u bë më 15 shtator 1944 në fshatin Mali i Bardhë – Kurbin dhe pastaj në Bulgër afër Rubikut. Nga pala e Legalitetit morën pjesë Abaz Kupi me disa oficerë shqiptarë të shoqëruar me rreth 300 ushtarë të armatosur. Me Abaz Kupin ishin dhe misionarët anglezë të atashuar pranë tij. Balli Kombëtar u përfaqësua nga Mit’hat Frashëri i shoqëruar nga komandantë çetash, oficerë dhe rreth 60 luftëtarë. Të pranishëm ishin edhe Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni, Preng Previzi, Fiqri Dine, etj.

Në këto mbledhje u diskutua vetëm një çështje: bashkimi i të gjitha forcave nacionaliste për të mos lejuar që Shqipëria të zaptohej nga komunizmi. Fatkeqësisht, ky takim shumë i rëndësishëm në qëllimin e tij nuk konkludoi, sepse, pas shumë debateve, u gjykua se nuk ishte në interesin kombëtar që shqiptarët të vriteshin me njëri-tjetrin për pushtetin e nesërm, pavarësisht se deri diku e dinin çfarë ishin dhe çfarë do sillnin komunistët me ideologjinë e tyre. Mosarritja e përfundimit të dëshiruar nga kjo mbledhje, hapi rrugën që forcat partizane të mbeteshin të vetmet në pretendimet e tyre të nesërme për pushtet në të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Pas këtij dështimi, Mit’hat Frashëri u nis për në Shkodër dhe u largua në Itali, ndërsa misionarët anglezë njoftuan Abaz Kupin se kishin marrë urdhër të largoheshin nga Shqipëria. Komandanti i forcave të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” Abaz Kupi, para se të largohej për në Itali më 24 tetor 1944 lëshoi një Thirrje, ku ndër të tjera shkruhej: “…ne jemi përpjekur për bashkimin dhe vëllazërimin e shqiptarëve për të shmangur luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për të larguar okupatorin prej tokës sonë të shenjtë… Sot në këto rrethana që ndodhemi, detyrohem të largohem për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllazërore”. Thirrjen e morën të gjithë drejtuesit e çetave legaliste dhe, në bazë të saj, me dhimbje të madhe, ndërprenë luftën dhe shpërndanë forcat e tyre luftarake.

Me tërheqjen e krerëve të nacionalizmit shqiptar për të mos iu kundërvënë komunistëve, këta të fundit duke vënë në veprim parimin komunist se, pushteti merret me grykën e pushkës, filluan terrorin në popullsinë civile për ta nënshtruar atë. Për ta ilustruar këtë terror të komunistëve, po përmendim vetëm masakrën e tmerrshme të kryer në Lumë, ku më 26 shtator 1944, komandanti i brigadës së pestë partizane, Shefqet Peçi pushkatoi pa gjyq 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes, nën pretekstin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin.

Me masakra, terror, dhunime dhe djegie e morën pushtetin partizanët komunistë në 1944, dhe nën etiketën false të “çlirimit”, vunë nën thundrën e diktaturës së proletariatit gjithë popullin shqiptar, për 46 vjet me radhë. Shkatërrimi që komunizmi i bëri strukturës shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit rezultoi më i rëndë se çdo pushtim që kishte pësuar ky truall në gjithë historinë e tij.

Nisur nga paraqitja e argumenteve të mësipërme dhe shtjellimi kronologjik i fakteve historike të pakundërshtueshme rezulton se zogistët ishin promotorë të luftës kundër okupatorëve nazifashistë.

*Ish-deputet & kryetar i PLL

 

 

 

Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. PAK DINJITET, NUK DO ISHTE I TEPËRT PËR JU!

    Thoni në shkrim:… “Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë”… Në fakt, kishte plot dhjetë vjet, që zogji e kishte shitur Shqipërinë, me anë të Marrëveshjes që bëri me Italinë, me 13 pika.
    Thoni në shkrim: …“Qëndresa buroi si nga fryma, ashtu edhe nga organizimi ushtarak i përvijuar nga Mbreti Zog dhe sigurisht që mbretërorët kishin detyrimin dhe përgjegjësinë për ta marrë përsipër këtë rol”.
    Metë vërtetë një turp i madh për ju! Cila ishte rezistenca, mbathja e opengave nga naltmadhnaja e taj, dhe vjedhja e arit? Nëse lëvdoni Bazin e Canës, duhet ta dini mirë, se ai kreu vetëm një veprim “luftarak”: Me urdhër të zogjit, hodhi në erë urën e Shijakut, që të vonoheshin trupat italiane, e zogji të ksihte kohë t`ia mbathte. Prandaj, duhet t`ju vijë pak turp për gënjeshtrën.
    Thoni në shkrim:… “Nga çdo anë që t’i analizosh veprimet e ushtrisë së tij, madje edhe lëvizjet e oborrit mbretëror dhe të vetë mbretit, konfirmohet se ai qëndroi bindshëm në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë”.
    Përgjigje: Më e pakta që mund t`ju them, është TURP!
    Thoni në shkrim:… “Më 14 shtator 1943, vranë komandantin e Ballit, Hysni Lepenicen dhe 35 komandantë çetash të Ballit të krahinave në jug të vendit”.
    Përjigje: Po pse nuk thoni se ku u vranë këta “trima” dhe kush i vrau? TURP! Sepse u lëndoni eshtrat atje ku i kanë, edhe pse janë tradhëtarë. “trimat” tuaj u vranë në portën e Divizionit ushtarak italian në Grehot të GJirokastrës. Dhe u vranë nga italianët, sepse këta donin të “merrnin në dorëzim Divizionin: në shqipen zogisto-balliste, ata donin të plaçkitnin divizionin, meqë ushtria italiane kishte kapitulluar. Por Gjenerali dinjitoz italian, ua tha qartë dhe prerë:-“Zotërinj, ushtria ime ka kapitulluar. Por unë do ia dorëzoj Divizionin palës me të cilën kam luftuar. Ju jeni aleatët e mi”.
    Tha Mitati:… “ne jemi përpjekur për bashkimin dhe vëllazërimin e shqiptarëve për të shmangur luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për të larguar okupatorin prej tokës sonë të shenjtë… Sot në këto rrethana që ndodhemi, detyrohem të largohem për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllazërore”.
    Po mirë, meqë “ishte përpjekur për vëllazërim, e për luftë kundër okupatorit”, pse ia mbathi edhe ky, si zogji yt?!?
    Thoni në shkrim:… “po përmendim vetëm masakrën e tmerrshme të kryer në Lumë, ku më 26 shtator 1944, komandanti i brigadës së pestë partizane, Shefqet Peçi pushkatoi pa gjyq 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes, nën pretekstin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin”. TURP PËR JU, QË EDHE SOT, I FRYNI PËRÇARJES!!!
    Ata që u pushkatuan, nuk ishin “banorë të pafajshëm”, por ishin mercenarë fatkeqë të rremës së bajraktarajve, bashkëpunëtorit të të gjithë armiqve të Atdheut. Ai i mbante me misër, e ata i prenë në besë partizanët. Siç kurrë nuk kanë bërë kukësianët!
    Me dhimbje, po jua përsëris: TURP TË KENI, QË ENDE I FRYNI PËRÇARJES!
    SOJËN E KE TË MIRË, POR VAZHDON TË JESH ENDE MERCENAR I TRADHËTARËVE TË KËTIJ KOMBI!

    Përgjigju ↓